AKTUALITET

“Po të kishte lindur ndërtues që më blinte mua…”, Rama heq përgjegjësinë nga vetja: Ka nisur hetimi për inspektorët dhe punonjësit e policisë

18:19 - 08.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar në lidhje me aksionin për shembjen apo konfiskimin e ndërtimeve pa leje.




Me anë të një postimi në Facebook, kreu i qeverisë u shpreh se është në pritje të rezultateve të hetimeve të nisura për të përcaktuar përgjegjësinë për ndërtimet, duke e hequr përgjegjësinë nga vetja dhe duke ia lënë inspektorëve dhe punonjësve të policisë të zonës ku janë kryer abuzimet.

Postimi i plotë:

KU ISHTE SHTETI KUR U NDËRTUA?

E kam ndeshur këtë pyetje në komente mbi operacionin më të fundit të qeverisë për shembjen apo konfiskimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi. Pyetja në fakt është ku ishin inspektorët apo punonjësit e policisë së zonës ku janë bërë të tilla abuzime! Këtë do ta mësojmë nga hetimi që ka nisur paralelisht, ndërkohë që pa dashur të humbas kohën e askujt të cilit nuk i mbushet mendja, po as timen për t’iu mbushur mendjen atyre që s’duan, them se janë disa gjëra që duhen mbajtur parasysh nga të gjithë ata që janë të interesuar të informohen:

E para, sot këto lloj ndërtimesh janë ku e ku më pak se dje dhe janë ku e ku më pak, pikërisht sepse ka ku e ku më shumë shtet, ligj, rregull se sa deri dje, kur mbizotëronte rrumpalla e kudondodhur.

E dyta, kjo nuk është një ndeshje futbolli dhe as një betejë e vetme, me kronometër apo kohë të shkurtër. Kjo është një luftë e gjatë, ku avantazhi i shtetit dhe i ligjit në terren nuk merret kollaj, po merret hap pas hapi, me mund e durim të madh.

E treta, ky operacion bazohet në ndryshimet e reja ligjore, që dolën si mësim në rrugën plot kthesa e befasira të kësaj lufte dhe mbështetet në një vullnet të papërkulur nga vitet, për ta çuar këtë luftë të gjatë deri në fund.

E katërta, ka shumë të ngjarë që me mbylljen përfundimtare të rrugës së legalizimit dhe shembjen apo konfiskimin për interes publik të këtyre vëllimeve abuzive, të vuloset edhe fundi i kësaj praktike të neveritshme.

E pesta dhe e fundit, e cila është edhe personale dhe e kam me ata që më dinë si veten e tyre apo më akuzojnë, për gjëra që mesa duket do t’i bënin vetë po të ishin në vendin tim:

Po të kishte lindur ndërtuesi që më blinte mua me kate e me metra pallatesh, ky operacion nuk do ndodhte kurrë me nxitjen dhe nën udhëheqjen time. Kaq.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.