LAJMI I FUNDIT

‘Sot 64 vite bashkë’/ Çifti tregon historinë e dashurisë dhe fejesën e tyre që në djep: Unazën ia çova kur ishte 1 vjeç!

10:51 - 14.02.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në ditën e Shën Valentinit 14 shkurt Pjetër dhe Marta Nikolla janë një çift bashkëshortësh kanë treguar historinë e tyre të dashurisë.




Pjetër dhe Marta tregojnë se janë fejuar që në djep dhe sot janë bashkë prej 64 vitesh. Sakaq theksojnë se historinë e tyre e kujtojnë me shumë dashuri.

Çifti tregon se pavarësisht se janë njohur me shkesi ata nuk kanë pasur kurrë inate me njeri-tjetrin dhe se janë mirëkuptuar gjithë jetën.

“Familjet tona njiheshin se halla e Pjetrit ishte në fshatin tonë e martuar. Nënën time e kishte shoqe të ngushtë siç ishin gratë atëherë, shkonin jashtëzakonisht mirë. Kur linda unë, i tha nënës sime: ‘Shyqyr që nuk lindi çun, po lindi goc se unë do ta marr për djalin e vëllait’. Ngeli ajo fjala pastaj. U bëra një vjeç dhe erdhën siç janë zakonet, sollën një unazë dhe një shami katrore. Atë unazën e mbajti nana, kurse atë shaminë e grisa unë, nuk e ruajta se nuk e kuptova. Kemi 7 vite diferencë. Ka qenë burrë i bukur, simpatik, i zgjuar, tip i hedhur shumë. Më ra fat i mirë mua, por edhe këtij nuk i ka rënë keq. Jemi mirëkuptuar gjithë jetën, nuk kemi mbajtur inate njëri-tjetrit”, u shpreh Marta.

“Ne shkonim te halla dhe halla e kishte shtëpinë afër asaj familje ku ne ishim lidhur. Ne kishim miqësi të vjetër me atë familje. Baza e familjes kur kërkoje një lidhje për fejesë dhe për martesë ishte ajo. Pra, kur kërkoje një vajzë ta merrje për djalin duhet të zgjidhje familjen. Edhe familja ishte e zgjedhur sepse për arsye se njiheshin. E ëma e Martës ishte nga një familje e mirë, vjehrra ime ishte motra e mësuesit të popullit, që ka hapur shkollën. Kështu që ishte një familje e njohur.

Ishte disi e veçantë kjo lidhje. Këtu nuk kishte të bënte fare shkesia, por kishte të bënte me miqësinë e vjetër. Ne meqenëse shkoja unë te halla dhe prindërit ma kishin këtë histori, më prisnin mirë dhe ne e shikonim njëri-tjetrit. Kjo i ulte sytë se ishte më e ndrojtur, ndërsa unë e shihja. Ishte punë opinioni. Ishte shumë e bukur. Unë kam provuar një dashuri të ndrydhur. Ne vetëm e shikonim njëri-tjetrin, nuk dilnim për shkak të opinionit”, tregoi Pjetri për Abc news.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.