Sociale

Pse Perëndimi i dëshiron specialistët tanë të mjekësisë?

10:00 - 10.12.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Prof. Dr. Xheladin Çeka – Shëndetësia nuk është specialitet i shtresave të pasura; dihet kjo. Ju lus të ktheheni pak në kujtesë: para fundviteve ’80 në Shqipëri numri i mjekëve, bij të kastës së kohës, numëroheshin me gishtat e dorës. Është profesion i vështirë profesioni i mjekut, që kërkon përkushtim, motivim e privacione të pafundme për gjatë gjithë jetës. Që nga koha kur je student dhe në vazhdim gjatë kohës së ushtrimit të profesionit.




Prof. Dr. Xheladin Çeka

Ju kujtoj këtu romanin “Mjekët” të Erik Segal… Për të cilin profesion unë jam shprehur se që të përgatisësh një mjek është njësoj si të hapësh një pus me gjilpërë, jo pus uji, por pus nafte. Pa le pastaj të përgatisësh një profesor në mjekësi, është njësoj si pranë këtij pusi të ndërtosh edhe rafinerinë e naftës… Ndaj Perëndimi kërkon specialistët tanë të shëndetit, mjekë dhe të tjerë. Se nuk shkojnë në këtë degë bij të shoqërisë perëndimore të “nginjur”. Ndërkohë pranon cilësinë e tyre, tregues ky i nivelit të vetë Universitetit tonë Mjekësor, me kredenciale ndërkombëtare. Ndonëse askush nuk është “pronar” i specialistëve tanë të shëndetit.

***

Pranimet në Fakultetin e Mjekësisë kanë ndryshuar në kohë. Nga ato të realizuara bazuar në kritere politike, 70 vjet më parë dhe vitet në vijim, tek futja për herë të parë e notës mesatare si kriter pranimi në fakultet në vitin 1975, deri tek konkurset e pranimit pas vitit 1990. Këto janë ndjekur së fundmi me praktikën e maturës shtetërore. Rishikimi i kësaj forme pranimi, për të përfshirë në vlerësim dhe provimin e informatizuar, besohet se e shton cilësinë e pranimeve në Fakultetin e Mjekësisë. Kjo dhe sipas eksperiencës së suksesshme të konkursit të specializimeve në mjekësi, ku përdoren të dy treguesit e cilësisë: nota mesatare e të gjashtë viteve të studimeve universitare dhe rezultatet e provimit nëpërmjet testimit të informatuar me shkrim. Me këtë model bëhet pranimi i studentëve fitues edhe në degë të veçanta, si: në arte, arkitekturë, kulturë fizike etj. Ku natyrisht vetëm konkursi i plotë i pranimeve në mjekësi, sipas eksperiencës së shkollave mjekësore perëndimore, me gjasë do ta rriste më tej cilësinë e pranimeve në Fakultetin e Mjekësisë. Por ne sot mund të themi pa hezitim: ne pranojmë më të mirët e sistemit dhe produktin tonë në dalje e pranon tregu i punës në Perëndim!
Gjithashtu mund të themi pa hezitim dhe atë që shëndetësia shqiptare sot është sistemi unikal në shtetin shqiptar, ku stafet e kualifikuara mjekë të Fakultetit të Mjekësisë japin kontributin e tyre primar të pazevendësueshëm në praktikën klinike të Qendrës së vetme Terciare Shëndetësore në Shqipëri ashtu dhe në edukimin e studentëve tanë. Ju pyes me modesti: Ç’farë do të ishte QSUT-ja pa pedagogët e Fakultetit të Mjekësisë?! Ka këtu bashkëkohës të mi, që e kujtojnë kohën kur spitalet tona funksiononin me pavionet dhe klinikat njëkohësisht, me dy shefa: shefi i pavionit dhe ai i klinikës; me vartësi i pari nga Drejtori i Spitalit dhe i dyti nga Dekani i Fakultetit.
Një nga ligjet ekonomike bazë të sistemit demokratik është eksporti i kapitalit. Në kushtet kur formula e strukturës organike të kapitalit është raporti C/V, kuptohet që ekziston mundësia e eksportit të secilit prej këtyre treguesve: kapitalit konstant dhe atij variabël, kapitali human me kualifikimet e tij. Kjo po ndodh në fakt: eksporti i shërbimit të profesionistëve të shëndetitit, brenda ligjësive të kapitalit. Por kjo lëvizje e kapitalit variabël, natyrisht ka rregullimet e veta ligjore që ndërmerren nga shtetet përkatëse që preken prej tij. Ç’ka i ngjan një të sëmuri të traumatizuar dhe që humbet gjak nga hemoragjia. Dhe ç’bën shteti në këtë rast?
– I bën “transfuzionin të sëmurit”, në rastin konkret iu jep universiteteve autonominë: 460 studentë ka sivjet Fakulteti i Mjekësisë në vitin e parë, falë rritjes së kuotave të pranimit si rrjedhojë e autonomisë së ligjëruar.
– Ndërhyn në “ndalimin e hemoragjisë”, duke rregulluar me ligj detyrimet në dalje të specialistëve të shëndetësisë.
Aktualisht mendoj që vendi ynë është në kohën për të rregulluar me një ligj të plotë organik gjithë funksionimin e mjekësisë në përgjithësi dhe të pedagogjisë së shkencave mjekësore në veçanti. Sipas modelit të ligjit organik të drejtësisë shqiptare dhe ligjeve organike të vendeve ku edukimi mjekësor realizohet në kuadër të universiteteve mjekësore. Ku me siguri kontrata e punësimit të specializantëve tanë si dhe zgjerimi i bazës klinike të Fakultetit të Mjekësisë edhe në Spitalet Rajonale mund të kishin një ndikim.
Në kushtet e investimeve kolosale të bëra në sektorin e shëndetësisë dhe në kualifikimin akademik të shumë specialistëve në rrethe, si dhe shtimit të pranimeve në shëndetësi, spitalet rajonale të mund të kthehen në baza klinike të Fakultetit të Mjekësisë. Shembull për këtë është eksperienca e shkëlqyer e Shërbimit Kombëtar Shëndetësor Shqiptar në menaxhimin e Pandemisë anti-Covid 19, ku përveç spitaleve të dedikuar Covid 1, 2, 3, dhe 4; tërë spitalet rajonale u bënë histori suksesi dhe krenarie për sistemin tonë shëndetësor në trajtimin e pandemisë.

