AKTUALITET

Plumba mbi vajzat dhe gratë/”Të dua shumë, por nuk duroj dot të më…”, kush e vrau Erjeta Avdylin? Detajet rrëqethëse, nga letra e saj tek apeli i të atit drejtuar institucioneve

20:00 - 07.12.22 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jyoti Singh, ishte një studente e shkëlqyer fizioterapie, e rritur në një familje të varfër, e cila një ditë ëndërronte të bëhej një mjeke e suksesshme.




Ajo ishte vetëm 22 vjeç kur u përdhunua barbarisht nga gjashtë meshkuj, në fundin e një autobusi mbrëmjen e 16 Dhjetorit 2012, në një nga lagjet jugore të Neë Delhit, ndërsa po kthehej në banesë me shokun e saj.

Një sulm i tmerrshëm, ku pasi u dhunua shtazërisht, agresorët e hodhën trupin e të resë në anë të rrugës, aty ku e gjet në grahmat e fundit, po atë natë, teksa ndërroi jetë vetëm disa ditë më pas në një spital në Singapor, ku qeveria indiane e kishte dërguar për trajtim të specializuar, pas sulmit mizor që ishte ushtruar ndaj trupit të saj.

Dhunë e cila ngriti në revoltë si kurrë më parë shoqërinë indiane, e cila mbushi rrugët e qyteteve, duke tronditur thellësisht politikën konservatore të një vendi si India, ku gratë dhe vajzat shikohen ende si çështje pronësie mashkullore.

Ashtu siç agresorët justifikuan edhe sulmin ndaj studentes së mjekësisë, e cila, sipas tyre, kishte dalë natën e shoqëruar nga një person që nuk ishte i fejuari i saj, ndaj për këtë arsye, ata i dhanë një ndëshkim të merituar.

Por vdekja e Jyoti Singh, siç thamë u kthye shpejt në një simbol të rezistencs së grave kundër dhunës, jo vetëm në Indi, por në mbarë botën. Ndërkohë që rasti i saj, u njoh botërisht si çështja ‘Nirbhaja’ ose ‘E patrembura’.

Për shkak të guximit që ky rast u dha për herë të parë grave në Indi, të dilnin dhe të protestonin për të drejtat e tyre, por ndërsa ‘Nirbhaja’ u bë shpejt simboli i gruas së dhunuar nëpër botë, të tjera histori që rrëqethin edhe sot me dramacitetin e vërtetësisë së tyre, na tregojnë se si qindra mijëra gra anembanë botës, vazhdojnë të dhunohen dhe të humbasin jetën, tragjikisht, nga ata që duhet të ishin partnerët e tyre në jetë.

Por që në vend të zgjidhnin të ishin të tillë, u kthyen në vrasësit e tyre të parë. Në muajin ndërkombëtar të dhunës kundër grave, histori të dramave të tilla janë të shumta. Ndërkohë që statistikat botërore, flasin se 1 në 3 gra në mbarë botën, dhunohen. Shumë prej këtyre ngjarjeve të mbajtura të fshehura, por një pjesë tashmë të bëra publike. Kjo edhe për shkak të fundit tragjik që i ka shoqëruar.

Ku përjashtim në këtë ekspoze globale të dhunës ndaj gruas, nuk bën as Shqipëria. Që pavarësisht se një vend i vogël, dhuna ndaj grave duket të jetë një fenomen shqetësues gjithmonë e në rritje. Me simptoma serioze për t’u kthyer në një sëmundje të pakurueshme. Sa kohë që shteti dhe shoqëria nuk janë aleat në këtë luftë kundër dhunës ndaj gruas. Histori të trishta të grave dhe vajzave që sot nuk jetojnë më, të cilat shteti dhe shoqëria i dënoi me braktisje. Pavarësisht thirrjes së tyre dëshpëruese për ndihmë. Dhunë të cilën jo vetëm nuk kemi mundur ta parandalojmë, por e kemi eksportuar edhe në vendet ku shqiptarët emigrojnë.

