EKONOMI

AMF publikon shifrat: Tregu i sigurimeve u rrit me 9.5% për 8-mujorin!

07:52 - 29.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tregu i sigurimeve dha sinjale përmirësimi të rritjes në muajin gusht. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), primet e shkruara bruto arritën vlerën e 13.88 miliardë lekëve. Rritja vjetore e tregut për 8-mujorin arriti në nivelin 9.5%, nga 8.5% që kishte qenë për 7-mujorin e parë.




Aktiviteti i sigurimit të Jetës vazhdon të shfaqë ritme më të larta të rritjes dhe primet e shkruara bruto janë zgjeruar me 24.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pesha e këtij segmenti ndaj totalit të tregut të sigurimeve ka arritur në 8.1%, nga 7.1% që kishte qenë një vit më parë.

Tregu i sigurimit të jetës vazhdon të mbështetet në masën dërrmuese tek sigurimi i jetës së debitorit, produkt ky faktikisht i detyrueshëm, si kërkesë e bankave dhe institucioneve financiare për kreditë afatgjata. Megjithatë, këtë vit vërehet rritje në produkte të tjera, që sidoqoftë vazhdojnë të kenë një peshë specifike më të ulët kundrejt totalit të tregut të Jo-Jetës.

Segmenti më i madh i tregut të sigurimeve, ai i Jo-Jetës, për 8-mujorin shënoi një rritje prej 8.5%, nga 7.3%, që kishte qenë rritja deri në fund të 7-mujorit.

Kontributin kryesor në treg vazhdojnë ta japin sigurimet e detyrueshme motorike, madje pesha e tyre është edhe më e lartë, me 66.3%, nga 64.7% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritjen më të lartë këtë vit mes produkteve motorike po e shënon kartoni jeshil, ku primet e shkruara bruto janë zgjeruar me 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje është e lidhur direkt me shtimin e lëvizjeve të shqiptarëve jashtë vendit dhe me sezonin e mbarë turistik.

Nga ana tjetër, tregu i sigurimeve vullnetare as këtë vit nuk po shënon risi të rëndësishme. Produkti kryesor, ai i sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës, paraqitet në rritje me 5.1%. Rritja e këtij produkti ka shënuar një përmirësim të lehtë gjatë muajit gisht, po rritja e tij ngelet ndjeshëm më e ulët në raport me mesataren e tregut.

Ndër produktet ligjërisht vullnetare, rritje të lartë me 41% ka shënuar sigurimi i aksidenteve në udhëtim, produkt që, njëlloj si kartoni jeshil, është i lidhur kryesisht me daljet e shqiptarëve jashtë vendit. Rritje dyshifrore, me 15.1%, ka shënuar edhe sigurimi KASKO i mjeteve tokësore. Edhe ky produkt është ndikuar shumë nga zhvillimet pozitive të turizmit hyrës, që kanë gjallëruar biznesin e makinave me qira.

Në krahun tjetër, dëmet e paguara bruto këtë vit ngelen në vlera ndjeshëm më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar. Sipas AMF, në tetë muaj siguruesit kanë paguar 4.17 miliardë lekë dëme, në rënie me 9.7% krahasuar me vitin e kaluar.

Rënia më e lartë regjistrohet në tregun e Jetës, me 15.6%, ndërsa në aktivitetin e Jo-Jetës dëmet kanë rënë me 10.5%. Struktura e dëmeve në sigurimet e jo-jetës dominohet me më shumë se 63% nga sigurimet e detyrueshme motorike.

Ndërkohë, dëmet e paguara për llogari të Fondit të Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve këtë vit janë në rritje, me 19.1% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.