AKTUALITET

Kancelari gjerman, Scholz: Nuk bëhet fjalë për dërgimin e avionëve luftarakë apo forcave tokësore në Ukrainë!

21:08 - 29.01.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Nuk bëhet fjalë për dërgimin e avionëve luftarakë apo dërgimin e forcave tokësore në Ukrainë”, thekson kancelari Olaf Scholz dhe paralajmëron rrezikun e “ofertave të përhershme” për sistemet e armëve. Ai rithekson se kusht për normalizimin e situatës në Ukrainë është tërheqja e forcave ruse dhe se synimi mbetet parandalimi i një konfrontimi mes NATO-s dhe Rusisë.




“Do të flas përsëri me (Vladimir) Putinin, sepse është e nevojshme të flasim me njëri-tjetrin. I takon atij që të tërheqë trupat nga Ukraina dhe t’i japë fund kësaj lufte të tmerrshme dhe të pakuptimtë që ka kushtuar jetën e qindra mijëra njerëzve.

Për sa kohë që Rusia vazhdon luftën me agresion të pandërprerë, situata aktuale nuk do të ndryshojë”, deklaron z. Scholz në një intervistë për Tagesspiegel dhe sqaron se bisedimet e tij me presidentin rus të deritanishëm “nuk janë zhvilluar me ton të vrazhdë”, por zoti Putin e ka bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se ai synon “të integrojë me forcë pjesë të vendit të tij fqinj”. Kjo është e papranueshme, thotë kancelari.

I pyetur për mundësinë që aleatët perëndimorë të dërgojnë avionë luftarakë ose forca tokësore në Ukrainë, Olaf Scholz foli për “rrezikun e vazhdimit të ofertave për sistemet e armëve” dhe e bëri të qartë se Berlini do të vazhdojë të marrë vendime në koordinim me partnerët e tij ndërkombëtarë, por as që ngrihet çështja e avionëve apo ushtrisë.

“Kur nuk është marrë një vendim dhe fillon debati i radhës në Gjermani, kjo nuk është shenjë serioziteti dhe lëkundet besimin e qytetarëve në vendimet e qeverisë. Diskutime të tilla nuk duhet të bëhen për hir të rritjes së profilit politik të brendshëm”, thekson ai me një sy në vendimin e fundit për dërgimin e tankeve ‘Leopard 2’ në Ukrainë.

“Një kancelar gjerman që e merr seriozisht betimin e tij duhet të bëjë gjithçka që lufta e Rusisë kundër Ukrainës të mos kthehet në luftë mes Rusisë dhe NATO-s”, nënvizon zoti Scholz, duke shtuar se për momentin nuk ka një luftë të tillë dhe ai “nuk do të lejojë këtë lloj përshkallëzimi”. Këtë synim e ndajnë të gjithë në qeveri, sqaron ai, në një referencë indirekte ndaj ministres së Jashtme Analena Burbok, e cila javën e kaluar shkaktoi një reagim të ashpër me deklaratën e saj se “ne nuk po luftojmë mes vete, por kundër Rusisë”.

Kancelari i referohet edhe reagimit “dinamik” të Gjermanisë ndaj krizës energjetike, me zhvillimin e burimeve alternative, furnizimin me gaz natyror nga Norvegjia dhe vende të tjera dhe masat për të përmirësuar çmimet. “Falë të gjitha këtyre nismave, ‘përpjekjet e turpshme’ të Alternativës për Gjermaninë (AfD) dhe të Majtës për të kapitalizuar frikën e qytetarëve kanë dështuar. “Nuk patëm një “Dimër të tërbimit”. Në këtë pikë u tregua forca e demokracisë sonë, e ekonomisë sonë dhe e shtetit tonë shoqëror”, thotë Olaf Scholz.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.