Kronikë

Rrëmbyen, torturuan, vranë dhe më pas dogjën trupin e 60-vjeçarit, zbardhet krimi makabër në Tiranë! Arrestohen 2 autorët

12:15 - 15.12.22 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Identifikohet viktima dhe zbardhet krimi i ndodhur 5 vite më parë në Tiranë, ku u gjet i djegur një person. Viktima është Menduh Shaban Kurt-Deda, lindur në Dibër e banues në fshatin Lukovë të Sarandës.




Në një deklaratë për mediat, drejtori i Policisë së Tiranës bëri me dije se deri më tani janë identifikuar autorët dhe në pranga kanë rënë dy prej tyre. Në krim rezulton e përfshirë një femër dhe djali i saj, i cili është në kërkim.

Policia tha se autorët, e kanë konstatuar viktimën që iu fshihej për një borxh të pashlyer e kanë marrë me forcë dhe e kanë cuar në Allias ku kanë ushtruar dhunë. Më pas e kanë çuar me automjet në Kodër Shupal ku pasi e kanë lidhur 61 vjecarin e dhunuar e kanë djegur me lëndë djegëse.

Deklarata e plotë:

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Lorenc Panganika, konferencë për shtyp, për zbardhjen e një vrasjeje të ndodhur në vitin 2017

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë vijuar punën me qëllim zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, si dhe për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre.

Në këtë kuadër, strukturat hetimore të DVP Tiranë, si rezultat i indicieve të marra falë inteligjencës informative, i kanë kërkuar Prokurorisë së Tiranës, rifillimin e hetimeve për një ngjarje kriminale, kundër personit, të ndodhur në vitin 2017, në vendin e quajtur “Kodër Shupal”, Tiranë.

Strukturat e Sektorit të Hetimeve të Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës të DVP Tiranë, finalizuan operacionin policor të koduar “ASGJË NUK HARROHET”, si rezultat i të cilit u bë i mundur dokumentimin i plotë ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 16.05.2017, në vendin e quajtur “Kodër Shupal”, ku u gjet një kufomë e paidentifikuar, e seksit mashkull, pjesërisht e djegur dhe pjesërisht e dekompozuar.

Pas një pune të mirëfilltë hetimore, mbështetur nga inteligjenca policore, si rezultat i hetimit me metoda speciale, administrimit e vlerësimit në kohë të provave ligjore, si dhe bashkëpunimit me Komisariatin e Policisë Nr. 4 dhe Laboratorin e Policisë Shkencore, u bë i mundur identifikimi i kufomës së gjetur.

Kjo kufomë i përket shtetasit Menduh Shaban Kurt-Deda, lindur më 03.09.1956, në fshatin Sohodoll, Dibër dhe në kohën e ngjarjes, banues në Lukovë, Sarandë.

Gjithashtu, u bë i mundur identifikimi i autorëve të kësaj ngjarjeje, si dhe ndalimi i 2 prej tyre, konkretisht i shtetasve:

-G. N, 39 vjeç dhe M. K., 56 vjeçe, të dy banues në Tiranë.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi B. K, 34 vjeç, banues në Tiranë, djali i shtetases së arrestuar M. K. (aktualisht jashtë shtetit)

Nga tërësia e veprimeve hetimore, të kryera në kuadër të procedimit penal nr. 4682/2017, të rifilluar, rezulton se të 3 këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë kontaktuar në zonën e Xhamllikut, shtetasin Menduh Kurt–Deda, i cili fshihej prej kohësh, si pasojë e një borxhi të pashlyer, e kanë marrë me forcë atë, në automjet, dhe kanë shkuar në zonën e Alliasit, ku kanë ushtruar dhunë ndaj tij.

Më pas, shtetasit B. K. dhe G. N., e kanë transportuar shtetasin Menduh Kurt–Deda, në një zonë pyjore, në vendin e quajtur “Kodër Shupal”, ku pasi e kanë dhunuar dhe lidhur 61-vjeçarin, e kanë djegur atë me lëndë djegëse.

Vijon puna për kapjen dhe vënien para pergjegjesise ligjore të shtetasit B. K, si dhe për dokumentimin e plotë me prova ligjore të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Theksojmë faktin se për vitin 2022, në qarkun e Tiranës, kanë ndodhur 7 vrasje, nga të cilat 5 janë zbardhur. Vijon puna intensive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe duke shkëmbyer informacione me agjencitë e tjera ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit, me qëllim zbardhjen e 2 vrasjeve të tjera dhe për nxjerrjen e autorëve të tyre, përpara përgjegjësisë penale.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mbetet e angazhuar dhe e vendosur per hetimin, zbardhjen e plotë dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, si dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë edhe më shumë me Policinë, me qëllim krijimin e një ambienti sa më të sigurtë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.