AKTUALITET

Tentoi të largohej nga Kukësi, egjiptiani për pak nuk gjen vdekjen nga të shtënat e policisë (Detajet)

08:43 - 06.12.22 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një emigrant egjiptian rrezikoi seriozisht jetën në zonën e Kukësit në përpjekje për t’u larguar nga vendi ynë në drejtim të Evropës Perëndimore. Policia nisi një operacion për ndalimin e një fugoni që transportonte emigrantë, kur njëri prej efektivëve ka qëlluar në ajër dhe më pas një plumb ka plagosur një prej emigrantëve që po tentonte t’i shpëtonte arrestimit.




Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:10 minuta të mbrëmjes së të dielës, ndërsa lajmi u publikuar vetëm pasditen e shkuar fillimisht nga Prokuroria e Kukësit dhe më pas nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila dha edhe detaje të hollësishme për atë çfarë kishte ndodhur. Reagimi erdhi pas publikimit të ngjarjes në media.

Sipas MFA-së, Policia e Kukësit ka konstatuar gjatë rrugës Milot-Kukës, në vendin e quajtur Rubik, një mjet furgon “Volkswagen”, i cili ecte me shpejtësi dhe në mënyrë jo të rregullt, duke krijuar dyshime. “Rezultoi se mjeti furgon ‘Volkswagen’ me targë ‘AA 730 VM’ ishte dhënë me qira”, sqaroi Agjencia, duke theksuar se më pas Patrullës te Ura e Drinit të Zi i është kërkuar kontrolli i mjetit. Në fshatin Mamës, furgoni në ndjekje nga policia ka hyrë në një rrugë dytësore.

“Ata kanë vazhduar ndjekjen e mjetit poshtë nënkalimit të fshatit Mamës-Kukës dhe pas rreth 100 metrash, drejtuesi i mjetit Klevis Gjoni, 29 vjeç ka ndaluar automjetin duke tentuar të largohej me vrap, kohë në të cilën personat që ndodheshin në furgon kanë tentuar gjithashtu t’i largohen forcave të policisë”, thuhet më tej.

Plagosja

Pas ndjekjes në rrugën dytësore, furgoni ka ndaluar, ndërsa emigrantët, drejtuesi i mjetit dhe personat shoqërues, kanë zbritur prej tij duke u fshehur në mal. Në këtë moment, një inspektor policie ka qëlluar me armë zjarri në ajër, ndërsa qitja e tretë sipas dëshmisë së zbardhur nga AMP-ja, ka ndodhur në mënyrë të pavullnetshme.

“Në këtë moment, punonjësi i policisë Inspektor K.B. sipas deklarimeve të tij, ka nxjerrë armën dhe pasi ka qëlluar dy herë në ajër ka vazhduar ndjekjen e tyre, por duke qenë terren i vështirë me shkurre dhe lagështirë dhe në kushtet e errësirës është penguar duke kryer qitje të pavullnetshme me pistoletën që mbante në dorë. Për pasojë, është plagosur shtetasi egjiptian M. H. G, i cili ka marrë një plagë me armë zjarri në pjesën e shpinës”, thuhet më tej.

Nga të dhënat e AMP-së, bëhet me dije se gjatë ndjekjes, një prej personave që shoqëronte emigrantët është rrëzuar në rreth 3 metra duke mbetur gjithashtu i plagosur. Sipas deklaratës, ata janë transportuar në drejtim të Spitalit të Traumës në Tiranë.

“Menjëherë, punonjësit e Policisë kanë bërë shoqërimin drejt Spitalit Rajonal të Kukësit të shtetasit egjiptian të plagosur, si edhe drejtuesit të mjetit furgon, i cili pësoi lëndime të lehta pasi u rrëzua nga një lartësi rreth 3 metra gjatë ndjekjes nga ana e punonjësve të policisë.

Pasi kanë marrë ndihmën e parë, ata janë përcjellë për në Spitalin e Traumës Tiranë dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën”, thuhet më tej.

Arrestimet

Pas operacionit, forcat e Policisë së Kukësit kanë arrestuar 29-vjeçarin e plagosur, shtetasin Klevis Gjoni, banues në Tiranë. Është verifikuar dhe dokumentuar se drejtuesi i mjetit rezulton shtetasi Klevis Gjoni, 29 vjeç, i cili u arrestua në flagrancë si person i dyshuar për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja e Urdhrit të Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, thuhet në reagim.

Në lidhje me këtë ngjarje, janë shoqëruar edhe 12 emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme për kryerjen e veprime hetimore të mëtejshme. Prokuroria tha se ka shpallur në kërkim edhe dy të rinj nga Fier, shoqërues të emigrantëve.

Pezullimi i efektivit

Pas plagosjes së emigrantit nga Egjipti, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore tha se ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjes, duke theksuar se fillimisht është pezulluar nga detyra efektivi i Policisë. Në kuadër të këtij hetimi janë sekuestruar edhe tre gëzhoja pistolete që i përket oficerit të policisë.

“Ndërkohë, është bërë pezullimi nga detyra e punonjësit të policisë, Inspektor K. B., deri në përfundimin e hetimeve mbi këtë ngjarje. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë sekuestruar 3 gëzhoja pistolete të tipit ‘GLOK’ që i përkasin armës së punonjësit të policisë K.B.

Njëkohësisht nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, janë duke u kryer hetime të plota për sqarimin e pozitës ligjore të punonjësve të strukturave të policisë të përfshirë në ngjarje dhe në përfundim të veprimeve hetimore dhe konkluzioneve të Prokurorisë do të përcaktohet përgjegjësia penale e punonjësve të Policisë”, thuhet më tej.

Panorama.al 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.