AKTUALITET

Morën porosi për vrasje/ Dëshmia e vëllezërve Beqiraj: Pse dështoi plani për ekzekutimin e Geron Hasanbelliut!

11:17 - 06.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dy ditë pas goditjes së një grupi kriminal me bazë në qytetin e Durrësit, por që ishin angazhuar edhe në Tiranë, të tjera detaje dalin në dritë. Kanë qenë vëllezërit, Gentian dhe Indrit Beqiraj, ata që kanë zbërthyer mekanizmin e funksionimit të grupit kriminal, të cilët kishin krijuar bazë me armë dhe municione, duke gjetur edhe furnizuesit, ndërsa banesat me qira ishin vendbanime të përkohshme në zonat ku ata planifikonin të kryenin goditjet.




Në një prej dëshmive të tyre, vëllezërit thonë se kontakti i tyre kryesor ishte Kevin Zeneli, i konsideruar si krahu i djathtë i Kasandër Nogës, aktualisht i arrestuar në Belgjikë dhe porositës i disa vrasjeve. Në këto porosi, përfshihet jo vetëm hasmi i tij, Geron Hasanbelliu, me të cilin është përfshirë në hakmarrje prej më shumë se 20 vjetësh, por edhe miqtë e “Rrumit” të Shijakut, zanafilla e konflikteve të tyre nuk dihet ende. Gjatë dëshmive të vëllezërve Beqiraj, zbardhet edhe përpjekja e tyre për të eliminuar Geron Hasanbelliun në zonën e “Don Boskos” në Tiranë.

Sipas dëshmive, ata nuk kanë mundur ta kryejnë porosinë e Kevin Zenelit, pasi e kanë pasur të vështirë të bien në gjurmët e shënjestrës. Për këtë arsye, sipas vëllezërve, automjeti që do të përdorej për kryerjen e krimit i është rikthyer 23-vjeçarit Zeneli. “Kevin Zeneli, një i njohuri ynë na ofroi punë. Kevin tha se do të na jepte një punë që e kishte porositur Kasandër Noga. Kevini na tregoi fotografinë e Geron Hasanbelliut. Duhet ta gjenim, ta vëzhgonim dhe eliminonim.

E gjetëm në ‘Don Bosko’, prandaj morëm dhe shtëpi me qira aty. E kemi ndjekur gati gjithë muajin dhjetor 2021. Dy ditë para Vitit të Ri, u dorëzuam dhe i thamë Kevinit se nuk mund ta kryejmë dot, sepse është objektiv i vështirë. Makinën që kishim marrë për të kryer ngjarjen ja dhamë Kevinit. Më pas më 4 janar, ngjarjen e kreu ai me mjetet që kishim siguruar ne”, kanë thënë para trupit hetues dy vëllezërit.

KUSH ËSHTË KEVIN ZENELI

Vetëm 23-vjeç, Kevin Zeneli i njohur edhe i Kevi Suçi, rezulton një emër i rëndësishëm i grupit të strukturuar kriminal i goditur nga Policia e Durrësit, shtrirja e të cilit ishte edhe në Tiranë. Pas atentatit me armë zjarri në zonën e “Don Boskos” në kryeqytet në fillim të janarit të këtij viti, ai është larguar nga Shqipëria dhe tanimë rezulton në listën e Interpolit.

Ai rezulton të jetë një person kyç midis të ashtuquajturit kreu i grupit, Kasandër Noga dhe nëpërmjet tij, zgjeroheshin lidhjet me personat e tjerë. I renditur i dyti në hierarkinë e grupit kriminal, ai u nis të kryente vetë porosinë e vrasjes së Geron Hasanbelliut në kryeqytet, por që ngatërroi shënjestër dhe i mori jetën një personi të pafajshëm, 35-vjeçarit, Erion Çela dhe la të plagosur katër të tjerë përfshirë edhe kamerierin e lokalit.

Është ky momenti, kur ai largohet nga Shqipëria dhe ende nuk dihet vendndodhja e tij. Në bazë të dëshmive të vëllezërve, rezulton që Kevin Zeneli të jetë përfshirë edhe në vrasjen e Arben Mërkurit, i cili u ekzekutua me breshëri automatiku në Sukth mbrëmjen e 18 majit të këtij viti. Ai njihej për miqësinë e tij me Pëllumb Muharremin, i ashtuquajturi i “forti” i Shijakut dhe që dyshohet si i përfshirë në disa krime. Muharremi ishte në automjet me Prokurorin, Arian Ndoji kur u organizua një atentat ndaj tyre, por që la pas të vdekur vetëm shoferin Andi Maloku. Kevin Suçi akuzohet nga policia e shtetit për vrasje, mbajtje dhe prodhim armësh e municionesh, si dhe sigurim i kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjes si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.

