EKONOMI

Yield-et e bonot 12-mujore arrijnë në 5.83%, por ritmi i rritjes ngadalësohet!

07:17 - 16.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Yield-et e bonove 12 mujore u rritën përsëri në ankandin e sotëm, por me ritme të ngadalta nga ato të regjistruara në muajt e fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar arriti në 5.83%, nga 5.74% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, në fillim të muajit nëntor. Niveli i shënuar sot është më i larti i regjistruar qysh prej majit të vitit 2013.




Ngadalësimi i rritjes së yield-it mesatar mund të shpjegohet pjesërisht me pjesëmarrjen e lartë të investitorëve në ankand. Nga 8.5 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga qeveria, vlera e kërkesave totale në ankande arriti në 15.6 miliardë lekë. Ministria e Financave shfrytëzoi interesin e lartë të investitorëve për të rritur shumën e pranuar në limitin prej 15%, të lejuar nga kuadri rregullativ i institucionit për ankandet e huamarrjes, duke e çuar shumën e pranuar në 9.775 miliardë lekë. Në mungesë të rritjes së shumës së huamarrjes, yield-i mesatar do të kishte qenë më i ulët dhe ndoshta jo shumë larg nivelit prej 5.74% të ankandit të mëparshëm.

Një ngadalësim i rritjes u vërejt edhe në bonot me maturim 3-mujor, ku yield-i mesatar i ponderuar arriti në 2.91%, nga 2.78% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, të muajit tetor. Edhe në këtë rast, pjesëmarrja në ankand ishte ndjeshëm më e larët se shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave.

Rritja e pjesëmarrjes së ankandin e sotëm të bonove mund të shpjegohet në radhë të parë me faktin se rritja e yield-eve i ka bërë këto instrumente shumë tërheqëse, si për investitorët institucionalë, ashtu edhe për investitorët e vegjël. Jo më larg se sot, Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje individëve të investonin më shumë në ankandet e bonove të qeverisë, për të përfituar nga normat e larta të interesit.

Ndërkohë, edhe bankat dhe institucionet financiare po shfaqen mjaft të interesuara për të investuar në bono, për shkak të yield-eve të larta, por edhe për shkak të një politike investimi të orientuar kryesisht drejt instramenteve afatshkurtra. Madje, edhe fondet e investimit, që në muajt e fundit po përballen me rënie të fortë të kthimeve dhe tërheqje të konsiderueshme të kuotave nga anëtarët, për momentin po i përqendrojnë investimet në instrumente afatshkurtra, deri në stabilizimin e tendencave të yield-eve.

Përveç kërkesës së lartë, ngadalësimi i rritjes së yield-eve mund të interpretohet edhe si sinjal i pritshmërive të investitorëve për një rritje më të përmbajtur të normave të interesit në vazhdim. Analistët e tregjeve globale besojnë se faza e parë dhe më agresive rritjes së normave të interesit mund të jetë afër fundit. Pritshmëritë janë që vitin e ardhshëm rritja e normave të interesit të vazhdojë, por me ritme më të ngadalta. Në vija të përgjithshme, këto projeksione mund të përafrohen edhe për tendencat e pritshme të vendimmarrjes së politikës monetare në Shqipëri.

Në muajt e fundit, Banka e Shqipërisë ka vepruar në mënyrë agresive në kahun e normalizimit monetar dhe e ka rritur me tre herë radhazi normën bazë të interesit në masën 0.5%. Besohet se gjatë vitit të ardhshëm ritmi i rritjes mund të ngadalësohet disi, mbështetur në një skenar bazë sipas të cilit vlerësohet se rritja e inflacionit mund të jetë afër pikut dhe vitin e ardhshëm pritet një rënie graduale e tij./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.