![GSH APP](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/gshok.jpg)
![Download on Apple Store](https://balkanweb.com/wp-content/uploads/2019/01/ios.jpg)
![Get it on Google Play](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/android-app.png)
Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të hënë në lidhje me situatën e krijuar në veri të Kosovës për shkak të mospritjes mirë nga rezidentët serbë të implementimit të marrëveshjes së reciprocitetit nga qeveria e Albin Kurtit.
Përmes një deklarate në rrjetet sociale, i pari i qeverisë bën me dije se Shqipëria u bashkohet qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së mbi çështjen, teksa thekson se “Autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe dhe unë e mirëkuptoj këtë”.
Kryeministri Edi Rama në Twitter:
Po e ndjekim me vëmendje të madhe e shqetësim të vërtetë situatën e acaruar në Kosovë dhe bashkohemi me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë SHBA&BE Ndërkohë që mbështesim plotësisht idenë themelore të Planit Franko-Gjerman bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe DIALOG
Autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe dhe unë e mirëkuptoj këtë! Por i mirëkuptoj edhe aleatët kur e kërkojnë këtë me “forcë”! Prandaj duhet kërkuar një DIALOG I PALODHUR me Serbinë për të mos humbur edhe aleatët!
Më herët, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se presidenti serb Aleksandër Vuçiç, është kundër planit franko-gjerman për paqen mes dy vendeve. Komentet Kurti i ka bërë teksa ka dalë sot në një konferencë për mediat, pas situatës së krijuar në veri të vendit.
Ai shtoi se Vuçiç koordinohet për gjithçka me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, ndërsa gënjen dhe zhgënjen SHBA-të dhe BE-në.
“Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ia kanë bërë propozimit të Parisit dhe të Berlinit. Janë intensifikuar kërcënimet dhe përpjekjet e Vuçiçit për destabilizimin e situatës në vendin tonë dhe këto kërcënime janë praktikisht të orientuara në drejtim të qytetarëve të vendit tonë nëpërmjet ngjalljes së frikës dhe panikut.
Kjo tregon qartë që presidenti i Serbisë koordinohet me Rusinë e Kinën ndërsa gënjen e zhgënjen SHBA-në dhe BE-në. Institucionet po vazhdojnë me realizimin e lehtësuar të procesit të regjistrimit të targave ilagele në ato RKS – të shtetit tonë të pavarur, përfshirë edhe zbatimin e sekuencuar të vendimit të fundit të Qeverisë të datës 28 tetor 2022”, ka theksuar Kurti.