Kryesore

Aksioni te Prestige Resort/ Komisioni i Medias kërkon seancë dëgjimore me “Focus Group” dhe qeverinë! Açka: Sulm i hapur ndaj lirisë së shtypit!

08:06 - 07.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Aksioni i paligjshëm i IKMT në “Prestige Resort” ishte kryefjala e debatit në Komisionin e Medias në Kuvend, pasi deputeti i PD-së, Luçian Boçi, kërkoi futjen në kalendar të zhvillimit të një seance dëgjimore për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, të cilën ai e konsideroi si sulm për lirinë e medias.




Deputeti demokrat kërkoi të thirren përfaqësues të “Fokus Media Grup” dhe drejtori i Agjencisë për Informim në Kryeministri, Endri Fuga. Petro Koçi, në emër të socialistëve, kërkoi që një vendim i tillë të merrej në një mbledhje të ardhshme, pasi të kishin në duar përgjigjet me informacionin përkatës nga disa institucione, mes tyre edhe IKMT që shkatërroi për 5 ditë, në mes të pushuesve dhe ditë pushimi pishinat e “Prestige”.

Kryetarja e Komisionit të Mediave, Flutura Açka, e cilësoi aksionin si sulm të hapur ndaj grupit mediatik dhe medias së lirë duke goditur bizneset e saj. Për demokratët, kërkesa e PS është vetëm për të vonuar në kohë dhe çështja të dalë nga vëmendja e opinionit publik pasi seanca do të bëhet.

DEBATI

Luçiano Boçi: Ngjarja kryesore që ka tërhequr vëmendjen është goditja ndaj grupit mediatik “Fokus Media Grup” me “News 24” dhe “Panorama”. Sulmi ka ardhur për shkak të presionit për të ndryshuar vijën editoriale për ta shtënë në dorë këtë televizion kombëtar për shkak të ndikimit shumë të madh në opinionin publik. Shqetësimet tona lidhen edhe me Agjencinë për Informimin dhe sjelljen e Kryeministrit me gazetarët dhe mediat. Ai sot nuk po merret me gazetarët e thjeshtë, por me grupet mediatike që drejtojnë mediat. Kërkoj një seancë dëgjimorë me dy aktorë kryesore. Të thirren drejtuesit e grupit mediatik në seancë dëgjimore lidhje me sulmin që është bërë nga qeveria për cenimin e biznesit të tyre. Qëllimi kryesor është media. Duhet të dëgjojmë edhe pjesën e qeverisë. Të thërrasim në seancë dëgjimore drejtuesin e Agjencisë, Endri Fuga, për të raportuar sjelljen e qeverisë ndaj medias dhe synimeve të saj për të kontrolluar vijën editoriale të saj. Për ta shtuar në kalendar në një datë sa më të shpejtë.

Petro Koçi: Ajo që ka ndodhur në “Prestige Resort” duhet kuptuar si një çështje e një biznesmeni që ka edhe biznes mediatik. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një fushë krejt tjetër, që nuk lidhet me median. Unë e di që ky biznes ka pasur konflikt me doganat, tatimet, ministrja e Brendshme është angazhuar në rastin konkret. Ne s’jemi atje dhe s’kemi informacion. Ne mund të kërkojmë informacion dhe nëse në bazë të tij na krijohet një bindje që këtu ka diçka më të thellë, atëherë mund të organizojmë edhe një seancë dëgjimore. Sepse kam përshtypjen që seanca dëgjimore do të kthehet në një përplasje politike. Unë them të bëjmë gjera më racionale, të kërkojmë e marrim informacion nga institucionet dhe pastaj vendosim se këtu jemi.

Luçiano Boçi: Angazhimi i këtij komisioni është të realizojë seanca dëgjimore. Jo më tani kur bëhet fjalë për një grup mediatik. Sot jemi në fazën e shantazhimit të pronësisë. Ne na nderon ardhja e grupit mediatik “Fokus Media”. Pati konflikt me tatimet sepse zbuloi disa të vërteta dhe prandaj u sulmua. Shteti pranon të bëhen transaksione tek inceneratorët dhe gjeti grupin mediatik për ta goditur këto janë çështje qe ne do i diskutojmë kur të vijnë përfaqësuesit e grupit mediatik. Ne duhet të bëjmë detyron tonë se si është goditur media në mënyrë brutale për ta kontrolluar dhe paralajmëruar pjesën tjetër të medias që dhe ajo të mos e ngrejë zërin. Ne e dimë si është lufta politike, e pisët, por me median nuk mund të vazhdohet më kështu.