***
Unë i përmbahem idesë se Tirana është fat, Shqipëria është e bekuar, aq më tepër Tirana-Shqipëria e ditëve të sotme. Pa le pastaj ajo e nesërmja.
A nuk mendonte Konica i madh njësoj si Sokrati, që nuk është as athinian as grek, por “qytetar i botës”; apo i urti i kohëve moderne Gëte, i cili refuzoi të marrë pjesë në lëvizjen patriotike të Gjermanisë kundër Napoleonit, ngaqë e quante veten “qytetar të botës”, si Sokrati. Bota është atdheu i madh i çdo njeriu të kuptuar do të shprehej Konica ynë.
A nuk u bë Gjergj Kastrioti, Skënder Bej në shkollimin e tij në Perandorinë Otomane të kohës, po babai i shtetit shqiptar, Ismail Qemali, po vetë rilindasit tanë? A nuk bënë shkollime të palidhura me shkollën shqipe: tre B-të e mëdha: Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, a nuk i shkruan ata veprat e tyre në gjuhën latine? Po përfaqësuesit e “epokës së argjendtë”, siç i quante kolosi i letrave shqip, Ismail Kadare, Naim Frashërin dhe Jeronim De Radën? Po çdo e treta pjesë e gjeniut: Poradeci-Noli-Migjeni, këta përfaqësues të “epokës së artë” sipas koncepteve ismailjane ku u shkolluan? Po vetë Ismaili? Po arkitektët dhe konstruktorët e qytetit magjik të Gjirokastrës, që mahniti UNESKO-n, ku u shkolluan dhe i siguruan burimet financiare të nevojshme për këtë?
Po pra, emigruan në kohë të ndryshme, u edukuan po ashtu dhe u kthyen për të dhënë kontributet e tyre aty ku bukës i thonë bukë. Kështu ka ndodhur kordoherë me shqiptarët. Dhe të tjerët. Vetëm një herë nuk janë larguar shqiptarët. Besoj e dini dhe e mbani mend.
Pse atëherë nuk do t’u kthekëkan bijtë tanë sot? Pastaj, sistemet globale i “kthejnë” të larguarit e tyre duke i bashkuar aty ku vlerat dhe kapacitetet ristartohen dhe rishtresëzohen. A nuk jemi duke i zgjeruar edhe ne shtetet e vogla të Ballkanit Perëndimor, Shtetet e Bashkuara të Europës? Pa dyshim. Jemi në start! Ndaj dita që vjen, jo vetëm që i justifikon lëvizjet, por dhe i kërkon e realizon ato, për të krijuar e rikrijuar elitat, tashmë jo thjeshtë kombëtare, e aq më pak të kombeve të vogla, por ato globale të botës së sotme, që ngjan me një eksperiment gjigand panbotëror. Se ndryshe ç’do të qe Shenjtorja Gonxhe Bojaxhi, nobelistja shqiptare për paqen, nëse nuk do të ishte Nënë Tereza e Kalkutës? Po Ferit Murati, ku do ta mbronte Nobelin e tij, pa kontributet në shkencën botërore të kohës? E të tjerë, e të tjerë djem dhe vajza shqiptare, që sot shkëlqejnë në fusha të ndryshme të veprimtarisë njerëzore, kudo nëpër botë. Krenarë për ta!
Me këto në mendje pra, po flas për Fakultetin e Mjekësisë, për atë që na bëri të mendojmë sot, se e djeshmja është atje, teksa na hapi rrugën ne dhe brezit që na pason dhe sot na grish për shpresë e prosperitet! Por, me mjekët është si ajo pema që e mbjell sot dhe frutet ia merr pas dhjetë a pesëmbëdhjetë vjetësh. Kjo ngjajshmëri më bën mua gati të sigurtë edhe për fatin e studentëve tanë të mjekësisë, që fillojnë sivjet fakultetin. Ata duan dhjetë vjet të mbarojnë atë dhe specializimin.
Së paku dhe pesë vjet të tjera, për t’u aftësuar në specialitetet e tyre. Deri atëherë, me siguri Shqipëria do të jetë pjesë aktive e BE, ku sistemi i “enëve komunikuese” për profesionistët e shëndetit do ta ketë vendosur ekuilibrin ikje-kthim!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.