BOTA

Thërret mbledhje të Këshillit të Sigurisë/ Putin akuzon Ukrainën për shpërthimin në urën e Krimesë: Akt terrorizmi!

21:30 - 09.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka akuzuar Ukrainën për sulmin në Urën e Krimesë duke e konsideruar si akt terrorizmi. Putin ka thënë se forcat ukrainase të inteligjencës kanë pasur synim që të shkatërrojnë një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës civile të Rusisë. Ai i ka bërë këto deklarata në një takim me shefin e Komitetit Hetues të Rusisë, Alexander Bastrykin.




Rusia e ka aneksuar Gadishullin e Krimesë më 2014, ndërsa ura është lëshuar për qarkullim katër vjet më vonë. Më herët gjatë ditës së diel, Rusia ka rritur sigurinë në këtë urë – të vetmen që e lidh me Gadishullin ukrainas të Krimesë – pas shpërthimit të fuqishëm të 8 tetorit në të.

Presidenti Putin ka urdhëruar Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB) që të mbikëqyrë urën lidhëse. Sipas hetuesve rusë, tre persona kanë vdekur si pasojë e shpërthimit si dhe janë dëmtuar rëndë disa segmente rrugore. Viktimat kanë qenë në një makinë afër kamionit-bombë që ka shpërthyer, kanë thënë autoritetet ruse.

Bastrykin ka thënë se qytetarët rusë dhe disa shtete të huaja kanë ndihmuar në përgatitjet për sulm. Zyrtarët rusë kanë thënë po ashtu se kanë nisur menjëherë punimet për të rregulluar segmentet e dëmtuara rrugore.

E konsideruar nga mediat ruse si “ndërtimi i shekullit”, ura është konsideruar kyçe për bartjen e pajisjeve ushtarake, municionit dhe ushtrisë, në jug të Ukrainës, prej shpërthimit të luftës në këtë shtet, në fund të muajit shkurt.

Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./ Marrë nga REL

Shpërthimi në Urën e Krimesë, Putin thërret mbledhje të Këshillit të Sigurisë në Rusi

Ndërkohë, Putin ka kërkuar që të zhvillojë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Rusisë, dy ditë pas shpërthimit masiv në urën e Krimesë. Sipas CNN, takime të tilla nuk janë të jashtëzakonshme, pasi Putin zhvillon rregullisht mbledhje operacionale të Këshillit të Sigurisë.

Teksa rendi i diskutimeve nuk është bërë publike, takimi vjen në një udhëkryq strategjik për Kremlinin, i cili duhet të bëjë një sërë zgjedhjesh pasi duket se është lëkundur besimi tek lufta në Ukrainë.

Një pjesë e trafikut rrugor dhe trafikut të trenave ka rifilluar në urën e vlerësuar prej 3.7 miliardë dollarësh. Shërbimet e para të pasagjerëve rifilluan udhëtimin nëpër urë të shtunën, duke udhëtuar nga gadishulli i Krimesë në Krasnodar Krai në Rusinë jugore, tha në një deklaratë Ministria e Transportit e Rusisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.