EKONOMI

Rritja e sektorit bankar u përgjysmua në vitin 2022, bilanci u euroizua edhe më shumë

15:30 - 14.02.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rritja e sektorit bankar u ngadalësua ndjeshëm vitin e kaluar.




Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2022 totali i aktiveve të sektorit bankar arriti në 1.877 trilionë lekë, në rritje vjetore me 5.8%, ndërkohë që një vit më parë rritja kishte qenë më shumë se dy herë më e lartë, në nivelin 12.2%.

Faktorët kryesorë në ngadalësimin e rritjes së sektorit vlerësohet se ishin rritja më e vogël e depozitave, që përbëjnë edhe burimin kryesor të ndërmjetësimit financiar, por pjesërisht një efekt negativ ka dhënë edhe nënçmimi i euros në kursin e këmbimit, që ka ulur vlerën statistikore ekuivalente në lekë të aktiveve në monedhën europiane.

Mjetet në valutë të huaj vazhdojnë të kenë peshën më të madhe në strukturën e aktiveve të sektorit bankar. Në fund të vitit 2022, pesha e tyre arriti në 52.7%, nga 52% që kishte qenë një vit më parë.

Kjo rritje është përcaktuar kryesisht nga fakti se edhe rritja e depozitave vitin e kaluar erdhi sidomos në segmentin e depozitave në valutë të huaj.

Ndërkohë, rritja e depozitave në lekë u ngadalësua, për shkak të efekteve të inflacionit në buxhetet familjare, por edhe si rezultat i një zhvendosje e interesit të individëve për të investuar në bono dhe obligacione qeveritare, të joshur nga rritja e shpejtë e yield-eve.

Kredia kryesoi strukturën e aktiveve të sektorit edhe për vitin e kaluar, me një vlerë bruto prej 712 miliardë lekësh ose sa 37.9% e vlerës së aktiveve totale të sektorit. Vlera e portofolit të kredisë u rrit me 6.5% krahasuar me një vit më parë. Edhe për kredinë, rritja është ngadalësuar nga niveli 10.2% i vitit 2021.

Rritja e shpejtë e normave të interesit gjatë vitit të kaluar dhe shtimi i rreziqeve për shkak të situatës makroekonomike kanë sjellë një ngadalësim të kreditimit, të shprehur sidomos në gjysmën e dytë të vitit 2022.

Zëri i dytë më i rëndësishëm në strukturën e aktiveve vazhdojnë të jenë investimet në letra me vlerë, që në fund të dhjetorit 2022 zinin rreth 32.9% të vlerës së bilancit të sektorit bankar. Investimet në letra me vlerë janë rritur me një ritëm pak më të ngadaltë se kredia, rreth 6.2% me bazë vjetore.

Rritja e shpejtë e yield-eve, në fakt, krijoi një lloj pasigurie të bankave rreth investimit në instrumente financiare. Për shkak të pritshmërive për një rritje të mëtejshme të yield-eve, për disa muaj me radhë bankat preferuan të shtyjnë investimet. Megjithatë, vlera e ekspozimit të tyre në instrumentet e borxhit, kryesisht ato të qeverisë shqiptare, ka vijuar rritjen edhe gjatë vitit 2022.

Ndërkohë, gjatë vitit 2022 është vërejtur një tendencë e dukshme e ngadalësimit të rritjes së investimeve të bankave jashtë vendit, e shprehur në vlerën e aktiveve jorezidente. Ky zë i bilancit në fund të vitit 2022 kishte vlerën e 396 miliardë lekëve ose sa 21% e totalit të aktiveve të sektorit bankar.

Për vitin 2022 vlera e këtyre aktiveve u rrit me 1.3%, ndërsa një vit më parë rritja kishte qenë shumë më e lartë, me 17.2%. Rritja e aktiveve jorezidente ngelet e lidhur, në një masë të madhe, me euroizimin e lartë të depozitave të sektorit dhe me pamundësinë për t’i investuar të gjitha depozitat në euro në kredi për ekonominë shqiptare./E.Shehu

Burimi: BSH


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.