EKONOMI

Bankat do të raportojnë në mënyrë të detajuar për portofolin e tyre të kredive për pasuri të paluajtshme!

07:14 - 09.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Banka e Shqipërisë ka përgatitur një projektrregullore “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi huadhënien dhe investimet për pasuri të paluajtshme” nga bankat dhe institucionet financiare që kanë në portofolin e tyre hua për pasuri të paluajtshme.




Qëllimi i rregullores është të standardizojë mënyrat se si institucionet financiare përcaktojnë, monitorojnë dhe raportojnë treguesit për standardet e huadhënies dhe për ekspozimet e tyre në prona të paluajtshme, si edhe përdorimi i këtyre të dhënave për efekt të zbatimit të kërkesave të kuadrit makroprudencial të mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë.

Në rastin e huave për pasuri të paluajtshme rezidenciale, subjektet huadhënës duhet të sigurojnë detajimet dhe klasifikimet e nevojshme të të dhënave për çdo hua të tillë, në mënyrë që të identifikojnë dhe të monitorojnë treguesit e ekspozimit të tyre, ndaj tregut të pasurive të paluajtshme rezidenciale, që përfshijnë të paktën disa tregues.

Subjektet duhet të raportojnë flukset e huave për pasuri të paluajtshme rezidenciale, duke përfshirë ato ku prona do të banohet nga huamarrësi, do të blihet për t’u lëshuar me qira; ato ku huaja ka normë interesi të fiksuar, apo ato ku huaja ka normë interesi të ndryshueshme; dhe ato ku huaja ka forma të ndryshme të amortizimit të saj. Raportimi sipas detajimit të mësipërm duhet të bëhet gjithashtu edhe për stokun e huave për pasuri të paluajtshme rezidenciale.

Gjithashtu, bankat dhe institucionet e tjera financiare duhet të raportojnë rregullisht stokun e huave me probleme për pasuri të paluajtshme rezidenciale, edhe në këtë rast të detajuar sipas qëllimit të përdorimit nga huamarrësi, llojit të interesit të aplikuar dhe formës së amortizimit.

Subjektet huadhënës duhet të sigurojnë detajimet dhe klasifikimet e nevojshme për çdo hua të tillë në mënyrë që të identifikojnë dhe monitorojnë një listë me tregues të standardeve të huadhënies, që shërbejnë për monitorimin e rreziqeve.

Këta tregues, për fluksin e këtyre huave, përfshijnë të paktën raportin e huasë ndaj vlerës së pronës, në disbursim, raportin e vlerës së huasë ndaj të ardhurave, raportin e borxhit ndaj të ardhurave, raportin e shërbimit të huasë ndaj të ardhurave, raportin e shërbimit të përshtatur të huasë ndaj të ardhurave, raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave, raportin e shërbimit të përshtatur të borxhit ndaj të ardhurave, afatin e maturimit të huasë, etj.

Në rastin e huave për shtëpi që blihen për t’u lëshuar me qira, subjektet huadhënës duhet të realizojnë klasifikimet e nevojshme në mënyrë që të identifikojnë më vete këtë kategori dhe të monitorojnë disa tregues shtesë për këtë segment, ku përfshihen të paktën dhe raporti i mbulimit të interesit dhe raporti i vlerës së huasë ndaj qirasë.

Për stokun e huave për pasuri të paluajtshme rezidenciale, subjektet huadhënës duhet të sigurojnë detajimet dhe klasifikimet e nevojshme në mënyrë që të identifikojnë dhe monitorojnë të paktën këta tregues të standardeve të huadhënies:

-mesataren e ponderuar të raportit të vlerës së huasë ndaj vlerës të pronës për tepricën e përgjithshme të huave për pasuri të paluajtshme rezidenciale dhe shpërndarjen e vlerave të këtij raporti në segmente me gjerësi prej 10 pikë përqindjeje; vlerën në lek dhe numrin e kontratave të huave për segmentet e shpërndarjes së vlerave të raportit;

-mesataren e ponderuar të raportit të vlerës të huasë ndaj vlerës të pronës për tepricën e huave ku prona përdoret për banim nga zotëruesi dhe shpërndarjen e vlerave të këtij raporti në segmente me gjerësi prej 10 pikë përqindjeje; vlerën në lek dhe numrin e kontratave, të huave për prona për segmentet e shpërndarjes së vlerave të raportit.

Një raportim të ngjashëm dhe të veçantë, bankat dhe institucionet financiare duhet të bëjnë edhe për kredinë e dhënë me qëllim financimin e pasurive të paluajtshme tregtare.

Subjektet huadhënës duhet të miratojnë një dokument të brendshëm i cili përfshin administrimin e rrezikut që lind nga veprimtaria e huadhënies për pasuritë e paluajtshme rezidenciale dhe tregtare përcaktimit të niveleve kufi në treguesit e standardeve të huadhënies, të parashikuara në rregullore.

Në rastin kur është Banka e Shqipërisë që i shpall nivelet kufi në vlerat e treguesve të standardeve të huadhënies, subjekti huadhënës duhet t’i zbatojë këto vlera kufi në afatet dhe në mënyrën e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë.

Për treguesit që mbështeten në flukset e kredisë, institucionet financiare duhet të raportojnë me bazë tremujore, ndërsa për treguesit që mbështeten tek stoku i kredisë raportimi do të bëhet me bazë vjetore, me përjashtim të rasteve kur Banka e Shqipërisë mund të kërkojë një përditësim më të shpeshtë.

Bankat parashikohet që të fillojnë raportimin mbështetur në kërkesat e kësaj rregulloreje duke filluar nga muaji mars i vitit 2023./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.