Duke u shfaqur herë pas here në faqet e para të mediave të huaja. Ashtu siç ishte rasti më i fundit i ndodhur në qytetin e Venecias, në Itali. Ku Mynevere Karabollaj, nënë e dy fëmijëve, u gjet e masakruar në banesë, bashkë me partnerin e saj, Flonino Mërkuri, 23 vjeç. Krim i cili u krye në kushte ekstreme xhelozie, nga ish-bashkshorti i 37 vjeçares, i cili mesa duket nuk e honepste dot lidhjen e re që kishte krijuar ish-bashkëshortja e tij, me një burrë shumë më të ri në moshë se ai dhe ajo vet. Kështu të paktën u përpoq ta shpjegonte policia italiane krimin më të fundit të ndodhur brenda asaj që dikur konsiderohej një familje shqiptare në komunitetin e tyre.

Një krim tinëzar, ku ish-bashkëshorti nuk kishte shfaqur shenja të hapura xhelozie për lidhjen e re të ish-bashkëshortes, por që në krahun tjetër kishte nisur të thurte skenarin e eleminimit të tyre. Skenar ogurzi të cilin e vuri në jetë mbrëmjen e 21 Nëntorit 2022.

Natën, kur Viron Karabollaj, hyri papritur në banesën ku jetonte ish-bashkëshortja me partnerin e saj të ri, dhe i qëlloi barbarisht, fillimisht me armë zjarri të prodhuar vet, dhe më pas me goditje të shumta thike.

Një plan i mirëmenduar, prej shumë kohësh, nga ish-burri, tashmë i kthyer në vrasës. I cili, po atë natë zgjodhi t’i jepte fund jetës së tij, në kompaninë ku punonte.

“Në shumicën e rasteve kemi paralajmërime të këtyre vrasjeve, kur komuniteti e di, kur policët e dinë, kur institucionet që janë përgjegjëse për komunitetin e dinë sepse janë denoncuar në disa raste të tilla dhe ne kemi natyrën e neglizhencës dhe moszbatueshmërisë. Kur agresori nuk ka frikë në mes të ditës duket qartazi që ai nuk e quan dhe nuk e konsideron problem, përkundrazi sot identifikohen si i forti me të fortin, ose përligjin sjelljet e tyre duke bërë një lloj komunikimi në grup apo në turmë, dhe kjo është e mirëqënë si një nga mënyrat si ne zotërojmë dhe kontrollojmë gruan dhe pastaj familjen”, shprehet psikologia Denata Toçe.

“Ka disa arsye sipas mendimit tim, e para janë disa arsye makro do të thoja. Arsyet makro janë arsyet historike, politike, gjeopolitike, fakti që jemi një rajon ballkanik ku ky fenomen, kjo lloj dhune është shumë e përhapur është një limfë që rrjedh në familje, pra me një fjalë në familjet ballkanike dhuna mbi gratë është një gjë e zakonshme. Së dyti ka edhe disa arsye mikro që kanë të bëjnë me tipologjinë e familjes, me edukatën në familje me kulturën e familjes. Arsyeja  e tretë është personale, arsyet personale janë që në përgjithësi dhuna mbi gratë është e lidhur me faktin që bashkëshorti mund të jetë përdorues i zgjeruar i alkolit, drogës, substancave të tjera psikotrope të cilat i konverton në dhunë mbi gruan”, shprehet sociologu Gëzim Tushi.

Por siç e thamë edhe më lart, krimi më i fundit i ndodhur në Itali, ku një burrë, dikur një bashkëshort, vret një grua, është vetëm një nga episodet ulëritëse, të dhunës ndaj grave. Erjeta Avdyli është një nga krimet ndaj gruas që thërret edhe sot për drejtësi. Ajo u zhduk papritur më 30 mars 2000. Në orën 15.30 të kësaj date.

Teksa si zakonisht kishte lënë punën dhe me biçikletën e saj po i drejtohej banesës, pranë komisariatit nr 1, në kryeqytet. Komisariat që në këtë kohë drejtohej nga bashkëshorti i saj. Biçikletë e cila u gjend në oborrin e fqinjve të tyre.

Zhdukje e papritur që alarmoi prindërit e saj.

Të cilët, disa ditë më pas denoncuan largimin e saj të beftë, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Polici e cila fillimisht nuk e mori në konsideratë zhdukjen e gruas.

Por që vetëm pas presionit të ushtruar nga media atë kohë, nisën të kryenin lëvizjet e para, se çfarë kishte ndodhur me gruan që raportohej e humbur nga familjarët e saj.

