Kryesore

Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit/ Jorida Tabaku: Një shans që nuk duhet humbur për “brain gain”!

15:31 - 17.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mesditën e sotme është zhvilluar mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, ku po diskutohet në lidhje me prezantimin e raportit vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë.




Së pari fjalën në këtë mbledhje e mori bashkëkryetarja e Këshillit nga radhët e opozitës, Jorida Tabaku, sipas të cilës , detyra e klasës politike shqiptare është që ta ndërtojë Europën këtu në vendin tonë, jo me slogane apo videoklipe, por me zbatimin e atyre kërkesave themelore të lirisë së tregut, kapitalit, barazisë përpara ligjit dhe meritokracisë.

Jam shumë e bindur që procesi i integrimit është një shans që nuk duhet humbur për “brain gain”. Një mundësi e jashtëzakonshme që pasurinë e madhe që e kemi humbur gjithë këto vite, ta rikthejmë sërish këtu.

FJALA E PLOTË E JORIDA TABAKUT:

E nderuar  shkëlqesi Ambasadore,

E nderuar Znj Ministre,

Shqipëria kandidatja e përjetshme për anëtarësim në BE

Pak ditë më parë u publikua strategjia e zgjerimit dhe raporti për Shqipërinë, që çdo vit na tregon se ku jemi!

Në fakt shumë nga ne në këtë sallë e jashtë kësaj salle e dimë shumë mirë gjendjen tonë.

Kandidatja e përjetshme për anëtarësim në BE!

Gjatë gjithë kësaj kohe në opozitë kam kërkuar përherë e më shpesh që të punohet për konferencën e parë ndërqeveritare, e të punohej pavarësisht një date.

Ky është raporti i parë që dorëzohet ndërsa Europa është e përfshirë nga një luftë e padëshiruar por e detyruar. Një ngjarje e veçantë që ka ndryshuar, për mirë deri më tani, qasjen e BE-së ndaj parimeve të saj dhe në veçanti ndaj rajonit tonë, duket se Evropa po e gjen forcën së brendshmi. Por, megjithëse shumëçka duket se ka ndryshuar nga disa vende skeptike në raport me ne, shumëpak ka ndryshuar nga Shqipëria në raport me detyrimet karshi vetes sonë dhe padyshim BE-së.

Një proces nuk mund të shkojë përpara, nëse të gjithë institucionet e vendit nuk janë në unison për drejtimin, ritmin, energjinë dhe frymën që duhet të ndjekim.

Tanimë që konferenca e parë është çelur, besoj është edhe më e qartë për këtë mazhorancë dhe qeverinë se ky është një proces merite që ka brenda tij së paku dy aktorë kryesorë.

Për rrjedhojë, ky raport duhet të jetë një dokument pune.

Në këto kushte kur Europa është shumë e hapur për të mikpritur Shqipërinë, duket shumë e pandershme që ne të mos jemi aty ku duhet.

Dhe me shqetësim konstatova se vlerësimi për grupin e parë të kapitujve është  i njëjtë me atë të një viti më parë, asnjë ndryshim në fakt pasi për dy vite me rradhë ka qenë i tillë.

Atëherë kur duhet që çdo gjë ta vëmë në funksion të këtij procesi, ne nuk duket se ja kemi arritur.

Për mua është shqetësues fakti se qeveria shqiptare nuk e ka treguar ende vullnetin politik të nevojshëm për reforma.

Korrupsioni mbetet një fushë me shqetësim serioz. Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e mosndëshkimit. Natyrisht raporti përmend arrestimin e ish Ministrit të Brendshëm, por për vendin më të korruptuar në Europë, një çështje si e inceneratorëve dëshmuar dhe faktuar nga Komisioni Hetimor për Inceneratorët për 430 mln euro nga buxheti i shtetit, për koncesionet dhe PPP, SPAK ka një rrugë të gjatë për të bërë për të krijuar besueshmëri.

Hetime kriminale të natyrës Financiare, përmenden në raport, janë udhëhequr nga SPAK që kanë treguar përfshirjen e politikanëve dhe anëtarë të lartë të institucioneve shqiptare.

Njëkohësisht raporti thekson se duhet vullnet më i madh politik dhe vë në dukje se si gjyqësori po përpiqet të intimidohet në një farë mënyre; Korrupsioni i nivelit të lartë dhe politik duhet të trajtohet në mënyra më vendimtare, pasi vazhdojnë shenja të konflikteve të forta të interesave publike me ato private. Duhet një vullnet politik më i madh, një strukturim më i fortë dhe gjithashtu resurset e duhura dhe aftësitë për të shkuar tek niveli i mjaftueshmërisë.

