AKTUALITET

FMN kundër Amnistisë Fiskale: Shqipëria ka mangësi në luftën kundër pastrimit të parave

07:37 - 11.10.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

ADA HAZIZOLLI/ Me argumentin se dëmton moralin tatimor dhe se vendi ka ende mangësi në luftën kundër pastrimit të parave, Fondi i Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër amnistisë Fiskale, nismës së qeverisë “Rama”, të rikthyer për konsultim qershorin e këtij viti.




Shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun, e ka konsideruar draftin si “kartën e daljes nga burgu” për shmangësit e mëdhenj të taksave dhe ka kërkuar zëvendësimin e tij me një program deklarimi vullnetar, i cili nuk i përjashton qytetarët nga të gjitha detyrimet tatimore.

“Ne ritheksojmë shqetësimet tona për ligjin e propozuar të amnistisë fiskale, duke pasur parasysh rreziqet e pastrimit të parave dhe qeverisjes. Projektligji ka të ngjarë të dëmtojë moralin tatimor. Amnistia fiskale mund të konsiderohet si një kartë ‘dalje nga burgu’ për shmangësit e mëdhenj të taksave, sepse përfshin një falje të konsiderueshme të taksave, përveç heqjes së plotë të interesit dhe gjobave dhe dhënies së imunitetit efektiv nga ndjekja penale dhe inspektim i mëtejshëm nga forcat e zbatimit të ligjit për sa i përket burimit të fondeve që do të amnistohen. Qeveria duhet të ndryshojë amnistinë fiskale me një program deklarimi vullnetar (PDV), i cili nuk i përjashton nga të gjitha detyrimet tatimore”.

Por, edhe për një program deklarimi, duhet që të përmbushin disa kushte. Përveçse një administrate tatimore moderne që do të ketë mjetet e duhura të kontrollit dhe zbatimit të ligjit, duhet po ashtu një kornizë efektive në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit.

Sipas FMN-së duhet të krijohet besimi tek qytetarët që shmangësit e taksave do të ndëshkohen dhe se nuk do të ketë një nismë të tillë të ngjashme në vijim. Në rastin e Shqipërisë, tha shefja e Misionit Yan Sun, ka ende mangësi në strategjike për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit, ndërsa nuk kanë munguar “kritikat” për sektorin e tatimeve.

“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë progres, por kapaciteti i saj i auditimit dhe hetimit mbetet ende i dobët, performanca e saj në mbledhjen e të ardhurave është e ulët, ndërsa shumë vlerësime nga auditimet mbeten të pambledhura, ka akses të pamjaftueshëm automatik në të dhënat e palëve të treta, veçanërisht informacionin e llogarive financiare. Shqipëria ende ka mangësi strategjike për LPP/LFT (Luftën për Pastrimin e Parave dhe Luftën për Financimin e Terrorizimit)”, tha shefja e Misionit të FMN-së.

Nisma e Amnistisë Fiskale e rikthyer nga qeveria parashikon deklarimin vullnetar të pasurisë deri në 2 milionë euro pa penalitete dhe përkundrejt një detyrimi tatimor modest. Por, projektligji nuk është mirëpritur as nga Bashkimi Evropian, shoqatat e biznesit, opozita dhe ekspertët.

SITUATA

Në deklaratën përmbyllëse, FMN është ndalur edhe tek situata ekonomike, inflacioni, borxhi publik, kriza energjetike dhe monitorimi i koncesioneve. Këtë vit rritja ekonomike pritet të jetë 3.7 për qind ndërsa për 2023 projeksionet janë pesimiste.

FMN vijon t’i qëndrojë skenarit për një rritje me vetëm 2 për qind. Sakaq, norma e inflacionit pritet të arrijë kulmin në muajt në vijim, duke filluar uljen vetëm në vitin 2023 dhe të kthehet në objektivin prej 3 për qind e Bankës së Shqipërisë nga mesi i 2024. Në këtë situatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ripërsëritur thirrjen ndaj qeverisë për të mbështetur familjet në nevojë.

“Inkurajojmë autoritetet të shfrytëzojnë të gjithë kuadrin ekzistues të mbrojtjes sociale për të shënjestruar më mirë dhe për të përmirësuar mbulimin, si dhe për të siguruar qasje për ata që kanë më shumë nevojë. Mbështetja buxhetore duhet të jetë e përkohshme dhe e shënjestruar tek shtresat në nevojë. Rritja e eficiencës dhe e besueshmërisë tek financat publike mbetet jetike për të ruajtur besimin e tregut dhe për të zbutur kostot e më të larta të huamarrjes”, thuhet në deklaratën përmbyllëse.

KONCESIONET DHE BORXHI

FMN nuk ka “kursyer” qeverinë as për borxhin publik, koncesionet dhe sektorin energjetik. “Çdo realizim i të ardhurave mbi parashikimet buxhetore duhet të kursehet për të zvogëluar më shpejt borxhin”, ndërsa është kërkuar nga Ministria e Financave po ashtu që të risë kontrollet ,mbi kontratat koncesionare.

“Ne bëjmë thirrje për shtimin e përpjekjeve për të rritur aftësitë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që të luajë rolin e saj si gardian në procesin e përzgjedhjes së projekteve, si dhe që të luajë një rol aktiv në vlerësimin dhe monitorimin e tyre. Autoriteteve u kërkohet të publikojnë kontratat e prokurimit publik që lidhen me shpenzimet për pandeminë dhe rimëkëmbjen nga tërmeti, emrat e kompanive fituese dhe pronarët përfitues”, thuhet më tej në deklaratë ku vihet në dukje po ashtu rëndësia e rritjes së transparencës mbi sektorin energjetik dhe drejtimin e ndërmarrjeve shtetërore.

Panorama.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.