TELEFONATA E VËLLEZËRVE BEQIRAJ ZBULOI BAZËN E ARMËVE NË TIRANË

Midis 14 personave të arrestuar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, është edhe një ushtarak. Operacioni i koduar “Porosia”, çoi në pranga Altin Çelamin, deri më tani ushtarak në Repartin e Pezë Helmësit në Tiranë. Ai akuzohet nga Policia e Durrësit vetëm për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”. Mësohet se 43-vjeçari furnizonte me armë dhe municione grupin kriminal, i drejtuar në Shqipëri nga 23-vjeçari, Kevin Zeneli, ndërsa financimi bëhej nga Belgjika. Megjithëse nuk ka pasur ndonjë rol aktiv në grupin kriminal, Altin Celami tanimë pritet të përjashtohet nga radhët e ushtrisë.

Një ditë pas operacionit, në Tiranë u zbulua një bazë armësh dhe municionesh. Ndërkohë, nuk ka raportime për persona të shoqëruar. Baza e armëve është gjetur në një bllok pallatesh, mes shkurreve, në zonën e “5 Majit” dhe dyshohet se përdorej nga grupet kriminale. Në bazën e armatimeve janë gjetur kallashnikovë, anti-tankë, snajperë e armë të tjera, të cilat ishin fshehur në një çantë dhe në një thes. Pavarësisht se baza ishte zbuluar prej dy ditësh, policia nuk kishte ndërhyrë me shpresën se do të arrestonte personat që merreshin me grumbullimin dhe transportimin e tyre. Telefonata e bëra nga një prej celularëve të vëllezërve Beqiraj, rrëfimi i të cilëve çoi në shkatërrimin e një grupi kriminal, ka zbuluar bazën e armëve. Baza me armatime u zbulua dy ditë më parë përmes komunikimeve të bëra nga një prej vëllezërve me personat e tjerë që u arrestuar gjatë operacionit “Porositësi”.

“PSE DHASHË 3500 EURO”, DËSHMIA E OFICERIT TË BURGJEVE

Midis personave që përfunduan në prangat e Policisë së Durrësit në kuadër të operacionit “Porositësi” është edhe efektivi i policisë së Burgjeve, Flamur Bejko. Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, ai ka mohuar që të ketë paguar vëllezërit Beqiraj për të kryer vrasjen e dy personave, por nuk mohon faktin që ai ka pasur njohje me ta dhe as faktin se u ka dhënë shumën prej 3500 eurosh. Në dëshminë e tij para hetuesve, Bejko ka deklaruar se shumën në fjalë ua ka dhënë vëllezërve Beqiraj sepse njëri prej tyre ia ka kërkuar me qëllim për të plotësuar dokumentet e banimit në Greqi.

“Unë nuk kam asnjë lidhje me porosinë për vrasjen e askujt. Shumën prej 3500 euro ua kam dhënë dy vëllezërve Gentjan dhe Indrit Beqiraj borxh, pasi do të bënin disa dokumente në Greqi”, ka thënë Bejko. Policia ka dyshime të forta se Bejko kërkoi vrasjen e dy personave në fjalë pasi kishin konflikte me ta dhe se ata e kishin dhunuar. Bejko ishte oficer burgjesh në burgun e Durrësit. Po ashtu, një pronar lokali është akuzuar prej tyre se i kanë kërkuar armë për të bërë një vrasje dhe se si u ka premtuar që t’u jepte një automatik. Në ballafaqimin me ta ai ka deklaruar se e akuzonin për arsye se i kishte rrahur të dy dhe përzënë nga lokali sepse kishin bërë sherr dhe kishin tentuar të rrihnin kamerierin e tij. Ngjarja në fjalë është dëshmuar dhe nga klientët dhe kamerieri.

KËRKESA E VËLLEZËRVE BEQIRAJ

Pasi shkuan të denonconin në Polici dhunën që ishte ushtruar ndaj tyre dhe më pas rrëmbimi për disa momente të njërit prej vëllezërve, Gentian dhe Indrit Beqiraj kanë zbardhur jo vetëm ngjarjen e ndodhur natën e së shtunës, por edhe të disa krimeve të bujshme në vend. Fillimisht kanë hezituar të flasin me hetuesit, por më pas dy vëllezërit kanë rrëfyer gjithçka dinin për grupin kriminal që përfundoi me 14 arrestime dhe me pesë të tjerë të shpallur në kërkim. Ata kanë kërkuar statusin e të penduarit nga drejtësia, çka mund të përfitojnë ulje të dënimit. Në kuadër të dëshmive për porosi për vrasjet që kishin marrë, ata kanë kërkuar mbrojtje për familjen e tyre për shkak e ndihen të rrezikuar. Ata kanë pranuar se janë pjesë e një grupi kriminal vrasësish me pagesë dhe kanë përmendur emrin e Kevin Suçit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.