Petro Koçi: Ne duhet të bazohemi në bazë të një informacioni që vjen në formë zyrtare dhe shqetësimi i ngritur na detyron që ne ta kërkojmë këtë informacion dhe në përputhje me atë informacion hajdeni dhe bëjmë seancë dëgjimore. Në qoftë se ne themi që nuk thërrasim dot inspektoratin sepse nuk e mbulon ky komision, i bie që ne as me këtë çështje nuk duhet të merremi se nuk mbulojmë ndërtimet. Sepse situata e krijuar nuk është thjesht me biznesin e mediat, është çështje ndërtimore, urbanistike. Pra, nuk i kanë vajtur te televizioni. Korrekte do të jetë që ne të marrim informacion edhe nga grupi mediatik, Ministrisë së Brendshme, Tatimeve dhe Doganave.

Flutura Açka: Jemi dëshmitarë sa brutale ka qenë. Kur duan këta betonierët e tyre i mbajnë 24 orë. Kur duan ta frustrojnë një biznes shkojnë çdo ditë e nga pak. “Panorama”, “News 24” dhe “Ballkanweb” janë të paktat media që kanë mbetur paksa të lira. Jemi koshientë se sa puthadorë janë bërë mediat e tjera me pushtetin. E kemi për detyrë ta mbrojmë. Nuk mbulohet media në Shqipëri. Ti atje e cenon. Nuk mund të shkonte direkt në “News 24” sepse do bëhej flagrante fare. Edhe me kaq dhe do shënohet në të gjitha raportet e Europës. Janë mbushur gazetat e botës ma matrapikun tuaj. Është cenuar drejtpërdrejt grupi mediatik. Hallin e keni te sinjalet. Është ndër të paktat televizione që ia ka hapur dritaren opozitës dhe qytetarëve për të gjitha skandalet që kemi renditur dhe fjalën e lirë. Nuk e di a kanë dëshirë të vijnë apo jo. Ne duhet t’i krijojmë mundësi grupit mediatik. Nuk mund të rrimë kaq indiferentë për një gjë që është kaq e pastër. Pse kaq shumë brutalitet? Ne nuk jemi avokatë të së keqes. Nuk jemi këtu për të përkëdhelur askënd. Kur vjen puna te media e lirë, kemi për të detyrë të jemi të gjithë bashkë. Në këtë pikëpamje e shoh këtë gjë. Për mua ky është sulm i hapur me nëntekst, me sinjal të largët për grupin mediatik.

Luçiano Boçi: Meqë duheshin dokumente, ja shkresa e Ministrisë se Financave, mjafton ky informacion që detyron grupin mediatik të lërë godinën jo brenda afateve sipas ligjit, jo duke konsideruar investimin që ka lakuar vlerën e godinës, kur lëshohet me qira që në raste të tjera ka kaluar në pronësi, ka shumë njerëz që i kanë marrë në pronësi për 99 vite, investimi i ka kaluar disa herë vlerën e godinës. Kjo është dy javë para se të ndërhyjë IKMT e ndërtimit, dokumentet janë, shqetësimi është liria e medias. Dokumentet janë të deklaruara, informacion zyrtar është i dalë në media, është zyrtar sepse ka dalë. Nuk kemi informacione konfidenciale, ulëriti TV e mori vesh gjithë bota, si e kemi ne konfidenciale. Ne bëjmë detyrën t’i thërrasim, ata mund të mos duan dhe të vijnë, ne bëjmë detyrën tonë, unë shqetësohem për lirinë e medias, në këtë rast thërras ata.

Flutura Açka: Duhet të kishim shkuar te zyrat e “News 24” se jemi bërë qepaze me atë median, ne e kemi për detyrë të mbrojmë median se jemi bërë qepaze me median./panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.