AKTUALITET

Pak para miratimit në Kuvend, BE anulon grantin 28 milionë euro për projektin e Portit të Durrësit!

10:02 - 24.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Bashkimi Evropian duket se është tërhequr nga investimi i projektit për portin e Durrësit. Një grant prej 28 mln euro që ishte parashikuar për rikonstruksionin e kalatave 1 dhe  2 të terminalit tashmë është anuluar.




Në faqen zyrtare të “Western Balkan Investment Framework” (Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor) ky projekt mban tashmë statusin ‘i anuluar’. Ky vendim i BE ka ardhur në një moment kur qeveria po kalon në parlament në mënyrë të përshpejtuar projektin e ri për Portin e  Durrësit.

Në përshkrimin e projektit në këtë faqe, investimi i financuar nga BE do të mundësonte rritjen e kapaciteteve përpunuese të anijeve, rritjen e thellësisë së projektuar me qëllim ankorimin e anijeve me tonazh të madh si dhe do të rriste qëndrueshmërinë e kalatave për tonazhet e larta.

Projekti siç thuhet në faqen zyrtare të fondit për investimet, parashikonte fazën e studimit të fizibilitetit me afat vitin 2019.

“Porti i Durrësit aktualisht trajton rreth 90% të shkëmbimit detar të vendit në tonazh dhe 53% të të gjithë tregtisë ndërkombëtare. Terminali ka gjithsej pesë kalata dhe ka një sipërfaqe prej 92,680 m2. Kalatat 1 dhe 2 janë në gjendje të keqe dhe të parregullt.

E para u ndërtua në vitin 1972 dhe e dyta midis viteve 1945 dhe 1951. Disa rehabilitime u kryen në vitin 1994. Megjithatë, elementët strukturorë nën ujë tregojnë shenja korrozioni të konsiderueshëm, gjë që pengon funksionimin e sigurt të kapaciteteve të mëdha të ngarkesave. Për më tepër, thellësia e terminalit pranë kalatave varion midis 7 dhe 8.2 m, kështu që anije mallrash më të mëdha nuk mund të akomodohen në port.

Projekti synon rehabilitimin e lidhjes hekurudhore midis Tiranës dhe Durrësit, duke sjellë në përfundim të saj krijimin e një seksioni të rëndësishëm multimodal si pjesë e korridorit të rrjetit bazë të transportit, duke forcuar lidhjet e Shqipërisë me Kroacinë dhe Italinë. Përveç kësaj, ata do t’i ofrojnë Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut akses në rrugët e transportit detar.” -thuhet në përshkrimin e projektit, nga i cili BE tashmë është tërhequr. Anulimi i projektit, vjen ndërsa parlamenti pritet të kalojë sot me procedurë të përshpejtuar, marrëveshjen për projektin e ri për transformimin e portit të Durrësit.

Një projekt të cilin opozita e ka kundërshtuar me forcë, duke e konsideruar një aferë megakorruptive, të cilën e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Projektligj që pritet të kalojë sot në seancë plenare, për të cilin kërkohet shumicë e thjeshtë votash: “Për miratimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & jahtet e Durrësit”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.