AKTUALITET

Peshkimi ‘no money’ i dashur shqiptar

16:24 - 30.10.22 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Nuk ka money! Nuk ka money!”, – përgjigjet Aimen, kapiteni nga Egjipti kur e pyet se si shkon aktiviteti i peshkimit në Portin e Durrësit.




Me shumë pozitivitet, bashkë me kolegun e tij, po nga Egjipti, Omar, ata tregojnë për Gazetasi.al detaje nga puna e tyre në anijet shqiptare të peshkimit, që në fakt duket më mirë se në Egjipt, por më keq së në Shqipërinë e një viti më parë. Dhe për këtë Aimen fajëson naftën.

“Nafta na rëndoi. Kostot janë rritur dhe fitimi është ulur nga një vit më parë. Shumë para shkojnë vetëm për naftën. Para një viti, fitonim shumë më shumë, tani 1.000-2.000 euro në muaj”, flet qetësisht Aimen, me një anglishte të qartë dhe shqipe të çalë.

Nafta vs peshkatarët

Aimen tregon se në eksperiencën e tij prej më shumë se 1 viti në Shqipëri, të zotët e anijes, nuk kanë bërë asnjë ndërhyrje në anije apo mirëmbajtjen e saj, sepse kostot janë të larta dhe ata duhet të paguajnë vetë për çdo ndryshim.

Të njëjtën gjë thotë edhe Vangjeli, kapiten i anijes “Dy vëllezërit”, po në Portin e Durrësit.

“Nuk janë bërë ndërhyrje. Askush nuk i bën, përveç atyre që mund të kenë marrë ndonjë ndihmë (nga skemat shtetërore). Shkon 10-15 mijë euro dhe ata e shtynë sa më shumë të munden, deri sa anija të mos jetë më në gjendje për të lëvizur.

Vani, siç e thërrisnin kolegët e tij, fajëson përsëri naftën, që në fakt vendimi i qeverisë për të unifikuar çmimin e saj për peshkatarët e ka rritur me rreth 40 lekë. “Më parë e merrnim me 100-120 lekë, tani 140 lekë.”

Ai shpjegon se si që kur nafta u shtrenjtua, është përgjysmuar fitimi në këtë aktivitet. “Një rrugë kërkon 3 mijë litra naftë, rreth 4 milionë lekë (të vjetra), vetë anija mund të nxjerrë vetëm 5 milion lekë fitim. Kështu, nuk do të ketë as fuqi punëtore sepse ulet fitimi dhe paga. Gjithsesi ka edhe ditë të mira”, -tregon ai për Gazetasi.al.

Marinarët, punonjësit e markatës dhe të vetë Portit, u dakordësuan në faktin se peshkimi nuk është  në momentin e vet më të mirë. Përpos naftës dhe fuqisë punëtore, kërkesa dhe çmimi për produktet e detit është në rënie. Ka ditë që anijet nuk dalin fare të peshkojnë, sepse magazinat janë plot me produkt të pashitur.

Zgjerimi i kapaciteteve

Në të majtë të anijeve të peshkimit mund të shohësh katër eskavatorë dhe dhjetëra punonjës të veshur me jelek të verdhë. Ata po jetëzojnë projektin e shtimit të kapaciteteve të ankorimit aty. Projekt që synon të shtojë me 200m hapësirën e ankorimit të anijeve. “Pak vend është, por disa do t’i ndihmojë”, – përgjigjet me ngut njëri nga punonjësit përtej zonës ku po kryhen punimet.

Kapiteni i “Dy vëllezërve”, thotë se hapësira e shtuar nuk do të ndihmojë më shumë se 10 anije, kur një pjesë shumë e madhe janë ende në portin e vjetër të peshkimit, sepse tek i riu nuk ka hapësirë.

“E vuajmë shumë. Nuk ka distancë dhe mezi qëndrojnë. Kur nis erë dhe stuhi bëhet shumë e vështirë ankorimi i tyre. Këtu është plot, një pjesë tek porti i vjetër dhe sa të tjera janë në det”, – tregon ai. Midis anijeve të peshkimit dhe eskavatorëve, është Denisi, një durrsak që peshkon për kënaqësi dhe qetësinë e tij. Prej disa kohësh në këtë aktivitet, në të njëjtin vend, Denisi thotë se nuk ka parë asnjëherë asnjë ndryshim në port dhe as nuk pret të shohë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.