Dhe ky këshill kombëtar këtë duhet të diskutojë cilat janë nevojat e institucioneve të reja të luftës ndaj korruspionit, të cilat ne si Kuvend do duhet t’i vëmë menjëherë në dispozicion.

Javë më parë një anketë e OECD renditi se një nga shkaqet madhore për largimin e qytetarëve nga rajoni ishte korrupsioni. Nuk ka shqiptar brenda dhe jashtë kësaj salle që nuk dakordësohet se ky është shkaku themelor për largimin nga vendi i qyetarëve tanë.

Fatkeqësisht sot ky korrupsion, nuk është më korruspion banaqesh që luftohet me shërbime online, për të cilat kam dyshimet e mia për aksesueshmërinë. Por është korrupsion politik, korrupsion me ligje, korrupsion që ka kapur nivelet më të larta të partive politike e parlamentit. Një sëmundje që ka nevojë për ndërhyrje urgjente.

Krimi Organizuar. Vazhdon të mbetet një problem për Shqipërinë, i cili po eksportohet nga rajoni, në vendet e BE e deri në Amerikën latine, që po depërton në jetën ekonomike e financiare të vendit. Dua të përshëndes marrëveshjen me Europol në këtë drejtim (kërkesë e konf të parë) por kjo nuk është e majftueshme.

Fatkeqësisht përpos problematikës së korrupsionit, krimit të organizuar dhe emigracionit (azilkërkuesve) ka dy probleme të tjera që janë vija e kuqe e BE-së. Së pari Amnistia Fiskale dhe së dyti Pasaportat e Arta. Sa i përket shtetësisë, Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve (pasaporta të arta) pasi do të përbënte rrezik përsa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me acquis e BE-së shprehet KE. Raporti shprehet se miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval, mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë, si dhe në luftën kundër pastrimit të parave.

Gjyqësori: Në lidhje me sistemin gjyqësor, megjithë zbatimin e reformës gjyqësore dhe ngritjen e të gjitha strukturave të drejtësisë, KE shfaq problemin e procedurave të gjata, dhe  numrit të madh të çështjeve të mbetura të cilat vazhdojnë të ndikojnë negativisht në efikasitetin e sistemit gjyqësor. Në këtë pikë ne kemi ende probleme me ndërhyrjen e politikës, në jetën e SPAK dhe gjyqësorit.

Unë, jam ende duke pritur që të shoh rezultate gjithnjë e më konkrete pasi e kam të qartë që pandëshkueshmëria është një nga ato plagët e hapura në vendin tonë që nuk po mbyllet.

Drejtësia sot ka detyrimin që të shkëputet politikisht nga pushteti ekzekutiv, sikundër ka dhe detyrën të dëshmojë pavarësinë e saj e mbi të gjitha guximin, për të prekur aty ku duhet edhe kur pushteti është më i fortë.

Nuk dua të bëj moralizëm por dua të flas me fakte. Më vjen keq që ndërsa lexoja emrat e propozuar për disa nga institucionet më të larta të drejtësisë vura re eskpertët, ata që shkruan reformën në drejtësi.

Imagjinoni pak sikur ne këtu të shkruajmë dhe miratojmë ligje apo dhe ndërtojmë institucione ku të emërohemi po ne në krye të tyre. Pra, sikur qëllimi dhe synimi përfundimtar i gjithë kësaj reforme, të ketë qenë vendosja në krye të çdo institucioni, të një prej shkruesve të reformës. A mos votuam një reformë në drejtësi për të shembur një korporatizëm dhe të ndërtojmë një tjetër me figura të reja?

Unë nuk besoj se ky ka qenë as qëllimi i deputetëve, as i atyre që e mbështetën dhe e mbështesin reformën në drejtësi.

Demokracia institucionale është zhbërja e korporatizmit në poste publike dhe e sundimit të një kaste të vogël dhe të perhershme.

Kryeministria, për fatin e keq, është kthyer në kullë të qendërzuar kontrolli, ku një sërë agjensish të cilat i kam denoncuar që ditën e parë që janë krijuar, duke ushtruar kontroll në të drejtën e informimit, të koordinimit të fondeve e të informacionit që marrin qytetarët dhe BE. Kjo transparencë me regji që ka ndodhur aty por dhe në një sërë institucionesh të varësisë, ashtu si thotë raporti, ngre pikëpyetje për standartet e administratës publike, por që fatkeqësisht është një filozofi e mënyrë drejtimi.

