AKTUALITET

Vrasja e Pjerin Xhuvanit/ Prokuroria listë me 59 dëshmitarë, por asnjë politikan. Avokatja e familjes: Të hetohet edhe…

08:17 - 28.12.22 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas shumë seancave të dështuara, dosja për vrasjen e Pjerin Xhuvanit ka kaluar për gjykim. Në listën 59 dëshmitarëve që do të thirren për të dëshmuar, asnjë prej tyre nuk është i rangut politik. Në listën e 59 personave që ka përpiluar Prokuroria për të dëshmuar për ngjarjen e rëndë, janë efektivë policie, banorë të zonës dhe anëtarë të strukturës së Partisë Demokratike për mbrojtjen e votës.




Midis personave të thirrur është edhe Mehmet Greca, i akuzuar nga opozita si i përfshirë në ngjarjen e regjistruar më 21 prill të vitit të shkuar pas një përplasjeje midis mbështetësve të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Përplasja u shoqërua nga të shtëna me armë, ku mbeti i vrarë Xhuvani dhe u plagosën katër persona të tjerë, përfshirë një efektive policie. Ndërsa një pjesë e gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes nuk janë zbuluar se nga cila armë janë qitur, ajo që është e faktuar tanimë është autorësia e vrasjes së Xhuvanit nga ishefektivi i Forcave RENEA, Arbër Paplekaj.

Avokatja mbrojtëse e familjes Xhuvani, deklaroi se seanca e radhës do të zhvillohet më 9 janar. Ajo ka kërkuar që të hetohet edhe përgjegjësia e punonjësve të Policisë që ndodheshin në vendin e ngjarjes dhe që nuk ndërhynë për ta parandaluar atë. “Jam shumë e kënaqur që trupi gjykues vendosi të aprovojë kërkesën time për t’u krijuar si palë civile edhe bashkëshortja e viktimës.

Në këtë betejë, në të cilën përfaqësoj të drejtat e familjarëve të viktimës është e nevojshme që të verifikohet e vërteta në çdo aspekt të saj sepse vetëm kështu mund të bëhet drejtësi e vërtetë. Në këtë proces do të duhet të vlerësohet përgjegjësia e shumë policëve që ishin të pranishëm në vrasje dhe nuk ndaluan që i afërmi i të asistuarve të mi të mos ishte vrarë. Dhe mbi të gjitha duhet të vlerësohet përgjegjësia e atij që atë ditë në Elbasan kishte mbërritur i armatosur me pistoletë dhe vrau mjekun dhe aktivistin politik Pjerin Xhuvani”, deklaroi Tahiraj.

PROCESI

Gjykata e Lartë nuk ka pranuar kërkesën e avokatëve mbrojtës të Arbër Paplekajt për të transferuar procesin gjyqësor nga Elbasani në Tiranë. Vendi u bë i ditur nga avokatja mbrojtëse e familjes së Pjerin Xhuvanit, i vrarë me armë zjarri katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit të shkuar. Gjithashtu, Gjykata ka refuzuar të ndaj procesin gjyqësor me të pandehurit e tjerë.

Në seancën e kaluar ish-nën drejtori Nikollaq Palla kërkoi dhe paraqiti prova për ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest shtëpie” në “Detyrim paraqitje”, por gjykata e rrëzoi kërkesën e bërë. Për organin e akuzës, Paplekaj është autori i dyshuar i vrasje së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të 25 prillit. Sipas Prokurorisë, në incidentin e rëndë që shoqëroi fushatën zgjedhore, ka rezultuar se Arbër Paplekaj, përveç viktimës, ka qëlluar me armën e tij edhe efektiven e Policisë Xhensila Sota, e cila kishte mbërritur në vendin e ngjarjes për të ndërhyrë në konfliktin mes shtabeve elektorale të PS-së dhe PD-së.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.