Kryesore

Prapaskenat e afrimit mes dy grupeve të PD/ Berisha kërkon një takim të dytë mes Çupit dhe Bylykbashkit, Mediu ‘negociator’ për një kandidat!

12:05 - 06.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me afrimin e zgjedhjeve lokale 2023, grupet brenda Partisë Demokratike po bëhen gjithnjë e më të ndërgjegjshëm se duhet të përballen me Partinë Socialiste si një trupë e bashkuar. Ndaj edhe hapat e para janë hedhur. Një javë më parë, në një nga hotelet në kryeqytet ku organizohen kryesish aktivitete politike, bashkëkryetarja e Komisionit të Reformës Territoriale, Dhurata Çupi, u takua me Oerd Bylykbashin dhe Ylli Asllanin, të cilët janë marrë me hartimin e një drafti për reformën territoriale.




Qëllimi i takimit ishte që dy grupet brenda Partisë Demokratike që kanë bërë secili nga një draft për reformën territoriale të punonin për të shkuar në Kuvend me një draft të përbashkët. Por, për shkak të qëndrimeve të mbajtura nga të dyja palët, një javë më parë nuk pati një dakordësi.

Burimet bëjnë me dije për gazetën “Panorama” se mosdakordësitë nuk lidheshin me draftet, por me faktin se kush do të ishin propozuesit e draftit në Kuvend. Kjo bëri që mbledhja e një jave më parë të mos prodhonte një marrëveshje. Por dje, në mbledhjen e Grupit të PD, kryedemokrati Sali Berisha i shtriu dorën edhe pjesës tjetër të deputetëve të PD-së, që pikërisht dje depozituan draftin e tyre me 94 bashki që të ulen për të bashkërenduar me një dokument.

“Sot (dje) dëgjoj që një grup deputetësh të po kësaj partie, në mënyrë të pavarur, kanë dorëzuar një draft me 94 bashki. Unë mendoj se ky draft i dorëzuar dhe ky që është përgatitur këtu dhe është më i thelluar në çdo aspekt, le të ulemi bashkërisht dhe të arrihet në një draft të PD-së, i cili të përfaqësojë interesat më të mira të qytetarëve shqiptarë. Pra, nuk ka asnjë gjë, edhe një deputet i vetëm mund të paraqesë qoftë ligj, projekt apo reformë, kështu që ulja me ta në komisione dhe jashtë komisioneve, dhe gjetja e një ujdie për një projekt që ta mbështesin të gjithë deputetët e opozitës, mendoj se duhet të diskutohet edhe me partitë aleate në parlament, duhet të diskutohet me Partinë e Lirisë, duhet të diskutohet me të gjitha partitë opozitare, Partinë për Drejtësi-Integritet, Partinë Republikane, Partinë e të drejtave të njeriut, Partinë Agrare Ambientaliste. Me të gjithë këta duhet të diskutojmë në komision në mënyrë që të krijojmë një mbështetje pano opozitare e të gjithë opozitës. Një projekt shumë i rëndësishëm ky. Natyrisht, ne kurrë nuk bëhemi pjesë e një loje të qeverisë dhe as të pazareve me të. Ne e kemi publik projektin. Projekti shpreh interesat më të mira. Nuk besoj se Edi Rama është serioz në çështjen e reformës. Nuk ndodh. Gënjen. Pavarësisht nga kjo, mendoj se ishte në detyrimin tonë, në seriozitetin tonë që të paraqesim gati një projekt më të mirin që ne e gjykojmë”, tha Berisha.

DAKORDËSIA

Për gazetën “Panorama”, bashkëkryetarja e Komisionit Parlamentar për Reformën territoriale, Dhurata Çupi, u shpreh e gatshme për t’u riulur e për të shkuar me një draft të përbashkët në komision. Ajo u shpreh se dokumenti i përgatitur prej tyre është bazuar në ekspertizat më të mira në lidhje me ndarjen territoriale, por megjithatë shtoi se ka gjithmonë vend për përmirësime dhe se interesi i tyre ishte që reforma ti shërbej shqiptarëve.

“Drafti, i cili u dërgua sot nga deputetët e Partisë Demokratike në kryesinë e Kuvendit për Reformën Territoriale, bazohet në studimet më të mira të bëra për ndarjen territoriale. Objektivi ynë është që qytetarët të marrin shërbimin nga pushteti vendor. Sigurisht, jemi të hapur për të bërë plotësime për të perfeksionuar reformën ndaj sigurisht jam e hapur për çdo dialog dhe rakordim të një drafti të gjithëpranuar. Një takim për bashkimin e dy drafteve brenda deputetëve demokrat është bërë pak ditë më parë dhe sigurisht mund të ulemi përsëri për të bërë më të mirën për demokratët dhe të gjithë shqiptarët”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, aleati tradicional i Partisë Demokratike, kreu i PR-së, Fatmir Mediu, ka nisur një lëvizje për të krijuar përfaqësi nga të dy kampet brenda opozitës që të shërbejë jo vetëm për draftin final për ndarjen territoriale por që të nisin dialogun që në zgjedhjet e ardhshme lokale opozita të dalë me një kandidat të përbashkët në të gjitha bashkitë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.