AKTUALITET

GJKKO jep vendimin/ Kryebashkiaku i Mallakastrës dënohet me 40 orë punë publike

14:09 - 02.02.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit shpalli më 2 shkurt vendimin për dënimin e Kryebashkiakut të Mallakastrës Qerim Ismailaj me 6 muaj burg. Por me shkurtim të vendimit, atij i konvertohet dënimi në kryerjen e 40 orëve punë publike, raporton gazetari i PANORAMA TV.




GJKKO e shpalli fajtor kryebashkiakun për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

“Në aplikim të nenit 63 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin Qerim Ismailaj dhe detyrimin për kryerjen e një pune në interes publik, pa shpërblim, për një kohë prej 40 (dyzet) orësh, e cila do të përmbushet brenda afatit prej 6 muajsh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës”, thuhet në vendimin e gjykatës.

VENDIMI

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me:

GJYQTARE – Irena GJOKA

Asistuar nga sekretare gjyqësore Bora TOTOLAKU, sot, në Tiranë, më datë 02.02.2023, në seancë gjyqësore, mori në shqyrtim çështjen penale nr.35/112 Regjistri, datë 05.10.2022 regjistrimi, me:

KËRKUES: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e
përfaqësuar nga prokurori Adnan Xholi.

I PANDEHUR: Qerim Ismailaj, i biri i Ismail-it dhe i Yllnore-s, i datëlindjes 17.05.1974,
lindur në fshatin Çorush, Mallakastër dhe banues në fshatin Anëbreg,
Nr.076, H.0. Ap.00, Kutë, Mallakstër, me gjëndje civile i martuar, me
gjëndje gjyqësore i padënuar, me arsim të lartë, me shtetësi shqiptare,
mbrojtur në gjykim nga ana e av.Andi Skënderi, antëtar i Dhomës Vendore
të Avokatisë Tiranë.

AKUZUAR: Për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i
formularëve” parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal.

Gjykata, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pasi dëgjoi palët në konkluzionet përfundimtare dhe vlerësoi çështjen në tërësi, bazuar në nenet 112 pika 1 dhe 2, 379 pika 1, 384, 390 pika 1, 393 pika 2, 406/1, 415 pika 1 dhe 422 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale

VENDOSI:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Qerim Ismailaj për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 6 (gjashtë) muaj burgim.

2.Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin përfundimtar të të pandehurit Qerim Ismailaj me 4 (katër) muaj burgim.

3. Në aplikim të nenit 63 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin Qerim Ismailaj dhe detyrimin për kryerjen e një pune në interes publik, pa shpërblim, për një kohë prej 40 (dyzet) orësh, e cila do të përmbushet brenda afatit prej 6 muajsh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës.

4. Kundër vendimit, lejohet ankim nga palët, brenda 15 (pesë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.

U shpall në Tiranë, sot me datë 02.02.2023


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.