LAJMI I FUNDIT

Deputetja e PL, Erisa Xhixho: Ky vit i ri akademik i gjen universitetet shqiptare në ditën më të vështirë

14:40 - 17.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, gjatë një komunikimi për mediat, lidhur me nisjen e vitit të ri akademik. tha se ky vit i ri akademik, i gjen universitetet shqiptare në ditën më të vështirë.




Ajo, pasi ka uruar për një vit të mbarë akademik për gjithë studentët, pedagogët dhe stafet akademike, për punën e tyre të palodhur, ka deklaruar nga ana tjetër se sot në auditoret e universiteteve u ulën sot rreth 1 mijë studentë më pak se vitin e shkuar.

Sipas saj, interesi për degët prioritare që u incentivuan nga qeveria është pothuaj zero, dhe se degët e mësuesisë janë gjithnjë e më pak të kërkuara, sepse mësuesi nuk paguhet të paktën sa kolegët e tij në rajon.

“Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën Fizikë janë regjistruar vetëm 10 studentë, në Kimi 12 dhe në Matematikë 25 studentë. Bëjeni llogari vetë cila do të jetë e ardhmja e mësimdhënies në Shqipëri, nëse do të vijohet me këto ritme. Degë si peshkimi apo zooteknika rrezikojnë mbylljen, pasi të regjistruar janë vetëm 6 studentë. Në universitetet e rretheve, regjistrimet tkurren në mënyrë progresive çdo vit. Universiteti i Gjirokastrës hap sot dyert me ¼ e numrit të studentëve që kishte disa vite më parë. Kjo është përgjigjja që të rinjtë shqiptarë po i japin kësaj qeverie dhe politikave të saj arsimore të dështuara. E nisim këtë vit akademik me pedagogët që janë në grevë dhe protestë prej javësh sepse janë të keqpaguar, dhe me financime per kerkimin janë të fundit në rajon. Prej javësh, kërkesës së tyre të drejtë për rritjen e pagës të paktën sa kolegët e tyre ne Kosovë, qeveria i është përgjigjur me arrogancë dhe me mospërfillje. Për të ardhur në përgjigjen tallëse për një rritje 7% nga qeveria, e cila çuditërisht ka para për instalacion argëtues për Kryeministrin me vlerë 4 milion euro, por kur vjen puna për të paguar në mënyrë dinjitoze pedagogët nuk ka.“- deklaron Xhixho.

Sipas saj, kjo qeveri nuk ka para as për rritjen e financimit të kërkimit shkencor të paktën në 0.3% PPB, ndërkohë që edhe në progres raportin e fundit të BE-së theksohej që është shumë larg standardit të BE, i cili duhet të jetë 1% e PPB.

“Zero mbështetje për studentët në paketën e fundit të Rezistences Sociale. Për këtë qeveri, ata nuk ekzistojnë si kategori që duhet mbështetur. Studentët e nisin këtë vit akademik në vështirësi shumë të mëdha financiare. Të prekur direkt nga rritja e çmimeve, mijëra studentë dhe familjet e tyre duhet të përballen sot me qiratë që nisin nga 300 euro, çmimin e rritur të ushqimit, kostot e shtuara të transportit ,kostot e rritura te librave, veshjeve etj. Javë të tëra proteste, me një peticion online që ka marrë 6 mijë firma dhe çfarë kërkuan? Mbështetje financiare sa Kosova, 100 euro mbështetje mujore sa bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë. Ende sot, në ditën e parë të këtij viti akademik, ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga qeveria. Nuk ka asnjë vendimmarrje për ta, asnjë mbështetje. Në vend të deklaratave plot propagandë, qeveria dhe Ministria e Arsimit duhet të marrin vendime, të bëjnë detyrën e të mbështesin studentët, e pedagogët. Këtë duhej të bënin sot. Por nuk mund ta bëjnë sepse Edi Rama dhe qeveria e tij e shohin zhvillimin tek krimi e jo tek arsimi. Kjo qeveri nuk e ka arsimin prioritet. Kjo qeveri e ka rishikuar buxhetin dy herë gjatë këtij viti. Në mars e ka shkurtuar në mënyrë të veçantë buxhetin e arsimit me universitar dhe fondet për kërkimin shkencor. Ndaj mbështesim fuqimisht protestën e pedagogëve dhe studentëve, të cilët janë bashkë në këtë betejë për dinjitet dhe arsim cilësor.”,- deklaroi Xhixho.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.