SPORT

Brazili i Tites, arti i 5 sulmuesve është mbrojtja/ Nga Nejmar te Vinicius, profesioni nuk është vetëm goli

07:56 - 08.12.22 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pesë yje në sulm, 6 gola dhe një ortek i pandalshëm në presing ndaj Koresë së Jugut. Të gjithë e panë dominimin e frikshëm të Brazilit ndaj aziatikëve në ndeshjen e 1/8-ave, por ajo që duan të kuptojnë të gjithë sot është se çfarë e bën këtë “Seleçao” kaq speciale dhe të rrezikshme, favorit për fitoren e Kupës së Botës? Pikësëpari fakti se Brazili nuk fiton prej lojtarëve, por prej lojës së tyre.




Sigurisht që lojën e bëjnë lojtarët, por rrallëherë është parë që futbollistë si Paketa, Rafinja, Riçarlison apo akoma më shumë Vinicius e Nejmar të pranojnë që të punojnë për skuadrën e tyre deri në mbrojtje. Këtu ndoshta hyn në punë gjenialiteti, por edhe lidhja e fortë që ekziston mes trajnerit Tite dhe lojtarëve të tij.

Brazili është një skuadër që taktikisht luan vetëm me një mesfushor mbrojtës, Kasemiron, ndërkohë që pesë lojtarët e tjerë të një 4-2-4, Paketa, Vinicius, Nejmar, Riçarlison e Rafinja po interpretojnë në mënyrë fantastike një koralitet lëvizjesh mes fazës ofensive e defensive, e cila po bën diferencën deri në këtë fazë të Kupës së Botës.

Kundër Koresë së Jugut duket sikur Brazili po abuzonte në çdo cep të fushës ndaj rivalit. Në fazën e ndërtimit, sikur të mos mjaftojë pesëshja e përmendur më sipër, Paketa, Vinicius, Nejmar, Riçarlison e Rafinja, të cilët janë të pozicionuar në çdo cep të zonës, pavarësisht se shpeshherë ndërrojnë edhe pozicionet, ato mbështeten edhe nga dy mbrojtësit anësorë (Sandro e Danilo), por edhe Kasemiro, si në rastin e golit ndaj Zvicrës.

c3dec8d9b570090d

Klasi që pesëshja ofensive ka në këmbët e saj është thjesht marramendëse, ndaj është normale që sa herë që kanë topin në këmbë të kërkojnë dhe dinë të bëjnë kombinime dhe mure të shpeshta, duke kërkuar hyrjen në zonë, me asiste pas shpatullave të mbrojtjeve rivale. Gjithsesi, gjenialiteti i Brazilit është faza mbrojtëse, duke marrë parasysh të gjithë municionin ofensiv në fushë dhe këtu është dora e Tites. Ajo skuadër, e cila e nis dhe sulmon në një 4-2-4 apo qoftë edhe 4-1-5, kur i duhet të mbrohet nga rivali transformohet si me magji në një 5-4-1.

Rafinja menjëherë shndërrohet në një mbrojtës të djathtë, me Danilon që shtrëngon linjat e mbrojtjes, ndërsa Vinicius në korsinë e majtë zbret shumë poshtë dhe ka si detyrë mbylljen e linjave të pasimit të rivalëve. Ndërkohë, Paketa e Kasemiro shtrëngojnë qendrën, ndërsa Riçarlison nga goleador shndërrohet në një “Gatuzo”, gati që t’i bëhet pullë poste dhe t’i kafshojë kaviljen zotëruesit të topit.

Ndërsa Nejmar është lojtari i lirë, ndonëse edhe ai dyfishon gjithmonë markimin. Shkurt, Brazili i Tites është si një rrjetë merimange, në të cilën ka 5 sulmues që bëjnë edhe goleadorin, edhe mbrojtësin për të arritur tek ëndrra e tyre e madhe, Kupa e Botës.

PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.