Kryesore

Zbulohet formula e bashkëpunimit për zgjedhjet vendore/ Negociatorët e Berishës dhe Alibeajt takohen në Parlament, zbardhet takimi mes tyre!

11:42 - 01.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Edi Paloka dhe Gazment Bardhi u takuan mbrëmjen e djeshme në kafen e Parlamentit për të diskutuar rreth formulës së bashkëpunimit të dy grupimeve të demokratëve për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023. Gjatë diskutimit mësohet se Paloka ka pranuar pjesërisht propozimet e bëra nga i mandatuari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi.




PLATFORMA

Platforma e bashkëpunimit e hartuar nga Bardhi e që i ishte vendosur në dispozicion më herët Palokës dhe dje në mesditë iu prezantua deputetëve të grupit “Alibeaj”, parashikonte ngritjen e një këshilli politik në nivel qendror të Partisë Demokratike dhe në nivel vendor. Këshilli politik do të përbëhet nga anëtarë të përbashkët. “Ngritjen e Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror dhe në nivel të çdo njësie vendore, me përgjegjësi kryesore krijimin e frymës së bashkëpunimit mes demokratëve dhe garantimin e fitores së Partisë Demokratike.

Këshilli Drejtues Politik siguron përfaqësimin e barabartë gjithëpërfshirës në nivel qendror e lokal dhe është përgjegjës për të garantuar zbatimin e këtyre parimeve të bashkëpunimit. Përbërja e Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror caktohet me mirëkuptim dhe frymë konsensuale”, thuhet në pikën dy të draftit të Gazment Bardhit. Ndërkohë, në pikën tre detajohet sesi do të përbëhet përzgjedhja e kandidatëve. Gazment Bardhi kërkon t’u japë sërish peshën kryesore organeve qendrore. Sipas propozimit të tij, çdo kandidat që do të bëhet pjesë e garës do duhet të marrë mbështetje unanime të këshillit politik qendror.

Më pas 50% të vlerësimit do ta bëjë anëtarësia me primare dhe 50% nga rezultati i sondazheve. “Përzgjedhjen e një kandidati të përbashkët fitues që përfaqëson gjithë Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe çdo zë opozitar në njësitë përkatëse vendore. Përzgjedhja e kandidatit të përbashkët fitues për kryetar bashkie bëhet me ‘sistem pikëzimi’ dhe shpallet nga Këshilli Drejtues Politik. Në këtë sistem përfshihen 50 % e pikëve nga votimi sipas parimit “‘një anëtar / 1 votë’ dhe 50 % e pikëve nga ‘vrojtimi i opinionit të gjerë publik’ nëpërmjet sondazheve.

Pas konsultimit dhe marrjes së propozimeve nga anëtarë të Partisë Demokratike apo flukse të tjera opozitare, kandidatët që përfshihen në procesin e vlerësimit propozohen nga Këshilli Drejtues Politik në nivel vendor dhe miratohen me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik në nivel qendror. Rregullat e detajuara për zbatimin e “sistemit të pikëzimit” përcaktohen me unanimitet në Këshillin Drejtues Politik në nivel qendror brenda një jave nga nënshkrimi i këtij dokumenti. Drejtimi i proceseve në njësitë vendore bëhet me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik në nivel vendor. Në rast mosmarrëveshje, Këshilli Drejtues Politik në nivel qendror ushtron ‘të drejtën e ndërhyrjes’”, thuhet në pikën tre të platformës. Por, në këtë pikë, Paloka në takimin e djeshëm me Bardhin, i ka dhënë opsionin e tij.

Ai është shprehur se nuk është nevoja që të krijohen këshillat politikë, pasi aktualisht PD ka shtabet zgjedhorë dhe grupimi i Alibeajt mund të ketë përfaqësuesit, si në shtabin qendror, ashtu edhe në atë vendor për të ndjekur procesin. Ndërkohë, sa i përket formulës me primare dhe sondazhe, Paloka është shprehur se çështja e sondazheve kushton për shkak se kostoja e tyre shkon qindra mijëra euro. Po ashtu, Paloka nuk ka pranuar edhe kushtin e kalimit të kandidaturave vetëm me votë unanime. Sipas Palokës, ky është një mekanizëm që mund të sjellë në bllokim të procesit. Ndërkohë, Gazment Bardhi ka kërkuar sërish kohë që sot në orën 15:00 të informojë grupin që e ka mandatuar dhe të vendosin. Ndërkohë, burime nga mbledhja e djeshme e Grupit të PD-së në kryesinë e Kuvendit bënë me dije se deputetët Kreshnik Çollaku, Lefter Gështenja dhe Enkelejd Alibeaj kanë qenë kundër formulës. Mësohet se Allibeaj e Çollaku janë shprehur se platforma e Gazment Bardhit do të thotë ulje koke para Berishës, për të cilën Alibeaj mësohet të jetë shprehur se nuk do ta bëjë.

