AKTUALITET

Manovroi me shitjen e tokës për kredi dhe nuk deklaroi pasurinë, si i shpëtoi dënimin me burg Etleda Çiftja e KPK-së

09:20 - 17.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndaj saj, Prokuroria Speciale kërkon dënimin me 1 vit burg, për veprat penale “falsifikimi i dokumenteve” dhe “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.




SPAK-u njoftoi më 30 qershor përfundimin e hetimeve në ngarkim të Çiftjes dhe dërgimin e çështjes për gjykim. Sipas Prokurorisë, ka rezultuar e provuar tej dyshimit të arsyeshëm se e pandehura Etleda Çiftja, në deklaratën vitit 2017 ka kryer deklarim të rremë të pasurisë, konkretisht në lidhje me burimin e blerjes së apartamentit të banimit, të dy parcelave tokë arë me sipërfaqja 1450 m2 dhe me sipërfaqe 3440 m2 , mënyrën e fitimit të pronësisë së dy pasurive të fundit, si dhe në lidhje me qëllimin e marrjes së një kredie.

Duke u ndalur te çështja e një toke për të cilën akuzuar anëtarja e KPKsë, gjyqtari Erjon Bani thotë në vendimin se rezulton që kjo tokë të jetë përfituar në mënyrë të ligjshme nga familja e Çiftjas, si edhe apartamenti i blerë prej saj.

Ai shton se deklarimi i pasaktë dhe i paplotë i kryer në deklaratën para fillimit të detyrës nga Çiftja, është korrigjuar kur ajo është thirrur dhe pyetur në ILDKPKI.

“Pra, nuk konsiderohet deklarimi i rremë i pasurive kur kemi të bëjmë me gabime materiale, parregullsi ku futen dhe mosplotësimi i të gjitha rubrikave të deklaratës, duke lënë pasuri të ligjshme të padeklaruara apo plotësime të gabuara të deklaratës së pasurisë, për të cilat subjekti i deklarimit thirret nga ILDKPKI-ja për t’i ndrequr ato”, shprehet gjyqtari.

BLERJET

Megjithëse në deklaratën e parë, Çiftja ka deklaruar si burim të pasurive të blera pagat, për sipërfaqet tokë arë, konkludohet se burim është dhurimi nga familjarët, ndërsa për apartamentin kredia e marrë nëpërmjet aktit fiktiv të shitblerjes së tokave nga babai i saj me qëllim që e bija të merrte kredinë. Kjo tokë është shitur me shumë prej 300 mijë lekësh, kontratë e cila është kryer në ZVRPP Kavajë.

Por nisur nga fakti se banka e kërkonte në vlerë më të madhe është shënuar në vijim shuma prej 50 mijë euro. Realisht, kjo shumë nuk është derdhur në bankë nga ajo, pasi është konsideruar si një formë akt dhurimi nga babai me qëllim për të përfituar kredinë.

Bazuar në këto fakte, prokuroria ka ngritur akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, por Gjykata e rrëzon këtë pretendim, pasi palët kanë pasur si qëllim lidhjen e këtyre kontratave për të mbuluar një veprim juridik me qëllim për të siguruar kredinë.

REAGIMI

Pas seancës gjyqësore, anëtarja e KPK-së, Çiftja deklaroi se sulmi ndaj saj ishte sulm ndaj reformës në drejtësi dhe se do të vazhdonte të kryente detyrën.

“Do vijoj detyrën time si anëtare e KPK pasi shumë kush e ka përdorur apo ka përfituar nga kjo çështje. Shumë kush është përpjekur që përmes kësaj çështje të dëmtojë reformën në drejtësi, e procesin e vetingut. Por unë mendoj me vendimin e sotëm, shpresoj shume qe ky vendim te publikohet i plote me qellim që përgojimi i emrit tim prej një viti apo më shumë në media të kuptohet e qartë cila ka qenë historia e nëse Etleda Çiftja është falsifikatore apo deklaruese e rremë e pasurive të paligjshme. Asnjë herë. Kam pasur dy kontrolle e asnjë herë s’kam pasur probleme me pasurinë”, tha ajo.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.