Sociale

Muxhahedinët sa paqësore, aq bamirës e miqësorë!

18:03 - 11.01.23 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Llesh Çuni 




Vite më parë, po të më kishit pyetur se kush janë muxhahedinët iranianë, nuk kisha një ide të qartë dhe as emrin e tyre nuk e kisha dëgjuar derisa erdhën pranë Manzës në vitin 2018 dhe u vendosën në një kompleks të madh.

Njëri prej tyre më telefonoi në vitin e parë dhe më tha se kishin një projekt bamirësie me syze falas dhe se mund t’u thosha fqinjëve tanë të vinin për të bërë një ekzaminim të syve dhe për të marrë syze falas.

Shkova në zonë dhe informova disa nga banorët e qytetit. Të gjithë erdhën për të përfituar nga kjo nismë. MEK janë shumë të organizuar dhe respekti që treguan ndaj popullit shqiptar ishte mbresëlënës dhe diçka e re për mua.

Një vit më pas, ky projekt u zbatua sërish në Ashraf3 në një shkallë më të gjerë. Mijëra shqiptarë u vizituan nga mjekë amerikanë dhe morën syze falas. Kësaj radhe për mua ishte shumë e dukshme afërsia e banorëve me muxhahedinët. Në këto pak vite, ata kanë krijuar një marrëdhënie të ngushtë shoqërore me banorët e zonës së tyre dhe kam dëgjuar se kanë ofruar mundësi pune për banorët e zonës dhe kanë ndarë me ta ushqimet bazë të tyre.

Në të njëjtin vit, një tërmet tronditi Shqipërinë.

Banorët e Durrësit pësuan dëme të shumta. Kësaj radhe muxhahedinët u turrën në ndihmë të atyre që vuajtën pasojat e tërmetit.

Një mik në Durrës më tha se disa grupe nga Ashraf 3 shkonin atje me autobus disa ditë rresht. Ata shkonin rregullisht dhe të organizuar nga Manza në Durrës dhe në stadiumet ku njerëzit mblidhnin sendet që u nevojiteshin. Atje, anëtarët e MEK përgatisnin pakot për t’ua dhënë njerëzve. Në fund, pastronin çdo gjë dhe largoheshin.

Më vonë pashë në media foto të zonjës Maryam Rajavi, e cila pak ditë para natës së Krishtlindjeve kishte shkuar tek viktimat e tërmetit në Manzë dhe kishte shprehur solidaritetin e saj duke u shpërndarë dhurata njerëzve të prekur ng termeti.

Ndihmat për banorët e zonës vazhduan në çdo rast feste.

Në festat fetare si Fiter Bajrami dhe Kurban Bajrami dhe çdo Vit të Ri, muxhahedinët, të cilët janë të gjithë myslimanë, shpërndajnë pako me ndihma tek banorët e zonës; është interesant fakti që ata i kanë bërë këto gjëra pa asnjë propagandë për veten e tyre dhe askush nuk e dinte se nga vinin këto ndihma.

Këtë vit, mjekët bamirës amerikanë erdhën në Shqipëri të ftuar përsëri nga Muxhahedinët në Ashraf3. Ata ofruan shërbime falas për qytetarët e Durrësit, Tiranës dhe Kukësit për katër ditë dhe u dhanë syze falas mijëra njerëzve që kishin nevojë për to.

Në të gjitha këto raste vras mendjen: këta njerëz, të larguar nga shtëpitë e tyre, vendlindja dhe familjet e tyre, që iu është dashur të kalojnë shumë mundime, të burgosen dhe të torturohen për të arritur lirinë; që kanë humbur shumë nga familjarët e tyre më të afërt dhe përballen me shumë probleme financiare, shpenzime etj.; ç’nevojë kanë për të menduar për popullin shqiptar dhe për ta ndihmuar atë? Nga vijnë këto shpenzime?

Kam pyetur një nga anëtarët e MEK dhe ai më tha: “Kjo është tradita jonë. Të njëjtat marrëdhënie kemi pasur edhe me fqinjët tanë në Irak dhe vendet e tjera ku banojnë Muxhahedinët. Ne i ftonim fqinjët tanë në të gjitha organizimet dhe festat tona dhe shkonim në shtëpitë e tyre. Ne ndajmë gjithçka që kemi me njerëzit përreth nesh. Kjo është tradita jonë.”

Këto fjali dhe kjo mënyrë e të punuarit ma shtuan respektin për ata që jetojnë dhe luftojnë për liri në vendin e tyre. E kam për detyrë që, edhe pse ata nuk thonë asgjë për veprimet e tyre, unë ta ndaj këtë me bashkatdhetarët e mi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.