Kryesore

Kullat/ Ilir Meta: Qeveria mbyll sytë për ndërtimet pa leje në Tiranë! Ndryshimi i drejtorëve të Policisë zero efekt, bandat mbrohen nga shteti!

09:02 - 08.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta denoncoi dje gajt takimit me strukturat e kombinatit se në Tirana është bërë nami me lejet e ndërtimit. Ish-Presidenti akuzoi qeverinë dhe bashkinë e kryeqytetit se nuk po shikon abuzimet që bëhen me kullat në mes të sheshit dhe tek liqeni artificial i Tiranes.




“Ju e dini se është bërë nami në Tiranë me lejet e ndërtimit janë dhënë rreth 4 milionë metra katror leje ndërtimi sipas të dhënave të INSTAT në 7 vite. Me qindra kulla janë dhënë në Tiranë dhe normalisht policia bashkiake vjen dhe troket në dyert tuaja edhe kur riparoni pllakat e shtëpisë apo ndërroni vetratat e dritares. Por për abuzimet që bëhen me kullat në mes të sheshit apo pranë liqenit artificial ato nuk i shikojnë dot sepse janë shumë të vogla”, u shpreh Meta.

Sipas ish-presidentit një abuzim i madh po bëhet edhe me banesat sociale.

“Abuzimi që bëhet me banesat sociale në Tiranë është i ndjeshëm. Bashkia e Tiranës ka dhënë 1 mln e 945 mijë metra katror leje për ndërtime me sipërfaqe banimi me mbi 2 mijë metra katror. Në bazë të ligjit duhet që 3% e sipërfaqes së ndërtimit ti kalojë fondit të strehimit të bashkisë së Tiranës si apartamente të gatshme, kjo do të thotë se 58 mijë metra katror të ndërtuar duhet të jetë në dispozicion të bashkisë, pra të qytetarëve. Por nga informacioni zyrtar i vetë bashkisë ajo do të disponojnë vetëm 32 mijë metra katror, Pra mungojnë 25 mijë metra katror nga detyrimi që i jep ligji”, tha nder te tjera Ilir Meta.

NDRYSHIMET NË POLICI

Kryetari i Partisë së Lirisë u shpreh skeptik se ndryshimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë nuk do të sjellë asnjë efekt në goditjen e krimit të organizuar. Ish-Presidenti tha se lufta ndaj bandave kërkon vullnet politik, por që kjo sipas tij nuk gjendet te Kryeministri Rama pasi ky i fundit tha Meta është i dashuruar me ta.

“Ndaj ndërrimet e drejtorëve të policisë, apo edhe ndërrimet e ministrave të Brendshëm me Ramën Kryeministër kanë zero efekt, sepse problemi kryesor është mungesa e vullnetit politik, pasi në krye të qeverisë kemi një Kryeministër të inamoruar me banditët, kriminelët me drogën dhe trafiqet, prandaj kemi këtë situatë, ku kriminaliteti është më i lartë, është problem edhe në raport me BE-në”, tha Meta.

Ai e cilësoi kritike situatën e sigurisë në vend dhe ngriti shqetësimin se bandat me imunitet nga shteti në Shqipëri po shqetësojnë vendet e Bashkimit Europian. Ndërkohë, në Shqipëri kriminaliteti i lartë, pastrimi i parave të pista varfëron shoqërinë dhe zhduk konkurrencën e lirë.

“Ky është problemi që bandat shqiptare janë kërcënim për vendet evropiane sepse këtu mbrohen nga ana e shtetit dhe e qeverisë. Kemi gjithashtu çmime të shtrenjta të banesave në Tiranë sepse një pjesë e tyre vijnë nga paratë e papastra. Kjo është arsye që shumica e njerëzve që duan të blejnë një apartament në Tiranë e kanë shumë të vështirë. Paraja që derdhet nga krimi i organizuar është një helm për zhvillimin e ekonomisë. Është falimentim i konkurrencës dhe ndërmarrjet e ndershme. Është kapja e shtetit dhe institucioneve”, tha Meta.

REAGIMI

Megjithëse situata në vend është e vështirë, Meta tha se qytetarët kanë frikë të reagojnë për shkak të presionit që bëjnë institucionet dhe personat me pushtet. Por, zgjidhja sipas tij është reagimi i të gjithëve.

“Kjo tirani i ka varfëruar shqiptarët dhe kërkon ti shtypë dhe t’i frikësojë për të mos kërkuar të drejtat që i takojnë do të përmbyset falë guximit tonë. Ne do ta ekzekutojmë frikën kudo ku ata përpiqen ta mbjellin dhe do të rikthejmë demokracinë dhe rendin kushtetues dhe barazinë e të gjithëve para ligjit. Të gjitha këto na ftojnë që të bashkohemi për ti dhënë fund kësaj qeverisje dhe t’ia heqim çdo shqiptari zgjedhën e arrogancës të brutalitetit nga ana e Edi Ramës dhe t’i japim një frymëmarrje lirie, t’i japim mundësinë të ecin para në rrugën e prosperitetit dhe të një shteti njerëzor, të përgjegjshëm, i cili kujdeset për qytetaret e tij dhe jo të një shteti, i cili është i gatshëm ti zëvendësojë të rinjtë e Shqipërisë me bangladeshas. Nuk mund të jetë kjo zgjidhja sepse çdo familje këtu e ndjen çdo të thotë largimi i fëmijëve nga shtëpia. Të punojmë bashke me PL me opozitën e vërtetë për t’ia kthyer Shqipërinë shqiptarëve dhe për të hapur një faqe të re të një situate tepër pozitive, premtuese dhe bashkëpunues larg kësaj fryme përçarje dhe dhunimi që i bëhet shqiptarëve nga një klike që ka uzurpuar pushtetin”, u shpreh Meta.

Në qendër të vëmendjes të komunikimit të tij me strukturat e Partisë së Lirisë ishte edhe situata e vështirë ekonomike. Kryetari i Partisë së Lirisë tha se lufta në Ukrainë ka ndikuar në rritjen e çmimeve, por zgjidhja qëndron te masat e shtetit.

“Ju e dini që prioritet nuk mund të jenë qytetarët për një qeveri që ka prioritet vjedhjen përmes aferës së inceneratorëve. Ju e keni parë si këta kanë firmosur dhe kanë kaluar miliona euro në llogaritë e njerëzve që nuk janë më në këtë botë. Partia e Lirisë ka paraqitur në Kuvend për këtë gjë një propozim për heqjen e taksës së karbonit dhe taksës së qarkullimit. Sot, nëse këto taksa do të hiqeshin çmimi do të binte rreth 3710 lekë të vjetra, por qeveria kërkon të mbushë arkën për të paguar inceneratorët dhe tenderët që bën me 10-fishin e kostos reale. Parimi ynë është më mirë një lekë më pak në arkën e qeverisë dhe më mirë 1 lekë më shumë në xhepin e qytetarit”, tha Meta.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.