AKTUALITET

Draft raporti i KE-së për Shqipërinë: Konflikti brenda PD-së ka goditur funksionimin e parlamentit

12:05 - 11.10.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Komisioni Evropian përpiloi tekstin e paketës së zgjerimit dhe atë të raporteve të progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, që pritet të miratohen më 12 tetor.




Radio Evropa e Lirë siguroi qasje në draftet e këtyre dokumenteve, të cilat nuk pritet të pësojnë ndryshime të mëdha deri në miratim.

Komisioni nënvizon se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka pasur ndikim ndryshimi i rrethanave globale, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ndërsa merret në mënyrë të veçantë me situatën ekonomike atje, zbatimin e planit evropian për investime në Ballkanin Perëndimor, agjendën e gjelbër evropiane, planet për prokurim të përbashkët të energjisë dhe përshtatjen e vendeve të këtij rajoni me politikat e BE-së.

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut përmendet fakti se këto dy vende i kanë nisur negociatat e anëtarësimit, pas një pune intensive, dhe kjo shënon një moment historik në raportet e këtyre dy vendeve me Bashkimin Evropian.

Maqedonia e Veriut, sipas raportit, i ka vazhduar përpjekjet për forcimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit, pavarësisht disa sfidave. Nga Shkupi kërkohet që të ketë më shumë vullnet politik për të reformuar sistemin zgjedhor. Edhe në Maqedoninë e Veriut Komisioni ka vërejtur se polarizimet politike kanë ndikuar që Parlamenti të vonojë miratimin e disa ligjeve.

Maqedonia e Veriut ka shënuar “një lloj progresi” në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tash kërkohet më shumë fokus në implementimin e kornizës ligjore që ekziston, për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në rastin e Shqipërisë vlerësohet progresi në forcimin e strukturave për integrim në BE, por kërkohet që në këtë drejtim të ketë më shumë bashkëpunim me opozitën dhe shoqërinë civile. Aty nënvizohet se konflikti i madh i brendshëm me partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike(PD,) ka ndikuar në jetën parlamentare në Shqipëri.

Komisioni pranon se Shqipëria ka vazhduar luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë dhe si shembull përmenden dënimet e disa ish-zyrtarëve të lartë. Shqipërisë i kërkohet që të bëjë më shumë përpjekje në parandalimin e shpëlarjes së parave.

Një çështje që Komisioni Evropian kërkon në mënyrë të veçantë në Shqipëri është angazhimi për të penguar emigrimin ilegal, sidomos të personave të mitur pa përcjellje.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.