AKTUALITET

“Vila e barit” në Vlorë, 6 të arrestuar, 2 faturistë të OSHEE. Si nisi konflikti për punimin e tokës që çoi në zbulimin e kultivimit të kanabisit

11:07 - 11.02.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Policia e Vlorës prej disa javësh kishte informacione se në një vilë në mes të qytetit bregdetar në lagjen “10 korriku” kultivohej kanabis me llamba.




Policia e mbajti nën vëzhgim vilën luksoze 3-katëshe me këtë sipërfaqe të madhe, rrethuar me mure të larta, garazhe makinash e sistem kamera sigurie, brenda së cilës gjatë momenteve të monitorimit nuk jetonte asnjë person. Efektivët mund ta kishin zgjatur edhe më shumë në kohë vëzhgimin e vilës për të kapur krerët e grupit kriminal, por të enjten e 9 shkurtit pasdite, një person hyri me shpejtësi brenda vilës.

Policisë së Vlorës iu desh të ndërhyjë. Forcat ‘Shqiponja’ dhe efektivë të komisariatit të Vlorës po e ndiqnin pasi dyshohej se kishte plagosur një person po në lagjen “10 korriku” ku ndodhej vila. Në duart e Policisë ra Ledjon Zahaj, 38 vjeç. Vila që zgjodhi për strehim ishte në pronësi të kunatit të tij, Lorenc Xhaferi, 42 vjeç, i cili u shpall në kërkim. Një veprim i pamenduar që i kushtoi shtrenjtë.

Dy katet e vilës së luksit, i pari dhe i treti ishin kthyer në laboratorë për kultivimin e kanabisit me llamba, ndërsa e gjithë vila tashmë është sekuestruar. “Nga kontrolli në të dyja katet e vilës, u gjetën dhe u sekuestruan 534 bimë narkotike të kultivuara në vazo, 11 kilogramë lëndë narkotike në formë bohçeje, 5 ventilatorë, 4 aspiratorë, 3 kondicionerë, 100 reflektorë, 23 impiante ngrohëse, 69 llamba, 6 filtra ajri, 1 armë gjahu, 3 aparate celulare, 1 automjet dhe sende të tjera të që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave”, tha Ermal Muça, drejtor i Policisë së Vlorës.

PLAGOSJA QË ÇOI NË ZBULIMIN E VILËS ME DROGË

Dëfrim Pashaj po punonte tokën pranë vilës së kanabisit dhe Ledjon Zahaj i ka kërkuar llogari nga oborri që të mos punojë tokën afër pronës së kunatit të tij. Pas sherrit fizik, Zahaj ka qëlluar me armë gjahu duke lënë të plagosur 40-vjeçarin. Kjo supervilë në mes të Vlorës, e cila, edhe nëse nuk do të kultivonte kanabis, do kishte fatura të majme të energjisë elektrike, i ka verbuar me lekë sytë e elektricistit Edmond Begaj, 26 vjeç, dhe faturistit Gentjan Metushi, 44 vjeç, të cilët u ndaluan nga Policia.

Prokuroria nga ana e saj po kryen lëvizje për të sekuestruar të gjitha pasuritë e krijuara nga droga, por ka dyshime se Lorenc Xhaferi, një pjesë të mirë të pasurive, përfshirë edhe një hotel “Florence” me vlerë 4 deri në 5 milionë euro në Lungomare, t’i ketë ngritur në aktiviteti kriminale jashtë vendit, jo vetëm në trafikun e drogës, por edhe në fushën e prostitucionit. Në të njëjtën kohë, forcat e Policisë zbarkuan edhe në fshatin Kropishtë të Selenicës, ku brenda një stani gjetën jo panoramën e vilës së mbushur me bimë kanabisi gati për t’u korrur, por kryesisht mbetje kanabis sativa të tharë dhe pajisjet që ishin dashur për kultivimin. Në këtë rast, trafikantët duket se e kanë kryer misionin deri në daljen në treg të kanabisit.

Pronari i ambientit, Dritan Koçiraj, 45 vjeç, u arrestua dhe u shpall në kërkim vëllai i tij bashkëpunëtor, Përparim Koçiraj, 55 vjeç. “U gjetën dhe u sekuestruan 87 llamba, 12 transformatorë të vegjël elektrikë, 6 ventilatorë elektrikë, 4 kondicionerë dhe materiale bimore të dyshuara narkotike cannabis sativa”, tha Muça. Edhe në këtë rast, ata që kanë bërë një sy qorr ndaj aktivitetit kriminal janë një faturist, Niko Dhima, 39 vjeç, dhe përgjegjësi i grupit të elektricistëve të OSHEE më Vlorë, Florjan Çaushaj, 34 vjeç. Operacioni vijoi edhe në fshatin Kropishtë të Selenicës, ku gjatë kontrollit në pronësi të Dritan Koçirajt u gjetën dhe u sekuestruan 87 llamba, 12 transformatorë të vegjël elektrikë, 6 ventilatorë elektrikë, 4 kondicionerë dhe materiale bimore të dyshuara narkotike kannabis sativa.

ÇFARË U GJET NË VILËN E VLORËS

534 bimë narkotike të kultivuara në vazo

11 kilogramë lëndë narkotike ruheshin nga kamera sigurie

87 llamba

12 transformatorë të vegjël elektrikë

4 kondicionerë 23 impiante ngrohëse

69 llamba

6 filtra ajri

1 armë gjahu

3 aparate celulare 1 automjet


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.