Askush nuk i ka harruar “internimet” e gazetarëve apo “rehabilitimet” e tyre që të kujtojnë kohë të padëshirueshme apo dhe “Kështjellën” e Kafkës. Të gjitha këto janë shqetësime, të cilat gjejnë reflektim dhe në raport, ndikojnë në përkeqësimin e situatës së lirisë së shrehjes.

Jo vetëm kaq por edhe sulmi i mediave apo pronarëve të tyre në biznese kur nuk përputhet politika editoriale me dëshirat e qeverisë është po aq problematike, për lirinë e mediave.

Ndërsa flasim, kam dëgjuar që në parlament do të sillet për diskutim dekreti i i famshëm “Ligji Antishpifje”, që është një test i vërtetë për të gjithë aktorët që janë në këtë sallë.

Ironikisht sa më shumë përqëndrohet pushteti, aq më pak ligje përafrojmë me BE! Veç 9 ligje në një vit punë!

Por, tragjedia më e madhe mbetet kur në mungesë të ligjeve në fjalë, qeveria shqiptare ka paraqitur dy nisma që janë qartësisht vija e kuqe e Bashkimit Europian për Shqipërinë.

Së pari, nisma e Pasaportave të Arta që në kushtet e kësaj Shqipërie dhe kësaj qeverisje, do ta kthente vendin në parajsën e parave të pista, krimit të organizuar dhe një rrezik eminent për Bashkimin Europian.

Pasaportat e Arta nuk mund të jetë politika e tërheqjes së investitorëve të huaj pasi ajo në të vërtetë është politika e korruptimit dhe pastrimit të parave në Shqipëri.

Së dyti, më duket shumë e pafalshme që në vitin 2022 raportet vjetore të Bashkimit Europian, të nisin edhe një herë me projektligje që duhet të ishin zhdukur nga qarkullimi; ligji i Amnistisë Fiskale dhe Penale nuk mund të jetë muri pengues i integrimit në BE dhe njëkohësisht trampolina e arsyeve të largimit nga vendi.

Nuk mund të shpëtojmë ekonominë duke incentivuar pastrimin e parave përmes Amnistisë Fiskale. Nuk do të jemi parajsa e Investimeve të Huaja nëse incentivojmë Pasaportat e Arta.

Në të kundërt, do të jemi parajsa e parave të pista dhe gjithashtu streha e radhës e krimit të organizuar.

Kriza ekonomike që po prek edhe vendin tonë me një shpejtësi të madhe do të godasë të ardhurat e ulëta të një shteti ku 30% e qytetarëve jetojnë nën 5 USD/ditë. 

Është detyra jonë, e qeverisë dhe parlamentit, që të fokusohet në krijimin e një tregu të lirë, thithjen e investitorëve të huaj që janë nga vendet partnere, për të rritur nivelin e jetesës.

Raporti i OECD tregon se thuajse 80% e shqiptarëve largohen sepse nuk kanë kushtet e jetesës për një jetë dinjitoze. Paga e ulët vjen sepse tregu është i kapur dhe jo i lirë.

Unë jam shumë e qartë ndërsa shoh se si një vend që nuk promovon konkurencën, meritokracinë dhe pengon mobilitetin social do të përballet me hemorragjinë e trishtë të largimit të qytetarëve të saj.

Shqipëria gjithmonë është vlerësuar për fqinjësinë e mirë dhe për ravijëzimin e politikës së jashtme me partnerët strategjikë; e më lejoni të përshëndes dhe mbështes plotësisht qëndrimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë së OKB si dhe rezolutat e propozuara. Ne, mund të ndahemi për shumëçka mes nesh, por siguria jonë kombëtare dhe unfikimi i qendrimeve tona me partnerin tonë strategjik janë ato çka na bashkojnë.

Padyshim, do të kisha dëshiruar më shumë përpjekje nga ana jonë në lidhje me Kosovën, por situata gjeostratike dhe lufta në Europë ka sjellë prioritete dhe më të mëdha që mund të kenë lënë pasdore Kosovën por që nuk duhet ta lënë atë në harresë.

Ky Këshill Kombëtar i Integrimit mblidhet pak ditë pasi Presidenti ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe kur në Komisionin e Sigurisë është paraqitur një raport top-secret, në lidhje me sulmin kibernetik nga Irani. Më lejoni të shpreh mbështetjen time dhe të forcës politike që përfaqësoj për ndërprerjen e marrëdhënieve me Republikën Islamike të Iranit.

