EKONOMI

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar shënon rekord të ri historik!

07:19 - 16.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kapitalizimi i sektorit bankar arriti nivelin më të lartë historik në fund të tremujorit të tretë të këtij viti. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 19.26%, nga 18.99% që kishte qenë një tremujor më parë dhe 18.3% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.




Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ndërtohet si raport mes kapitalit rregullator të sektorit bankar dhe vlerës së aktiveve të peshuara me koeficientë rreziku. Rritja e këtij raporti gjatë tremujorit të tretë ka ardhur sepse kapitali rregullator është rritur me ritme më të larta se vlera e aktiveve në rrezik, konkretisht 3% kundrejt 1.6%.

Rritja e kapitalizimit të sektorit është e lidhur në një masë të madhe me forcimin e ndjeshëm të kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë, pas vitit 2019, kur u miratua rregullorja për shtesat makroprudenciale të kapitalit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, shtesat makroprudenciale të kapitalit kanë për qëllim përmirësimin e rezistencës së bankave ndaj rreziqeve sistemike me natyrë ciklike dhe strukturore. Për këtë qëllim, bankat ndërtojnë rezerva kapitali për të përthithur humbjet e mundshme, dhe këto rezerva krijojnë hapësirë për mbështetjen e ekonomisë reale me financim në kohë më të vështira.

Megjithëse niveli bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat shqiptare është 12% (50% më i lartë se norma e aplikuar në Bashkimin Europian), duke bashkangjitur edhe shtesat makroprudenciale nivelet përfundimtare të kërkuara janë shumë më të larta.

Nga 12% që është kufiri minimal i mjaftueshmërisë së kapitalit, me shtesën konservuese prej 1.5% ky kufi ka arritur në 13.5%, ndërsa prej 1 janarit 2023 do të arrijë në 14%. Shtesa konservuese do të vazhdojë të rritet me 0.5% çdo vit, deri në vitin 2024.

Kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të klasifikuara me rëndësi sistemike. Këtu përfshihen Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Credins, Banka Raiffeisen dhe Banka OTP Albania.

Aktualisht, BKT ka një kërkesë shtesë në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit prej 1.5% (në total 15%), Credins dhe Raiffeisen janë të detyruara të plotësojnë një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit 1% më të lartë se bankat e tjera (në total 14.5%), ndërsa OTP 0.5% më shumë se bankat e tjera (në total 14%).

Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, duke marrë në konsideratë shtesat e mësipërme, si dhe shtesat specifike që kanë disa banka të sektorit bankar, faktikisht kufiri i raportit të kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit varion ndërmjet 14% dhe 18% për bankat me rëndësi sistemike dhe 14% dhe 17% për bankat e tjera.

Ndikim në rritjen e niveleve të kapitalizimit në vitet e fundit kanë pasur edhe vendimet e Bankës së Shqipërisë që iu ndalojnë bankave tregtare të shpërndajnë fitimet e vitit të mëparshëm. Një masë e tillë aplikohet që prej pandemisë, në vitin 2020 dhe ka si qëllim të ruajë nivele edhe më të larta të kapitalizimit të bankave, në kushtet kur ekonomia po përballet me goditje të njëpasnjëshme.

Megjithëse rritja e nivelit të kërkuar të kapitalizimit e bën sektorin bankar më të sigurt, nga ana tjetër kjo rritje rrezikon të ulë eficiencën dhe të kufizojë aftësinë e bankave për të marrë pësipër rreziqe nëpërmjet huadhënies.

Në momente kur bankat mund të mos kenë mundësi të injektojnë kapitale shtesë për të përmbushur kërkesat makroprudenciale, attëherë ato mund të detyrohen të frenojnë huadhënien dhe të zgjerojnë investimet në active me rrezik të ulët, që nuk rëndojnë mbi treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit.

Një fenomen i tillë është tashmë prezent me disa banka tregtare në Shqipëri, që pjesën më të madhe të depozitave i investojnë në insturmente borxhi të qeverisë shqiptare dhe nuk shfaqin shumë oreks për të marrë përsipër rrezik, duke kredituar sektorin privat.

Rrija e fortë e yield-eve të bonove dhe obligacioneve gjatë këtij viti mund ta theksojë edhe më shumë këtë tendencë, megjithëse në nivel sistemi kreditimi po vazhdon të rritet me ritme dyshifrore./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.