EKONOMI

Sektori bankar me fitim rekord për 9-mujorin, por ekspertët parashikojnë ngadalësim!

07:20 - 04.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sektori bankar e ka mbyllur 9-mujorin e këtij viti me rezultatin më të lartë historik. Të dhënat paraprake të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) tregojnë se fitimi i sektorit arriti vlerën e 19.1 miliardë lekëve, në rritje me 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.




Rritja e fitimeve është shoqëruar edhe me përmirësim të ndjeshëm të treguesve të rentabilitetit. Kthimi nga kapitali, mesatarizuar me bazë vjetore, në fund të 9-mujorit arriti në 14.66%, nga 9.01% që raportohej në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe kthimi nga aktivet është përmirësuar në 1.4%, nga 0.96% që kishte qenë për 9-mujorin e vitit 2021. Megjithatë, ekspertët e sektorit shprehen se një rezultat më realist për performancën e sektorit bankar do të duket në publikimin e të dhënave të plota vjetore, të audituara.

Deri tani, luhatjet në treguesit e performancës janë ndikuar kryesisht nga rritja e normave të interesit dhe yield-eve të instrumenteve financiare. Për të minimizuar këtë ndikim, disa banka gjatë vitit kanë bërë zhvendosje të instrumenteve midis klasave “të mbajtura deri në maturim” dhe të vlefshme për shitje”, zhvendosje që për nga plotësimi i kritereve për riklasifikim, do të jenë subjekt i vlerësimit nga auditët e jashtëm në bilancet finale vjetore.

Nga ana tjetër, deri tani bilancet e sektorit bankar nuk reflektojnë efekte të krizës së çmimeve në cilësinë e protofolit të kredisë. Raporti i kredive me probleme ngelet në nivelet më të ulëta të 14 viteve të fundit, në nivelin 5.2% (sipas standardeve të bankës së Shqipërisë). Bankat deri tani nuk duket të kenë rritur provigjionet për kreditë me probleme dhe kjo reflektohet në rezultatin e lartë financiar. Megjithatë, ekspertët janë të mendimit se rezultatet finale vjetore sipas standardeve IFRS do të duhet të reflektojnë pritshmëritë e përkeqësimit të situatës së përgjithshme makroekonomike në modelet e provigjionimit të kredive. Kjo pritet të rezultojë me një rritje të fondeve rezervë për humbjet nga huatë dhe me një rritje më të vogël të fitimeve gjatë tremujorit të fundit.

11 banka janë me fitim: OTP, Union Bank dhe BKT me kthimet më të larta

Nga 12 banka të sektorit, 11 prej tyre rezultonin me fitim në fund të 9-mujorit të parë.

Në vlerë absolute, fitimin më të larta vazhdon të ketë banka më e madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare. Për 9-mujorin BKT raportoi një fitim prej 8.3 miliardë lekësh, në rritje me 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pas BKT, e dyta me diferencë të konsiderueshme renditet Raiffeisen, që raporton një fitim neto prej 3.3 miliardë lekësh, në rritje me 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vijon OTP Albania, me një fitim neto në vlerën e 2.25 miliardë lekëve, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tre bankat e tjera që kanë raportuar fitime sipër kufirit të 1 miliardë lekëve janë Banka Amerikane e Investimeve (1.2 miliardë lekë), Union Bank (1.06 miliardë lekë) dhe Banka Intesa Sanpaolo Albania (1.05 miliardë lekë), të gjitha në rritje krahasuar me rezultatin e të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Renditja e fitimeve vijon me Tirana Bank, me 673 milionë Lekë, Credins Bank, me 665 milionë Lekë, Fibank, me 588 milionë lekë, Banka e Bashkuar e Shqipërisë, me 132 milionë Lekë dhe ProCredit Bank, me 97 milionë Lekë. Alpha Bank Albania ende nuk i ka raportuar të dhënat e tremujorit të tretë, ndërsa deri në fund të 6-mujorit kishte një rezultat me humbje në vlerën e 175 milionë lekëve. Sidoqoftë, nga 1 janari 2023 Alpha Bank do të shkrihet me OTP Albania, duke bërë që humbjet e mundshme të përthithen nga banka e grupit hungarez.

Nëse i krahasojmë rezultatet e bankave në terma realtivë të kthimit nga kapitali i investuar

kthimit nga kapitali aksioner (RoE) banka më fitimprurëse rezulton OTP Albania, me një nivel kthimi në masën 29.17%. Vijon Union Bank, me 22.41%, BKT, me 22.01%, Fibank, me 19.35%, ABI Bank me 16.05%, UBA, me 15.88%, Raiffeisen, me 15.04%. Bankat e tjera, me përjashtim të Alpha Bank, raportojnë kthime pozitive në nivele njëshifrore. /monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.