Erjeta Avdyli, e cila u gjet e vrarë më 13 maj, të po këtij viti, e groposur në anë të rrugës, në fshatin Romanat të Durrësit. Një krim, që siç e thamë, ka mbetur edhe sot pa autor. Ku gishti i akuzës i familjarëve u drejtua ndaj bashkëshortit të saj, Dritan Avdyli, ish-drejtues i lartë policie. I cili u dënua me dy vite burgim, por që më pas u shpall i pafajshëm.

Ndërsa dyshimet janë se dosja nuk u hetua në mënyrë profesionale. Në mos, për të thënë, se një dorë u kujdes, që ti ndërronte drejtimin hetimit. Teksa dosja ‘Erjeta Avdyli’, thërret ende për drejtësi, janë ende të freskëta në kujtesë, mesazhet e saj përgjëruese.

Të bëra publike në media. Ku në çdo rresht të tyre ndihet kërcënimi, që i vinte nga bashkëshorti, drejtues policie. Siç është edhe kjo letër që Erjeta i shkruan bashkëshortit të saj, 2 vite para se të ndodhte krimi ndaj saj.

Letra e Erjeta Avdylit drejtuar bashkëshortit, më 30 maj 1998

”Dritan!

Në pamundësi për të folur ballë për ballë me ty, sepse kam frikë nga fjalët e zakonshme ‘mos më çaj kokën’, ose ‘ik, moj qelbësirë’, po të shkruaj atë që ndiej në letër.

Jam shumë e fyer dhe e vrarë shpirtërisht. Nuk mund të duroj të më trajtosh sikur unë nuk ekzistoj, të hysh e të dalësh në shtëpi pa më përshëndetur, të mos më flasësh me gojë dhe të mos më prekësh me dorë për ditë të tëra… Për ty unë nuk vlej asgjë. Këtë më thotë sjellja jote. Kurse babai yt më fyen me fjalë që unë s’mund t’i them, por po t’i shkruaj. Sa herë që më merr në telefon ndonjë shoqe ose ime motër dhe unë nuk jam në shtëpi, ai i përgjigjet ‘kushedi se nga bredh’, duke e ditur ndërkohë se ku jam unë, sepse nuk kam dalë asnjëherë nga shtëpia pa i përshëndetur dhe pa u thënë adresën se ku po shkoj. Kurse mua më kthehet edhe më thotë: ‘U këpute në b…. ti duke punuar. Nga ti po jetojmë, nuk e shikon!’ etj.

Hyj në shtëpi, përshëndes dhe nuk marr asnjë përgjigje nga ai. Këto më vrasin edhe më shumë. Unë më duket se po punoj njësoj si ti dhe po kontribuoj njëlloj si ti për familjen.

Nuk e meritoj të më sillesh në këtë mënyrë, Dritan, sidomos ti. Unë e ndiej se duhet të largohem për disa kohë te prindërit e mi.

Në qoftë se ti mendon se me të vërtetë unë nuk vlej asgjë për ty dhe të jam mërzitur, mos hajde të më marrësh.

Në të kundërt, të pres me gjithë shpirt dhe po ta them edhe njëherë, siç ta kam thënë me dhjetra herë, të dua shumë, nuk dua të shkatërroj familjen time, por të më trajtosh si një leckë dhe të më thuash qelbësirë e mos më çaj kokën, nuk duroj dot.

Të mos diskutosh asnjëherë me gruan tënde, të mos marrësh asnjëherë mendim, kjo nuk më duket normale. Ose të më thuash të paktën një herë me çiltërsi, e jo ta bluash nga brenda: ‘Këtu ke gabuar, këtu më ke fyer, mos e bëj më’ etj.

Mirë mbetsh Dritan”

Siç e thamë, do të ishte kjo një nga letrat e zbuluara nga familjarët, që tregonte për terrorin psikologjik që po përjetonte Erjeta Avdyli, nënë e dy fëmijëve të mitur, si nga bashkëshorti i saj, ashtu edhe nga prindërit e tij.

