EKONOMI

Bizneset që shitën dhe blenë aksione në 2021-2022!

07:44 - 24.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Transaksionet e shitblerjes kanë qenë të pakta në numër mes sipërmarrjeve shqiptare, ndërsa hyrjet e investitorëve të huaj kanë munguar edhe në vitin 2021.




Bizneset shqiptare, në pjesën më të madhe të tyre, janë familjare. Mbiemrat e njëjtë mbizotërojnë në strukturën e pronësisë së kompanive të mëdha dhe të Bordeve të Këshillave Mbikëqyrës për shoqëritë aksionere.

Si rrjedhojë, edhe lëvizjet për shitblerjet e aksioneve janë të ulëta. Kryesisht ato janë kalime aksionesh mes bashkëshortësh, apo nga prindërit te fëmijët.

Një raport i mëparshëm i “Monitor” gjeti se vetëm 15% e aksionerëve më të rinj të 130 bizneseve më të mëdha me kapital shqiptar në vend janë më të rinj sesa 42 vjeç dhe pjesa më e madhe e tyre i kanë aksionet e trashëguara nga prindërit.

Prindërit nuk nxitojnë t’ua lënë aksionet fëmijëve të tyre, nga frika se mos nxisin parazitizmin tek ata dhe nuk i motivojnë në jetë që të ecin përpara.

Nga ana tjetër, biznesi është familjar dhe ka filluar nga zero, por kontribut kanë dhënë dhe vëllezërit, kushërinjtë apo miqtë, ndonëse në letra, pronësia figuron vetëm në një person. Ndaj një kalim trashëgimie do të krijonte probleme dhe hatërmbetje mes disa personave që mund të kishin pretendime për të njëjtën pronësi.

-Transaksioni më i madh në 2021-2022 është hyrja në treg e operatorit hungarez “4iG”, që bleu fillimisht “ALBtelecom” dhe më pas ONE, të dy me aktivitet në telefoninë celulare, ndërsa “ALBtelecom” edhe në atë fikse. Kompania “4iG Albánia Korlátolt Felelössegü Társaság” nga 26 prilli 2022 zotëron 80.27% të “ALBtelecom” (pjesa tjetër zotërohet nga qeveria shqiptare dhe individë).

Kontributi në para për blerjen e aksioneve ishte 14.6 miliardë lekë, ose 122 milionë euro, sipas të dhënave në QKB. Në mars, 4iG Plc finalizoi blerjen e 99.899% të aksioneve indirekte të “One Telecommunications” (ONE), nëpërmjet shoqërisë holding “Albania Telecom Invest” (ATI). Transaksioni për blerjen e ONE është regjistruar në Bullgari, vendi i origjinës së “Albania Telecom Invest”.

-Në fund të vitit 2021 u njoftua se “Alpha Bank” (ACBr.AT), një nga katër bankat më të mëdha të Greqisë, ka rënë dakord të shesë njësinë e saj shqiptare tek “OTP Bank” e Hungarisë (OTPB.BU). “OTP Bank” do të paguajë 55 milionë euro (62.05 milionë dollarë) për të blerë 100% të aseteve, tha “Alpha Bank”. Në korrik 2022, Banka e Shqipërisë miratoi në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës blerjen e “Alpha Bank Albania” nga grupi hungarez OTP.

-Në mars 2021, operatori me shumicë i tregtimit të naftës, “Genklaudis” përthithi me bashkim “Gega Oil”, me të njëjtin aktivitet dhe pjesë e të njëjtit grup.

Sipas aktit të bashkimit me përthithje, motivi kryesor është grupimi i forcave dhe mjeteve të punës për mbarëvajtjen e aktivitetit, në funksion të rritjes së përfitueshmërisë, uljes së kostos, përballimit të konkurrencës. Pas realizimit të përthithjes, “Genklaudis” ka ndryshuar emrin në “Gega Oil”.

-Në prill të vitit 2021, Mimoza Çobo, aksionere e 100% të sipërmarrjes “Denisa”, me aktivitet në shitje me shumicë dhe pakicë dhe përpunimin e materialeve të ndryshme të drurit u ka kaluar tre vajzave nga 10% të aksioneve, duke zbritur në kuotën e 70%.

-Në prill të vitit 2022, Shefqet Kastrati, i cili zotëronte 100% të aksioneve të kompanisë së tregtimit me pakicë të karburanteve, “Kastrati sh.p.k.”, pjesë e “Kastrati Group”, kompanisë më të madhe private në vend, ka transferuar 35% të kapitalit, konkretisht 20% te Shefit Kastrati, 5% te Bilbil Kastrati, 5% te Haredin Kastrati dhe 5% te Selam Kastrati. Shefqet Kastrati vijon të zotërojë 100% të “Kastrati Group”.

-Më 1 dhjetor 2020 ka filluar procesi i përthithjes së shoqërisë “Singapore Europe Real Estate (S.E.R.E)” nga shoqëria “Mane TCI”. Marrëveshja finale për bashkimin me përthithje ndërmjet palëve u firmos më 5 janar 2021, ndërsa procesi u finalizua në 11 janar 2021.

-Në korrik të vitit 2022, 50% të aksioneve që Fation Veizaj zotëronte te shoqëria e tregtimit të hidrokarbureve, “RDA Petrol” kanë kaluar tek aksioneri Evis Latifaj. Tashmë të dy ortakët zotërojnë nga 50% secili. Kontributi në para ishte 55 milionë lekë (rreth 460 milionë euro).

-Në qershor të vitit 2021, Besnik Sula ka shitur 22% të kuotave që kishte te “TAIVAN PARK CENTER-TPC”, e cila ka licencën e kazinosë, te Skënder Sulaj. Ky i fundit rriti përqindjen në kapital në 49%, nga 27% që e kishte më parë./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.