AKTUALITET

SHBA/ 11 shtator 2001: 21 vjet pas sulmit terrorist kujtohen viktimat (VIDEO)

17:07 - 11.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Amerikanët po përkujtojnë sot afro 3000 personat që u vranë në sulmet më të këqija terroriste në historinë e SHBA-së më 11 shtator 2001. Në Nju Jork, turmat e mbledhura pranë muzeut-përkujtimor impozant të Manhatanit mbajtën një heshtje dy minutëshe, pikërisht 21 vjet më parë, dy avionët e rrëmbyer nga ekstremistët islamikë u përplasën në kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë.




Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris, e pranishme në Nju Jork, dëgjoi teksa lexohej lista e gjatë e emrave të viktimave. Presidenti Joe Biden mori pjesë në një ceremoni tjetër, në Pentagon.

“Hidhërimi zbehet pak me kalimin e kohës, por mungesa e përhershme e babait tim është gjithmonë këtu”, tha djali i John Leslie Albert, një prej viktimave të sulmeve, pasi lexoi emrin e babait të tij.

Familjari i një viktime tjetër u bëri thirrje politikanëve të pranishëm për të kapërcyer ndarjet e thella të Amerikës, duke theksuar: “Nuk duhet të kemi nevojë për një tjetër tragjedi për të bashkuar kombin tonë”.

Më 11 shtator 2001, 2,977 njerëz u vranë në sulmet e nisura nga organizata xhihadiste al-Kaeda. Dy aeroplanë të rrëmbyer u përplasën në kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, një tjetër u rrëzua në Pentagon dhe një i katërt, me gjasë që synonte Kapitolin ose Shtëpinë e Bardhë, u rrëzua në një pyll në Shanksville, Pensilvani, pasi pasagjerët luftuan kundër rrëmbyesit.

Asnjë nga personat në bordin e katër avionëve nuk mbijetoi.

Në Uashington, Presidenti Biden mori pjesë në një ceremoni të vendosjes së kurorave pranë Pentagonit, ku u vranë 184 persona. “Ne kurrë nuk do të harrojmë”, shkroi ai në Twitter më herët, duke u zotuar të sigurohet që “kujtimi i jetëve të çmuara që na u vodhën të jetojë” 21 vjet më parë.

Jill Biden, zonja e parë e SHBA-ve, do të përfaqësojë Shtëpinë e Bardhë në një tjetër ceremoni, pak më pas, në Shanksville të Pensilvanisë.

Edhe shumë liderë kujtuan dhe përkujtuan viktimat e këtij sulmi që shënoi mbarë botën. “Ndërsa kujtojmë 11 shtatorin dhe jetët e humbura të pafajshëm, kujtojmë edhe solidaritetin që na tregoni në këto orë të errëta”, ishte mesazhi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.