AKTUALITET

Drejtuesja e Shoqatës Mjekësore të Turqisë dënohet për propagandë terrorizmi

15:41 - 13.01.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një gjykatë turke dënoi drejtuesen e Shoqatës Mjekësore të Turqisë nën akuzat për propagandë terrorizmi, ndërsa grupet e të drejtave të njeriut paralajmërojnë për një shtypje në rritje të shoqërisë civile përpara zgjedhjeve të këtij viti. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones njofton nga Stambolli.




Përballë një pranie të madhe policore, mjekë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe shoqatave mjekësore nga e gjithë bota u mblodhën të mërkurën pranë gjykatës së Stambollit për të kërkuar lirimin e Shebnem Korur Fincancit, drejtuese e Shoqatës së Mjekëve të Turqisë.

Por pa dobi. Zonja Fincanci, një mjeke e njohur e kriminalistikës, u dënua për përhapjen e propagandës terroriste pasi bëri thirrje për një hetim të pavarur mbi pretendimet se ushtria turke përdori armë kimike kundër militantëve kurdë në Irak, një akuzë që ushtria turke e mohon fuqishëm.

“Kjo çështje gjyqësore nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. Ky është një vendim skandaloz”, thotë Ozturk Turkdogan me Shoqatën e të Drejtave të Njeriut.

Ajo u dënua me 2 vjet e 8 muaj. Gjykata po ashtu vendosi që ajo të lirohet në pritje të apelit. Ajo mbahej e burgosur që kur u arrestua në tetor. Në Turqi, të dënuarit nën 5 vjet, rrallë herë dërgohen në burg për të vuajtur dënimin.

Dënimi i zonjës Fincanci, një mjeke e shquar dhe anëtare drejtuese e shoqërisë civile turke, shihet nga grupet e të drejtave si një mesazh i fuqishëm politik.

“Është një veprim krejtësisht disproporcional të ndjekësh penalisht dikë si Shebnem Korur Fincancin. Çështja më e madhe këtu është se autoritetet, qeveria, janë shumë të pakënaqur me Shoqatën Mjekësore të Turqisë, sepse ajo ka qënë kritike dhe ka bërë deklarata kritike për çështjet shëndetësore”, thotë Emma Sinnclair Webb me organizatën “Human Rights Watch”.

Zonja Fincanci, drejtuese e Shoqatës së Mjekëve të Turqisë, ishte një mbështetëse e hapur e mjekëve që protestuan ndaj kushteve dhe trajtimit të qeverisë ndaj pandemisë së Covid-it. Me shumicën e mediave nën kontrollin e qeverisë, shoqëria civile e Turqisë është një nga zërat e fundit që vazhdon të jetë kritike ndaj qeverisë.

Filantropisti Osman Kavala, një mbështetës i njohur i shoqërisë civile turke, mbetet i burgosur për një çështje që është dënuar gjerësisht si e motivuar politikisht, akuzë që qeveria e mohon me forcë. Grupet e të drejtave paralajmërojnë se presioni mbi shoqërinë civile ka të ngjarë të rritet me zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen në qershor të këtij viti.

“Presioni do të rritet sepse tani jemi në proces zgjedhor. Ata, natyrisht, do të vënë në shënjestër OJQ-të, mbrojtësit e të drejtave të njeriut apo zërat kritikë. Sepse çdo regjim autoritar, në çdo vend, në Rusi, në Bjellorusi, në Hungari, Poloni – ka si objektiv të parë të vërtetën. Pra, ata sulmojnë transmetuesit e së vërtetës” thotë Sinan Gokcen

Por mbështetësit e zonjës Fincanci e shohin lirimin e saj nga burgu si një fitore të vogël.

“Jam shumë e lumtur që ju kam të gjithëve. Ne do të vazhdojmë të luftojmë. Kjo luftë nuk do të përfundojë derisa dashuria të triumfojë” tha Sebnem Korur Fincanci.

Shumë nga mbështetësit e saj janë udhëheqës të shoqërisë civile të Turqisë dhe shumë janë të vetëdijshëm se po jetojnë gjithnjë e më shumë nën hijen e arrestimit dhe ndjekjes penale./VOA


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.