EKONOMI

Raporti i vitit 2021/ Të ardhurat për frymë u rritën më pak se ekonomia

07:22 - 05.01.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në vitin 2021 ekonomia e vendit u zgjerua me 8.5 për qind nga rritja e kërkesës pas krizës pandemike, por të ardhurat e shqiptarëve në të njëjtin vit u rritën me vetëm 2.6% raportoi INSTAT.




Të ardhurat mesatare mujore për frymë arritën në 30,962 lekë në vitin 2021 sipas “Anketës se të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës”, nga 30,169 lekë që ishin në vitin 2020.

Ekonomia shqiptare vuan nga probleme strukturore, të cilat nuk sigurojnë një shpërndarje të drejtë të rritjes ekonomike. Përgjatë të gjithë periudhës së tranzicionit ekonomia u zgjerua me ritme shumë më të shpejta se sa të ardhurat duke reflektuar rritjen e pabarazisë në vend.

Modeli ekonomik i bazuar tek ndërtimi përqendron përfitimet e rritjes ekonomike, ndërsa mungojnë investimet në degë që nxisin inovacionin dhe të ardhurat për shumicën e popullsisë.

Në vitin 2020 kur ekonomia globale dhe ajo shqiptare pësuan rënie historike nga kriza ekonomike që krijoi pandemia Covid -19, ne të kundërt të ecurisë ekonomike të ardhurat për frymë të shqiptarëve pësuan rritje. PBB-ja e vendit tone ra me 4% me 2020, por në të njëjtin vit të ardhurat për frymë u rriten me 8%.

Ritmet e dobëta të rritjes se të ardhurave janë bërë shkak për një tranzicion të fortë demografik, ku forca e punës po emigron me synimin kryesor për të përmirësuar mirëqenien. Anketat kanë zbuluar se 80 për qind e popullatës zgjedh të lërë vendin kanë për arsye ekonomike.

Vala e vazhdueshme e emigracionit rrezikon të përkeqësojë më të tej mundësitë për zhvillim, pasi ikja e moshave të reja ka ndryshuar strukturën e popullsisë banuese në vend ku dominon mosha e vjetër, e cila përveçse rrit kostot e mbrojtjes sociale dhe shëndetit publik nuk çon para inovacionin.

Institucionet financiare ndërkombëtare sugjerojnë se, modeli i rritjes ekonomike të Shqipërisë ka nevojë për investime më të mëdha në aftësimin e kapitalit njerëzor, produktivitetin e firmave, qëndrueshmërinë si dhe financat publike.

Banka Botërore ka analizuar se, PBB-ja për person të punësuar në Shqipëri do të rritej me 40% nëse bizneset shqiptare do të kishin të njëjtin nivel produktiviteti me atë të një firme mesatare në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për të rritur produktivitetin e firmave shqiptare, kërkohet përmirësim i mjedisit të biznesit, forcim i inovacionit dhe thellim i procesit të integrimit të shqiptarëve në ekonominë globale./ monitor.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.