Mirëpo, ne duhet të jemi koshient, se kjo situatë dhe ky dorëzim ka ardhur dhe si pasojë e një keqmanaxhimi të vazhdueshëm të të dhënave personale. Në të vërtetë, askush nuk mund të përdorë sulmin e padrejtë të Iranit për të mbuluar padrejtësinë e shtrirë në vite, ku keqmanaxhimi fondeve, korrupsioni në tendera dhe së fundi abuzimi me të dhënat përmes patronazhistëve kanë hapur një derë që tanimë na e kanë zbuluar edhe vende jomiqësore.

Ashtu si thotë dhe Churchill: ato që nuk mësojnë nga historia janë të dënuar ta përsërisin atë!

E të mos bëjmë gabimet që janë bërë këto 8 vite, e pse jo dhe 30 vitet e fundit në këtë proces dua ta mbyll duke theksuar:

  1. Në mënyrë të vazhdueshme kam këmbëngulur në kërkesën time që procesi i screening të përshpejtohet. Ne jemi kthyer në një banor thuajse permanent i paradhomës, ndaj nxitimi për ta çuar këtë proces më shpejt përpara do të na shpëtojë nga ankthi i të ngelurit në klasë.
  2. Ky proces duhet të jetë ai i qytetarëve, të cilët nuk kanë përse të përdoren si bazeni i sondazheve për politikat e gabuara, por si përfitues të një procesi për të cilin ne duhet të punojmë. Prandaj, mendoj që ju takon ju Znj. Ambasadore, si mbajtëse e këtij portofoli, që ta shtyni qeverinë edhe kur kjo nuk ka dëshirën të ecë në binarët e mirëpërcaktuar të BE-së.
  3. Unë sot jam në këtë pozicion e nesër nuk do të jem, askush nuk është i përjetshëm në politikë. Kjo nuk ka lidhje me indidivdët por ka lidhje me institucionet dhe institucioni i parlamentit është dhe do të jetë përherë i një rëndësie të veçantë në këtë proces, ashtu si dhe përfshirja e opozitës. Ndaj së pari, dua t’ju kërkoj dhe një herë, me shpresën që do të jetë hera e fundit, që ky institucion të informohet për procesin e screening që ka filluar.
  4. Ne duhet të heqim dorë nga heshtja si mjet komunikimi. Do të ishte e udhës dhe e dobishme që për të dy institucionet tona, të kemi një komunikim strategjik për ta kthyer atë më të thjeshtë për qytetarët përfitimet e shumëpritura por edhe kostot që do të duhet të kemi! Ajo çfarë shqiptarët do duhet të kuptojnë është se Bashkimi Europian, ndër të tjera është edhe një mundësi e artë për të kryer biznes, për t’u rritur, për të zgjeruar horizontin e mundësitë. Shqiptarët duhet të kuptojnë se arsimi, diplomat, tregu, punësimi do jenë mundësi reale ashtu si dhe ky proces do të ketë pengesa e rezistencë, e duhet ta bëjmë sa më transparent qe rezistenca për ndryshim, të jetë vec nga frika e transformimit e jo nga aftësia e mundësia për tu rritur.

Ka një arsye të trishtë që lexoj në sytë e atyre që takoj dhe që duan të ikin. Ata jo se nuk besojnë tek Bashkimi Europian, pasi shifrat tregojnë që kërkojnë azil atje, por këta shqiptarë nuk besojnë se ne mund të ndërtojmë një Shqipëri më të mirë, më të ndershme, më konkuruese. Prandaj, detyra jonë nuk është të fshihemi e as të justifikojmë largimet.

Detyra jonë është që të ndërtojmë Europën këtu, jo me slogane, jo me videoklipe por me zbatimin e atyre kërkesave themelore të lirisë së tregut, kapitalit, barazisë përpara ligjit dhe meritokracisë.

Jam shumë e bindur që procesi i integrimit është një shans që nuk duhet humbur për “brain gain”. Një mundësi e jashtëzakonshme që pasurinë e madhe që e kemi humbur gjithë këto vite, ta rikthejmë sërish këtu.

Që të ndërtojmë një shoqëri ku meritokracia, mobiliteti social dhe konkurenca të jenë bazat, ne duhet të luftojmë që çdo nismë ligjore të jetë në përputhje me parimet dhe vlerat e një demokracie institucionale.

Ka ardhur koha të punojmë më shumë se sa të propagandojmë! Ka ardhur koha të ndryshojmë, ne të parët në këtë sallë e institucionet që ne përfaqësojmë!

Prezantimi i progres-raportit të Bashkimit Europian, Balla: Është më i miri që ka pasur vendi ndonjëherë!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.