EKONOMI

Obligacionet private/ Rritja e normave të interesit shtyn bankat të nxitojnë për emetimet e reja!

07:40 - 13.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rritja e shpejtë e normave të interesit po i shtyn disa prej bankave tregtare të shpejtojnë emetimet e reja të obligacioneve me ofertë private. Në fillim të muajit shtator, Union Bank njoftoi mbylljen me sukses të emetimit të tretë të obligacioneve 7-vjeçare, për një shumë totale prej tre milionë eurosh. Norma vjetore fikse e interesit apo kuponi i obligacionit ishte 3.5%, nga 3.3% që kishte qenë kuponi i emetimit të mëparshëm, në tetor 2021.




Burimet nga tregu bëjnë të ditur se edhe Tirana Bank dhe ABI Bank janë në fazën e realizimit të emetimeve të reja të këtyre obligacioneve, duke parë se normat e interesit po rriten me një ritëm shumë të shpejtë. Në fakt, në këto emetime të reja pritet të ketë një rritje të mëtejshme të normave të interesit, të paktën në nivelin 3.7%. Zakonisht, bankat emetuese preferojnë obligacionet në monedhën euro, sepse normat e interesit janë më të ulëta në krahasim me lekun, por edhe për shkak të bollëkut të kursimeve në euro të depozituesve.

Rritja e shpejtë e yield-eve të bonove dhe obligacioneve ka shtuar presionin për rritjen e normave të interesit të depozitave në lekë. Tashmë, depozitat 12 mujore në treg po i afrohen kufirit të 2%. Për euron, normat e interesit janë ende më të ulëta, por tendenca është dukshëm në rritje, megjithëse Banka Qendrore Europiane e nisi këtë process më vonë krahasuar me institucionet e tjera homologe. Pritet që në muajin tetor, BQE-ja të rrisë me 0.75 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar në nivelin 2%. Ndërkohë, treguesi kryesor benchmark për euron, euribori 12 mujor, ka arritur në pothuajse 2.6%.

Bankat janë subjektet kryesore që kanë zhvilluar tregun e obligacioneve me ofertë private në Shqipëri, sepse instrumentet e borxhit të varur atyre iu njihen si pjesë e kapitalit rregullator. Në këtë mënyrë, nëpërmjet obligacioneve me ofertë private ato mbulojnë një pjesë kërkesave të rregullores së mjaftueshmërisë së kapitalit.

Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), portofoli i obligacioneve me ofertë private, i llogaritur si vlera e emetuar dhe ende e pashlyer, arriti në fundin e muajit qershor 2022 në 12.37 miliardë Lekë ose pothuajse 106 milionë Euro. Që nga fillimi i vitit, vlera e portofolit të obligacioneve është rritur me 2.36 miliardë Lekë ose 23.6%.

Më shumë se 57% e obligacioneve me ofertë private janë të emetuara në valutë të huaj, nga 53% që ishte pesha e tyre në fund të vitit 2021. Sipas ligjit, obligacionet me ofertë private mund të emetohen nga shoqëritë aksionere dhe të ofrohen për shitje te investitorë institucionalë dhe tek një numër prej deri 100 individësh. Në Shqipëri, këto instrumente kanë nisur të përdoren për herë të parë në vitin 2011.

Obligacionet me ofertë private kanë ofruar norma interesi ndjeshëm më të larta krahasuar me instrumentete e tjera që ofron tregu financiar vendas, ndaj investitorët i kanë parë si një mënyrë e mirë për të diversifikuar investimet e tyre dhe për të siguruar kthime më të kënaqshme. Me rritjen e shpejtë të normave, këto instrumente po bëhen edhe më tërheqëse për investitorët.

Deri tani, në tregun shqiptar të kapitaleve emetimi i obligacioneve është bërë me ofertë private. Ekspertët i vlerësojnë obligacionet si instrumentin që mund të ketë potencialet më të afërta për të kaluar drejt emetimit me ofertë publike dhe tregtimit të tyre në bursë. Megjithatë, deri tani emetuesit kryesorë, bankat, i kanë shitur këto obligacione tek depozituesit e tyre dhe nuk e kanë pasur shumë të nevojshme të kërkojnë një treg për gjetjen e blerësve. /monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.