ISH-KRYEMINISTRI: DUHET TË JETË MILIONERE PARTIA QË BËN SONDAZHE

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh dje se nuk është dakord që të zhvillohen sondazhe në të gjithë vendin ose në 50 % të zonave në vend të “Primareve”. Komentet Berisha i bëri në “Euronews” pas deklaratave të Bardhit, ku tha se as paratë nuk dalin për të realizuar një gjë të tillë. Ai shtoi se zgjidhja do të gjendet dhe sipas tij, grupi i Alibeajt ka mundësinë të dalë edhe si fraksion më vete.

“Te primaret ne nuk lëvizim. Sepse ‘Primaret’ janë ato që sjellin ndryshimin rrënjësor. Duhet të jetë milionere ajo forcë politike që të bëjë polle në gjithë Shqipërinë sepse nuk kemi para. Në qoftë se përcakton vota, përcakton vota. Minimumi 1 milion euro. Urdhëro bëjmë polle aty ku mund të bëjmë, por ‘Primaret’ duhet të respektohen. Nuk mund të them që një poll është i barasvlershëm me votën se përndryshe nuk bëheshin zgjedhje pastaj. Mundet që Edi Paloka të ketë bërë propozimet e tij, por nuk mundet që polli të zëvendësojë votën. Unë jam i bindur që gjendet rruga. Po the unanimitet. e bllokove. Këtu s’ka asgjë kundër tyre në thelb. Por ata mund të dalin edhe si fraksion edhe unë do t’i respektoj ata.

PLATFORMA E BASHKËPUNIMIT

Nisur nga situata e brendshme e Partisë Demokratike të Shqipërisë, që ka sjellë një përplasje opinionesh dhe mendimesh për çështje të ndryshme: Me synimin e vetëm të unifikimit të çdo zëri opozitar në zgjedhjet lokale dhe përfaqësimin në këto zgjedhje me vetëm një kandidat të përbashkët fitues për kryetar bashkie dhe një listë të unifikuar të kandidatëve të Partisë Demokratike për këshillin bashkiak;  Është rënë dakord sa më poshtë vijon:

  1. Ndasitë në mendime dhe qëndrime për çështje të ndryshme brenda Partisë Demokratike nuk duhet të pengojnë bashkëpunimin e demokratëve në nivel lokal për zgjedhjet vendore. Për këtë qëllim, duke respektuar mendimin e cilitdo për zhvillimet dhe çështjet e ndryshme brenda Partisë Demokratike, angazhohemi të krijojmë frymën e nevojshme të bashkëpunimit dhe fitores së zgjedhjeve lokale nga Partia Demokratike, duke ndërprerë dhe dënuar çdo sulm, shpifje apo gjuhe urrejtje ndaj mendimit ndryshe brenda partisë.
  2. Ngritjen e Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror dhe në nivel të çdo njësie vendore, me përgjegjësi kryesore krijimin e frymës së bashkëpunimit mes demokratëve dhe garantimin e fitores së Partisë Demokratike. Këshilli Drejtues Politik siguron përfaqësimin e barabartë gjithëpërfshirës në nivel qendror dhe lokal, dhe është përgjegjës për të garantuar zbatimin e këtyre parimeve të bashkëpunimit. Përbërja e Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror caktohet me mirëkuptim dhe frymë konsensuale.
  3. Përzgjedhjen e një kandidati të përbashkët fitues që përfaqëson gjithë Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe çdo zë opozitar në njësitë përkatëse vendore. Përzgjedhja e kandidatit të përbashkët fitues për kryetar bashkie bëhet me “sistem pikëzimi” dhe shpallet nga Këshilli Drejtues Politik. Në këtë sistem përfshihen 50 % e pikëve nga votimi sipas parimit “një anëtar / 1 votë” dhe 50 % e pikëve nga “vrojtimi i opinionit të gjerë publik” nëpërmjet sondazheve. Pas konsultimit dhe marrjes së propozimeve nga anëtarë të Partisë Demokratike apo flukse të tjera opozitare, kandidatët që përfshihen në procesin e vlerësimit propozohen nga Këshilli Drejtues Politik në nivel vendor dhe miratohen me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik në nivel qendror. Rregullat e detajuara për zbatimin e “sistemit të pikëzimit” përcaktohen me unanimitet në Këshillin Drejtues Politik në nivel qendror brenda një jave nga nënshkrimi i këtij dokumenti. Drejtimi i proceseve në njësitë vendore bëhet me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik në nivel vendor. Në rast mosmarrëveshje Këshilli Drejtues Politik në nivel qendror ushtron “të drejtën e ndërhyrjes”.
  4. Përzgjedhja e kandidatëve të Partisë Demokratike për anëtarë të Këshillave Bashkiakë garanton përfaqësimin proporcional të të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike. Përzgjedhja bëhet me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik.
  5. Fushata zgjedhore drejtohet nga kandidati për Kryetar Bashkie në çdo njësi vendore, në bashkëpunim me Këshillin Drejtues Politik, që përbën Shtabin e Fushatës Zgjedhore në nivel qendror dhe vendor.
  6. Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror dhe vendor pas konstituimit të tyre i bashkohen edhe përfaqësues të partive parlamentare të tjera opozitare./panorama.com.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.