Që siç ajo thotë e fyenin vazhdimisht. Fyerje dhe kërcënime që e kishin bërë të largohej prej më shumë se një viti, nga streha bashkëshortore. Letër e një gruaje drejtuar bashkëshortit për të shpëtuar martesën e tyre tashmë të thyer, që do të pasohej disa kohë më pas edhe nga një tjetër letër. Këtë herë nga babai i Erjetës. I cili ia drejton këtë letër ministrit të Brendshëm të kohës. Ku e vë në dijeni për dhunën që vartësi i tij, në këtë rast Dritan Avdyli, po ushtronte ndaj bashkëshortes së tij. Një letër që në dukje paralajmëron një krim të mundshëm, që ashtu siç pritej edhe ndodhi.

Letra e babait të Erjetës për ministrin e Brendshëm

20 mars 2000

“Zoti Ministër!

Dhëndëri im dhe vartësi juaj, zoti Dritan Avdyli (shef i Komisariatit Nr. 1), prej mëse një muaji e trajton vajzën time në mënyrë çnjerëzore. E fyen, e rreh dhe e kërcënon çdo natë, me tytën e revolverit në kokë i thotë: ‘Do të të vras ty dhe familjen tënde’. Me ju thënë të drejtën, ditët e para nuk e besoja një gjë të tillë dhe inkurajoja vajzën të qetësohej se më dukej diçka e pamundur, sidomos për një punonjës rendi.

Por me kalimin e ditëve shqetësimi i vajzës u bë dhe i imi. Prandaj vendosa t’ju shkruaj. Si ministër, si prind, si shok pune, ju drejtohem me lutje prindërore, ndalojeni këtë sjellje e qëndrim barbar të një burri, parandaloni vrasjen që ai lajmëron.

Theksoj se prej një muaji ai ka prerë çdo komunikim me mua dhe me familjen time. Prej disa ditësh ka prerë dhe komunikimin telefonik.

Me besim Enes Sokoli”.

Dhe ashtu siç kobshëm pritej, ashtu edhe ndodhi. Erjeta Avdyli, u zhduk pa gjurmë, pa u tharë mirë ende boja mbi letër. Vetëm 10 ditë pasi babai i saj i shkroi Ministrit të Brendshëm të kohës.

Ndërkohë që shumë ministra, drejtues policie apo dhe prokurorie, kanë ardhur dhe kanë ikur që nga kjo kohë, dhe asnjëri prej tyre nuk ka marrë guximin të shkund dosjen dhe të na thotë: Kush e vrau Erjeta Avdylin?

Pjesë e shkëputur nga një intervistë e dhënë për mediat në vitin 2008

‘Erjetën e vranë barbarisht dhe e hodhën në një kanal. Policia dhe prokuroria ende nuk e kanë ‘gjetur’ autorin. Por ishte e thënë që Erjetën ta vrisnin edhe pas vdekjes. Familja e saj bashkëshortore e braktisi kufomën e saj në morg dhe nuk e varrosi. Pra e vranë përsëri. Mbas pak kohësh, nga burgu, ish-bashkëshorti i saj hodhi baltë mbi moralin e Erjetës, e cila nuk jetonte e nuk mund të mbrohej. Por përsëri qenka e thënë që Erjeta të vritet dhe e vdekur.

‘Privilegjin’ e vrasjes kësaj here e ka gjyqtari Artur Kalaja, së bashku me dy kolegët e tij. Ky zotëri duhej të vërtetonte se Erjeta, sa ishte gjallë dhe pas vdekjes, është dhunuar nga bashkëshorti. Nga gjykimi i provave, zoti Kalaja, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, konkludoi se Erjeta nuk është dhunuar. Unë mendoj se ky është një vendim skandaloz. Mendoj se është një vendim që fyen, poshtëron dhe nxin drejtësinë shqiptare”

“Kur je në një patologji dhune, kur je në një patologji pasigurish individët të cilët kryejnë veprime të tilla janë të përfshirë në mendime të forta obsessive për ta kapur dhe për ta mbajtur diçka me patjetër. Kryesisht një pjesë e mirë e vrasjeve janë vrasje pasioni, vrasje nga mungesa e madhe ose përkatësia e diçkaje, kërkesa në mënyrë obsessive për ta mbajtur një gjë, që ka shumë gjasa nuk ka qenë aty që prej fillimit”, thotë Denata Toçe.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.