AKTUALITET

Zgjedhjet e “14 majit”/ Presidenti Begaj takon Celibashin: Të zbatohet Kodi Zgjedhor (Thirrja për partitë politike)

15:57 - 16.01.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e KQZ-së Ilirjan Celibashin, në kuadër të punës përgatitore për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 14 maj.




Kreu i shtetit ka ndarë çështjet, që ka diskutuar me Celibashin, ndërsa fton subjektet politike të zbatojnë ligjin dhe të zhvillojnë garë të ndershme.

Postimi i Presidentit:

Ftova sot në Institucionin e Presidentit të Republikës, Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi për të diskutuar mbi përgatitjet e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Gjithashtu vura theksin për rëndësinë që kanë këto zgjedhje jo vetëm si mundësi e mirëpritur për të shprehur vullnetin politik, por edhe si provë e rëndësishme maturie për vetë sistemin tonë demokratik.

Në bisedën me zotin Celibashi u ndala në domosdoshmërinë që ka zbatimi i Kodit Zgjedhor dhe udhëzimeve të KQZ-së nga të gjitha institucionet qendrore dhe vendore me detyrimin për të mos përdorur veprimtaritë dhe burimet publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve të tyre në fushatë.

Gjej rastin t’i bëj thirrje publike të gjitha subjekteve të këtij ligji që ta zbatojnë atë me përpikmëri dhe të inkurajoj KQZ-në për një monitorim e zbatim korrekt të tij. Të gjithë shqiptarët dëshirojnë një garë të ndershme dhe të barabartë të kandidatëve në fushatë. Nëpërmjet zbatimit të ligjit ne ua garantojmë këtë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.