AKTUALITET

Yield-et e Bonove 12-mujore pësojnë rënie të ndjeshme, zbresin në 5.47%

09:39 - 28.12.22 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Yield-et e Bonove 12-mujore të thesarit pësuan një rënie të ndjeshme në ankandin e kësaj jave.




Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar i Bonove me maturim 12 mujor zbriti në 5.47%, nga 5.8% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, në fund të muajit nëntor.

Yield-i mesatar ra për të dytin ankand radhazi, por këtë herë me një interval shumë më të lartë. Pjesëmarrja e lartë në ankand ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë rënie. Nga 10 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga qeveria (nga e cila 2 miliardë lekë e rezervuar për Bankën e Shqipërisë), në ankand u paraqitën gjithsej kërkesa në vlerën e 16.3 miliardë lekëve.

Rënia e yield-eve dhe rritja e kërkesës së investitorëve mund të shpjegohet me disa faktorë. Javën e kaluar, Banka e Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.75%, pasi e kishte rritur atë për tre mbledhje radhazi me nga 0.5 pikë përqindje.

Kjo forcoi besimin mes investitorëve se tashmë faza më agresive e rritjes së normës bazë ka kaluar dhe në vazhdim rritja pritet të jetë më graduale. Pritshmëritë kishin luajtur një rol të rëndësishëm në ecurinë e yield-eve, duke shkaktuar një rritje edhe më të lartë se rritja e normës bazë të interesit.

Lëvizjet e politikës monetare përgjithësisht reflektohen shumë shpejt në tregun primar të instrumenteve të borxhit të qeverisë, ndaj mbajtja e pandryshuar e normës bazë vlerëoshet se ka pasur një ndikim të rëndësishëm në rezultatin e ankandit të kësaj jave.

Ngadalësimi i normalizimit monetar ka çliruar disi pasigurinë e investitorëve të mëdhenj dhe ka rritur kërkesën në ankande. Vlerësohet se një ndikim ka dhënë edhe ndryshimi në politikën e investimit të njërës prej bankave më të mëdha në treg. Banka në fjalë ka rritur limitin e ekspozimit kreditor ndaj qeverisë shqiptare dhe besohet se kjo ka ndikuar në shumat e pjesëmarrjes së saj në ankandet e Bonove dhe Obligacioneve.

Sinjalet e ngadalësimit të kredisë bankare në muajt e fundit gjithashtu janë një faktor që nxisin rritjen e investimit të bankave në ankandet e Bonove.

Megjithëse në një masë më të vogël, një ndikim në rritjen e kërkesës në muajt e fundit vlerësohet se ka pasur edhe nga investitorët e vegjël, sidomos individë. Rritja e ndjeshme e yield-eve i ka bërë Bonot instrumente më joshëse, duke bërë që një pjesë e kursimeve të individëve të zhvendosen nga depozitat bankare.

Rënia e yield-eve është një zhvillim pozitiv për qeverinë shqiptare, por edhe për huamarrësit në monedhën vendase. Huamarrësit në lekë janë goditur ndjeshëm këtë vit nga rritja e yield-eve, që përfaqësojnë edhe normën benchmark mbi të cilën kuotohet interesi i kredive afatgjata në lekë. Kjo ka shkaktuar një rritje shumë të fortë të interesit total të kredisë në rivlerësimet që janë bërë në pjesën e dytë të këtij viti dhe rrjedhimisht këste mujore më të larta./MONITOR

Burimi: BSH


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.