EKONOMI

Zonat e lira ekonomike, qeveria favorizon “investitorët strategjikë”: Fut procedurën jokonkurruese, u jep përparësi bizneseve me status

10:07 - 14.12.22 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këshilli i Ministrave miratoi ndryshime në procedurat dhe kriteret e përzgjedhjes së zhvilluesve për zonat e lira ekonomike, duke u dhënë përparësi “investitorëve strategjikë” që të përfshihen pa garë.




Qeveria vendosi t’u japë përparësi bizneseve që kanë marrë statusin “investitor strategjik” për kontratat në “zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, që janë zona të lira ekonomike, pa taksa. Sipas ndryshimeve të bëra me një VKM në mbledhjen e fundit të qeverisë futet procedura jokonkurruese, nga e cila do të përfitojnë vetëm disa kompani që më parë kanë përfituar statusin e “investitorit strategjik” nga Komiteti i Investimeve Strategjike, KIS, që drejtohet nga Kryeministri Edi Rama.

Ndryshimi prek një VKM të vitit 2015 “Për përcaktimin e procedurave e të kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, ku shtohet një pikë e veçantë që parashikon “procedurë jokonkurruese për përcaktimin e zhvilluesit në rastet e investitorëve me status “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/veçantë”, duke u bazuar në përcaktimet për sektorët e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në ligjin për “Për investimet strategjike”.

Përcaktimi i zhvilluesit, sipas VKM-së, do të bëhet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin të KIS dhe pasi është marrë akti i pronësisë nga Kadastra. Në rastet kur në zonën e shpallur si zonë e lirë ekonomike ka ndërtime pa leje, ato nuk legalizohen, thotë VKM e re, “por trajtohen nga shteti nëpërmjet shpërblimit financiar, programeve financiare të strehimit ose formave të tjera alternative të trajtimit”. Po ashtu, VKM-ja e re përcakton ministrin e Financave dhe Ekonomisë si autoritet për pezullimin e procedurës konkurruese.

Sipas ekspertit të Ekonomisë, Zef Preçi, njëherazi drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, këto ndryshime janë shqetësuese, pasi “dëmtojnë konkurrencën në përzgjedhjen e zhvilluesit, duke futur procedurën jokonkurruese në përcaktimin e tij dhe vendos në një pozitë të privilegjuar klientët e qeverisë”. Ndërsa ndryshimet në përcaktimin e zonës së lirë ekonomike, sipas tij, shtojnë ngarkesën e institucioneve shtetërore për t’u shërbyer “investitorëve strategjike” dhe mundëson shpronësimin nga qeveria të tokës private që vihet në dispozicion të tyre.

“Kjo krijon mundësitë që të përcaktojë qeveria vendndodhjen e ‘zonës së teknologjisë dhe të zhvillimit ekonomik’ dhe mbi këtë bazë të pezullojë procesin e legalizimit dhe ndërtimet në këtë zonë”, thotë Preçi, duke shtuar se VKM-ja merr përparësi mbi ligjet e tjera që rregullojnë pronësinë private mbi pronat e patundshme.

Shqetësues për Preçin është edhe neni që përcakton mënyrat e anulimit të një procedure konkurruese.

“Rrit pushtetin discrecional të ministrit/qeverisë për anulimin e procedurave konkurruese, duke shmangur gjykatat, si dhe duke rritur mundësitë për presion korruptiv mbi investitorët që kanë fituar mbi baza konkurruese”, shtoi ai.

Krijimi dhe funksionimi i zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik është parashikuar në një ligj të vitit 2007 për nxitjen e investimeve në fushën e teknologjisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës, duke u dhënë statusin “zona të lira”, pa detyrime doganore dhe tatime për shoqëritë që do të operonin brenda këtyre zonave.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.