EKONOMI

Rritja e interesave/ Yield-i mesatar i obligacioneve 5-vjeçare arrin në 7.69%!

07:09 - 10.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministria e Financave zhvilloi këtë javë rihapjen e ankandit të obligacioneve referencë 5-vjeçare, që konfirmoi tendencën në rritje të shpejtë të yield-eve të instrumenteve të borxhit qeveritar.




Të dhënat tregojnë se yield-i maksimal i pranuar në ankand arriti në 7.98%, ndërsa yield-i mesatar i ponderuar në 7.69%. Ankandi fillestar i këtyre instrumenteve ishte zhvilluar më datë 23 mars të këtij viti, vetëm një ditë para se Banka e Shqipërisë të niste ciklin e rritjeve të normës bazë të interesit.

Në atë rast, yield-i mesatar dhe kuponi i obligacionit kishin rezultuar në nivelin 3.32%. Në më pak se tetë muaj, yield-i i të njëjtave instrumente në rihapje është rritur me 4.37 pikë ose 132% në raport me ankandin fillestar. Kjo dëshmon qartë përmasën e madhe të rritjes së normave në tregun e brendshëm financiar.

Në periudhën mars-nëntor, Banka e Shqipërisë ka rritur pesë herë normën bazë të interesit me gjithsej 2.25 përqindje. Sinjalet e politikës monetare dhe inflacionit të lartë po përcillen qartë në kthimet e kërkuara nga investitorët për të financuar borxhin e qeverisë, por edhe në të gjitha normat e tjera të interesit brenda tregut financiar.

Megjithëse rritja e normave ka qenë më e theksuar në instrumentet e borxhit afatshkurtër, tendenca e yield-it të obligacioneve 5-vjeçare dëshmon një efekt të fortë edhe në instrementet afatgjatë.

Në fakt, ankandi i kësaj jave ishte i pari pas rritjes së fundit të normës bazë të interesit, që u vendos nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë më datë 2 nëntor. Efekti i kësaj lëvizjeje u reflektua qartë në kurbën e yield-it të këtyre instrumenteve, por një ndikim shtesë në këtë rritje po jep edhe paqëndrueshmëria e kërkesës dhe pjesëmarrja e ulët e investitorëve në ankande.

Nga 4 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga qeveria shqiptare, në ankande u paraqitën kërkesa totale për vetëm 2.22 miliardë lekë, ndërsa Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) pranoi rreth 2.12 miliardë lekë. Yield-i maksimal i kërkesave që nuk u pranuan arrinte deri në 8.05%.

Obligacionet 5-vjeçare janë pjesë e projektit të titujve referencë, që MFE e zhvillon në bashkëpunim me pesë banka tregtare në vend. Pjesëmarrja në ankandet e titujve referencë mund të zhvillohet vetëm nëpërmjet bankave pjesëmarrëse në projekt, që kanë titullin e Zhvilluesve të Tregut.

Titujt referencë (benchmark) gëzojnë likuiditet më të lartë se emetimet e zakonshme, për shkak të detyrimit që kanë Zhvilluesit e Tregut për të kuotuar çmime blerjeje dhe shitjeje në tregun sekondar, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e lidhur me MFE. Në këtë projekt përfshihen emetimet e fundit të obligacioneve 3, 4 dhe 5-vjeçare.

Kuotimi ditor i yield-it për tregtim sekondar iu jep këtyre instrumenteve tipare më likuide, por njëkohësisht mundon edhe vlerësimin e një çmimi më të drejtë, që mund të jetë i dobishëm gjithashtu edhe për të orientuar investitorët në rihapjet e ankandeve. Në fakt, pas ankandit të ndjeshëm, yield-i mesatar i këtyre instrumenteve në tregyun dytësor u rrit ndjeshëm në 7.85%, nga 7.14% që kishte qenë një ditë më parë.

Inflacioni nuk po jep ende shenja rënieje dhe gjatë muajit tetor shënoi nivelin 8.3%, një rekord i ri për 24 vitet e fundit. Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar vijimin e kursit normalizues të politikës monetare dhe rritjes së normave të interesit edhe gjatë muajve të ardhshëm.

Këta sinjale janë parakushte për rritje të mëtejshme të yield-eve të bonove dhe obligacioneve. Kjo tendencë do të rrisë ndjeshëm kosto e huamarrjes për qeverinë, por edhe huamarrësit privatë, duke qenë se instrumentet e borxhit qeveritar janë treguesi orientues për të gjitha kreditë në monedhën vendase./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.