Kronikë

“Jam më i drejtë se vetë drejtësia!”- Vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit, Ardian Çapja dëshmon në gjykatë dhe mohon akuzat

15:12 - 21.11.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ardian Çapja ka dhënë shpjegime para gjykatës së Posaçme, GJKKO për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në 2012, për të cilën akuzohet. Ai ka mohuar përgjegjësinë e tij në këtë ngjarje duke deklaruar se ‘nuk kam lidhje, kam qenë në Maqedoni’.




Balkan Web, ka publikuar dëshminë e tij ku Çapja ka theksuar së është i pafajshëm dhe se sipas tij çdo gjë bëhet për t’i dëmtuar imazhin.

“Unë s’kam lidhje me vrasjen e 2012 sepse kjo vërtetohet nga qelizat telefonike që kam qenë jashtë vendit. Këtë manipulim e ka bërë prokurori Ridvan Sukaj”, ka deklaruar Çapja nder te tjera.

“Unë deklarohem i pafajshëm për të gjitha akuzat që më ka ngritur prokuroria, çdo gjë është bërë për të dëmtuar imazhin tim.

Në 2005 më është vrarë vëllai dhe ne si familje ja kemi lënë në dorë drejtësisë. Jam shoqëruar në polici për vrasjen e 15 gushtit 2012 ndërkohë që unë po vija nga Maqedonia.

Deri në datën 13 gusht të atij viti kam qenë me pushime në Greqi. Më pas kam vendos me ik në Maqedoni me ble kaldaja, ishim 4 veta mes tyre edhe nipi Florenc Çapja. Pa hyrë në Elbasan na ka ndaluar policia, dhe na kanë marrë në pyetje, aty kam marrë vesh që kush ishte vrarë.

Nuk njoh asnjë nga të dyshuarit e tjerë nuk kam asnjë lidhje me ta. Prokuroria na bllokoi pasaportat dhe ndaluan nipin tim Florencin.

Prokurori Ridvan Sukaj është i lidhur me krimin, i kam kërkuar që të zbardhen ngjarjet e mia që më janë bërë 3 atentate 2 në 2017 dhe një në 2020 me snajper.

Pas masakrës së 3 shkurtit 2016 unë nuk kam dal më nga shtëpia.

Vrasja e avokatit Ravik Gurra lidhet me masakrën e 3 shkurtit. Prokurori Ridvan Sukaj nuk na ka marrë dëshmi për ngjarjen e 2016 dhe kjo është hakmarrje e Sukajt ndaj nesh. Hetimet vazhduan për 2 vite dhe nuk arritën të zbulojnë asgjë.

Këtu ka filluar manipulimi dhe orientimi i hetimeve. Unë s’kam lidhje me vrasjen e 2012 sepse kjo vërtetohet nga qelizat telefonike që kam qenë jashtë vendit.

Këtë manipulim e ka bërë prokurori Ridvan Sukaj. Kam dëgjuar në media që ju prokurori Dibra keni nën hetim vrasjen e avokatit tim Ravik Gurra, ke tre telefona, ke dosjen time, gjej kush ka vrarë avokatin bëj drejtësi.

Nëse zbardh vrasjen e avokatit Gurra do zbulosh thesare.

Politika në Elbasan është e lidhur me krimin. Nisini hetimet që aty. Hap hetimin e Ravikut aty ke gjithë të vërtetën.

Mos qesh ti prokuror se kur doja të bëja kallëzim për prokurorin Ritvan Sukaj je larguar nga zyra me vrap. Unë jam më i drejtë se vet drejtësia”, ka thënë ai.

Gjatë seancës Çapja bëri debat edhe me Ervis Bardhin bashkëpunëtorin e drejtësisë ku i kërkoi që të tregonte të vërtetën për ngjarjen dhe të mos gënjente para gjykatës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.