AKTUALITET

KFOR-i do të vazhdojë mbështetjen për sigurinë dhe paqen në Kosovë, Osmani: Kemi qëndruar gjithmonë në anën e duhur të historisë

20:14 - 10.10.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Komandanti i Forcave të NATO-s me seli në Napoli, Admirali amerikan, Stuart B. Munsch tha të hënën se forcat e KFOR-it do të vazhdojnë të mbështesin sigurinë, paqen dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.




Ai i bëri këto komente pas ceremonisë së ndërrimit të komandës së forcave paqeruajtëse të NATO-s. Gjeneral-majori italian Angelo Michele Ristuccias, pason në këtë post Gjeneral-major Ferenc Kajarin.

“Sot Kosova është qartazi më e sigurt dhe më e qëndrueshme se sa kur filloi misioni i NATO-s. Ne duhet ta njohim këtë arritje e cila nuk është e papërfillshme dhe në të njëjtën kohë mos të harrojmë të mbrojmë këtë përparim”, tha Admirali amerikan Munsch.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se falë kontributit të NATO-s, Kosova sot është një vend paqësor.

“23 vjet më pas, ushtria jonë po shërben përkrah ushtrisë amerikane dhe vendeve të tjera partnere dhe po kontribuon në misionet paqeruajtëse në mbarë botën. Kosova ka qëndruar gjithmonë në anën e duhur të historisë, dhe ne po e tregojmë këtë edhe një herë duke qëndruar pranë popullit të Ukrainës, tani që paqja, demokracia dhe rendi i bazuar në rregulla ndërkombëtare janë sërish nën sulm”, tha ajo.

Autoritetet në Kosovë thanë se misioni i KFOR-it në Kosovë mbetet i pazëvendësueshëm dhe i nevojshëm për të ofruar siguri në tërë territorin e Kosovës.

Zyrtarë të NATO-s thonë se situata e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë, por e brishtë. Sipas tyre ekzistojnë disa zhvillime shqetësuese që duhen ndjekur nga KFOR-i, posaçërisht në komunat e banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës.

Zyrtarë të NATO-s thonë se janë të gatshëm të shtojnë numrin e trupave në Kosovë nëse rriten tensionet në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb në veri, ndërsa afrohet afati i vendosur nga qeveria e Kosovës që është data 31 tetor për ndryshimin e targave të makinave.

Ndryshimi i këtyre targave dhe reciprociteti për dokumentet e identifikimit nxitën tensione gjatë muajve të verës, ndërsa grupe qytetarësh serbë bllokuan rrugët në shenjë pakënaqësie nga vendimet e qeverisë së Kosovës.

Zyrtarët ndërkombëtarë janë vënë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje dhe për të parandaluar tensionet e mundshme në fund të këtij muaji. VOA 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.