LAJMI I FUNDIT

Përplasja e ‘titanëve’ Messi-Mbappe/ Nga milionat te trofetë, në finale dy fenomenët sfidohen me goditje klasi

08:43 - 18.12.22 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sot, në orën 16:00 do të asistojmë në finalen që Kristiano Ronaldo nuk na e dhuroi kurrë. Mbi çatinë e botës janë ngjitur Leo Mesi dhe Kilië Mbape, por të hënën vetëm njëri do të gdhijë si kampion. Njëri 35 e tjetri 24 (i mbush të martën) përgatisin një betejë unike dhe epike, ndaj le të mundohemi të shohim disa aspekte të kësaj lufte mes dy botëve.




PESHA E EKIPIT Me siguri që Mesi vlen më shumë për Argjentinën sesa Mbapeja për Francën. “Gjelat” le ta marrin si kompliment.

Nëse mund të identifikohet një limit i “Albiceleste”-s, në fakt është varësia nga “Pleshti”: Mesi nuk ka luajtur asnjëherë me kombëtare në këto nivele, madje në të kaluarën kishte diferencë të madhe nga mrekullitë që bënte me Barçën. Kupat e tij të mëparshme të Botës nuk ishin të paharrueshme, por duket sikur në këtë 2022- sh ai është fokusuar plotësisht në shansin e fundit të karrierës së tij.

Nëse Deshamps do të ishte në gjendje ta ndalonte, do të ishte një problem për Skalonin pasi deri tani askush nuk ka parë një plan B bindës tek Argjentina. Mesi për më tepër është lider absolut i dhomave të zhveshjes, Mbape jo.

Franca ka më shumë cilësi dhe një lojë që injoron solistët. Grizman është një organizator i gjithanshëm, Teo pothuajse një anësor, Zhiru një shumëfishues i zgjidhjeve sulmuese.

Por sigurisht që Mbape është ylli, ai që “thyen” ndeshjet me aksione të përparuara nga e majta, ose tërheq më shumë mbrojtës pas vetes dhe çliron shokët e skuadrës. Gjithashtu ndaj Marokut krijoi kushtet për gola me goditje të cilat u shfrytëzuan nga Hernandez dhe Kolo Muani.

SUKSESET Nëse shikojmë kurrikulën e përgjithshme, realisht nuk ka konkurrencë. Edhe për moshën e tij, 35 vjeç, Mesi ka fituar shumë më tepër.

Ai ka shijuar gjithçka për klubin dhe kombëtaren. 11 kampionate mes Spanjës dhe Francës, katër Champions, tri Kupa të Botës për Klube, Kopa America, “Finalja e madhe” (në qershor kundër Italisë), madje edhe Olimpiada me Argjentinën. Por atij i mungon suksesi më i rëndësishëm: Kupa e Botës.

“Pleshti” arriti në finale në vitin 2014, por Argjentina e tij humbi në kohën shtesë nga Gjermania. Nuk ishte Mesi i zakonshëm. Nga ana tjetër, “i riu” Mbape, 24 vjeç, ka një dhomë shumë më modeste trofesh, pa kupa ndërkombëtare, por me Francën fitoi Botërorin 2018 si protagonist të madh.

Nëse Franca do të fitonte edhe këtë finale, libri i artë do të sikletoste çdo rival dhe objektivi i radhës do të ishte Pele me tri Kupa Bote.

Nga ana tjetër, një finale për Argjentinën do ta fuste përfundimisht Mesin në mitologjinë e topkëmbës, sepse ai ndoshta do të ishte i vetmi në botë që do të kishte të gjitha turnetë kryesore për kombëtaren dhe klubin (dakord që i mungon vetëm Liga e Europës, por…)

PERSPEKTIVA A do të ketë një numër të ri 1 pas finales? E ardhmja i buzëqesh Mbapesë. Nga viti 2008 e deri më sot, bota e futbollit ka përjetuar një duopol të pabarabartë në histori: Mesi kundër Kristiano Ronaldos.

Rivaliteti Maradona-Pele lindi nga distanca, i ndarë nga gati dy dekada. Pak mbulim mediatik për Pele-Eusebio teksa përballja Zidan-Ronaldo nuk ishte edhe aq jetëgjatë.

Për të mos folur për Krojf-Bekenbauer që për sportdashësit e sotëm është e paimagjinueshme. Regresi i CR7 rrezikon padrejtësisht të fshijë vitet në të cilat u sfidua furishëm me Mesin.

Iniesta, Kaka, Nejmar, Grizman, Modriç, Levandovski u përpoqën të përfshiheshin, por ata të dy ishin gjithmonë në komandë.

Tani njëri prej oligarkëve është praktikisht jashtë loje (CR7), tjetri (Mesi) befas duket po aq i fortë sa kur ishte tridhjetë vjeç, por horizonti i tij është domosdoshmërisht me limite kohorë.

Nga të gjithë pasardhësit e mundshëm, vetëm njërit i është dhënë e drejta e trashëgimisë: Mbapesë. Që nga “Rusi 2018” u kuptua se ai do të bëhej numri një i së ardhshmes.

Ky Botëror mund të nxjerrë renditjen e re, përndryshe francezit i duhet të presë. Megjithatë, jo për shumë vite.

PRECEDENTËT Mbape dhe Mesi janë bashkëlojtarë te PSG-ja (me Nejmarin) që nga viti 2021-’22, kur argjentinasi u largua nga Barcelona mes lotëve të dyshimtë, në këmbim të një kontrate që nuk mund ta merrte kurrë në Spanjë.

Ai iu bashkua Mbapesë në skuadrën ndoshta më “galaktike” të të gjitha kohërave. Por më parë ata ishin rivalë dhe janë përballur në tri raste, në rang klubi dhe kombëtaresh e bilanci është padyshim në favor të francezit: dy fitore dhe një barazim.

mbape mesi

Mesi nuk e ka parakaluar kurrë. Sfida e parë daton në Botërorin e kaluar, FrancëArgjentinë 4-3 në 1/8-at: Mbape fitoi në të gjitha frontet, duke shënuar gjithashtu dy gola dhe duke eliminuar argjentinasit.

Dy ndeshjet e tjera ishin në Champions 2020- ’21, gjithmonë në fazën e 1/8- ave: PSG-ja fitoi (4-1 jashtë, 1-1 në shtëpi), Mbape shënoi 4 gola dhe Mesi 2.

Rezultati përfundimtar individual: Mbape 6 gola dhe 2 asiste, ndërsa Mesi 2 gola dhe 2 asiste.

Gjithsesi, të dielën, takimi në Doha është sfida më e rëndësishme: nuk është një e 1/8 “e thjeshtë”, por finale e një Botërori që sigurisht vlen më shumë se tre precedentë.

Fituesi i merr të gjitha.

statistikat

PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.