LAJMI I FUNDIT

“Luftë e vërtetë me Dinamon!”, Neziri: Do të jem krutani i parë që ngre kupën në… Vlorë

11:35 - 20.11.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sokol Neziri është i pari krutan që luan me Flamurtarin. E megjithatë, ai nuk do që të mbahet mend vetëm për kaq. Kërkon që të jetë i pari që të fitojë trofe në Vlorë.




Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi rrëfehet si është përshtatur me kuqezinjtë dhe flet për objektivat.

Flamurtari, i pari në klasifikim. Të kënaqur me ecurinë?

Me ecurinë që kemi pasur deri në tani, e meritojmë plotësisht vendin e parë. Kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira. Po ashtu kemi bindur edhe me rezultat. Duhet të mbajmë këtë ritëm edhe për ndeshjet e mbetura të kësaj faze, por edhe deri në fund, për të arritur objektivin që të gjithë dëshirojmë.

E ndieni presionin e Dinamos, që ka po aq pikë sa ju?

Me Dinamon besoj do të jetë një “luftë” e vërtetë deri në fund të kampionatit. Të dyja skuadrat do të rivalizojnë për vend të parë.

Po thoni se do të keni Dinamon rival deri në fund?

Dua të them se rivaliteti është i madh në këtë kampionat. Por ne si Flamurtar më shumë shikojmë veten tonë.

Çfarë ndodhi teksa kjo skuadër ndryshoi si me “magji”?

Në fillim të kampionatit nuk ishim të plotësuar 100%. Unë isha i bindur se me kalimin e javëve do ta kapnim formën. Cilësitë nuk na kanë munguar kurrë, ndaj do të vinte dita. Nuk gabova. Doli pikërisht kjo që unë mendoja. Flamurtarin e vërtetë po e shikoni tani.

U larguat pas 9 sezonesh nga Kruja. A jeni përshtatur tashmë në Vlorë?

E vlerësoj shumë, sepse luaj për një nga ekipet më të mëdha në Shqipëri. Në fillim kisha vështirësi, pasi nuk kisha lëvizur asnjëherë nga Kruja. Por tani me mbështetjen e shokëve dhe me besimin e drejtuesve jam ambientuar dhe po kaloj shumë mirë këtu në Vlorë. Shkoj me të gjithë shumë mirë.

Cili është misioni i Nezirit te Flamurtari?

Jam me fat që mbaj veshur fanellën e Flamurtarit. Unë jam i vetmi krutan që ka luajtur për këtë ekip të madh. Për këtë gjë falënderoj presidentin Sinan Idrizi për besimin që kishte tek unë. Shpresoj të bëhem krutani i parë që të fitoj një kampionat ose kupë me fanellën e Flamurtarit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.