AKTUALITET

Bllokada të reja në rrugët e Veriut të Kosovës, policia: Kanë penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë

08:13 - 28.12.22 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në veri të Kosovës janë vendosur dy barrikada të reja, një në Mitrovicë të Veriut dhe një në Zveçan, te vendi i njohur si Shkëmbi i Dudës, konfirmuan Policia e Kosovës.




“Në veri të vendit, gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë. Referuar informacioneve zyrtare, janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda”, tha Policia. Barrikada e vendosur në Mitrovicë të Veriut gjendet tek udhëkryqi i Shkollës Teknike, tha Policia.

Ky lokacion gjendet në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve, që është një vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut. Ndërkaq, barrikada te Shkëmbi i Dudës është vendosur në urën që lidh Mitrovicën e Veriut me rrugën kryesore Prishtinë – Rashkë. Barrikada në Lagjen e Boshnjakëve është e para e vendosur brenda ndonjë qyteti në veri, që kur disa serbë lokalë nisën bllokimin e rrugëve më 10 dhjetor.

Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Serbët lokalë që 18 ditë kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiç dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri. Që kur janë ngritur barrikadat, në veri të Kosovës janë shënuar një numër i incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), patrulla të KFOR-it dhe gazetarët. Më 25 dhjetor, KFOR-i tha se ndodhën të shtëna pranë një patrulle të misionit në Zubin Potok. Kurse, Letonia tha se të shtënat ndodhën drejt njësitit të saj. Misioni i NATO-s në Kosovë ka nisur hetimet për këtë incident. Ndërkaq, Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në veri të Kosovës, duke thënë se synon të garantojë siguri për të gjithë qytetarët.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se “bandat kriminale që mbështeten nga Serbia” qëndrojnë pas barrikadave. Qeveria e Kosovës ka thënë se shteti ka kapacitete që t’i heqë barrikadat, por i ka dhënë kohë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të heqë barrikadat. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se barrikadat do të hiqen kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Po ashtu, më 26 dhjetor, Vuçiç ka urdhëruar që forcat e armatosura dhe njësitë policore të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.