EKONOMI

Kursi i Dollarit amerikan ndaj Lekut prek nivelin më të ulët që prej muajit qershor!

07:25 - 17.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dollari amerikan po shënon një rënie të ndjeshme në kursin e këmbimit me Lekun në dy javët e fundit. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Dollari u këmbye sot me 112.19 lekë, niveli më i ulët që prej muajit qershor.




Sipas agjentëve të këmbimit valutor, kursi i këmbimit të Dollarit amerikan ndaj Lekut reflekton lëvizjet e tij në kursin e këmbimit me Euron dhe nuk ndikohet shumë nga faktorë të brendshëm. Kjo ndodh sepse institucionet financiare e kuotojnë kursin e të gjitha valutave të tjera bazuar në kursin e tyre kundrejt Euros, që është monedha më likuide dhe më e lehtë për t’u tregtuar në tregun e brendshëm valutor.

Arsyeja kryesore që ka sjellë dobësimin e Dollarit ndaj Euros në ditët e fundit kanë qenë të dhënat e reja makroekonomike nga SHBA dhe sidomos ato të lidhura me inflacionin. Ulja e inflacionit mesatar dhe e inflacionit bazë në muajin tetor rriti shpresat në tregje se Rezerva Federale do ta ngadalësojë ritmin e rritjes së normave të interesit.

Pritshmëritë për përmirësim të situatës inflacioniste dhe zbutjen e rritjes së interesave kanë ndikuar në një rënie të ndjeshme të Dollarit, që ka zbritur përsëri poshtë vlerës së paritetit me Euron. Në mesditën e sotme, dollari amerikan tregtohej me 0.96 euro.

Rënia ndaj Euros po reflektohet rrjedhimisht edhe në kursin e këmbimit me Lekun. Megjithëse USD ka një rëndësi më të vogël se euro në ekonominë shqiptare, sërish kursi i monedhës amerikane ngelet i rëndësishëm për ecurinë e çmimeve të importit të karburanteve dhe lëndëve të para të rëndësishme.

Një nga argumentet e Bordit të Transparencës për mungesën e një uljeje të ndjeshme në çmimet e karburanteve në vend ka qenë edhe mbiçmimi i Dollarit amerikan ndaj Lekut. Në këtë kuptim, rënia e Dollarit amerikan në këtë periudhë do të ndihmonte në uljen e presioneve inflacioniste edhe për ekonominë shqiptare.

Në fakt, forcimi i Dollarit po bëhej një problem global në situatën aktuale, duke pasur parasysh se në përgjithësi çmimet e ushqimeve dhe lëndëve të para kuotohen pikërisht në dollarë. Një mbiçmim i monedhës amerikane i bën këto produkte më pak të përballueshme dhe efekti më i fortë është pikërisht tek ekonomitë më të varfra.

Ndërkohë, kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut në ditët e fundit paraqitet i qetë dhe me luhatje minimale. Ky kurs nuk ndikohet shumë nga lëvizjet në tregjet ndërkombëtare dhe është rezultat i raporteve mes kërkesës dhe ofertës së brendshme. Agjentët bëjnë të ditur se në këtë moment tregu i këmbimit të euros paraqitet i qetë dhe pa çbalancime të mëdha mes kërkesës dhe ofertës.

I vetmi faktor që ka përcaktuar lëvizje domethënëse në dy muajt e fundit ka qenë nevoja për blerje nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Kërkesa e KESH bëri që Euro të shënojë një rritje të lehtë në pjesën e dytë të tetorit.

Rritja e kursit kulmoi më datë 28 tetor, kur euro u këmbye me 118.32 lekë. Pas përfundimit të blerjeve të radhës nga KESH, euro ra gradualisht pranë kufirit të 117 lekëve. Sot euro këmbehej me 116.97 lekë, ndërsa luhatjet gjatë gjithë kësaj jave kanë qenë të papërfillshme./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.