LAJMI I FUNDIT

Pse shërbimet e kujdesit shëndetësor janë në kaos kudo

07:14 - 18.02.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tani është një kohë veçanërisht e keqe për të pësuar atak kardiak, shkruan The Economist




Vendosja e karantinave gjatë pandemisë Covid-19 kishte një qëllim kryesor: parandalimin e mbingarkesës së spitaleve. Qeveritë shpresonin të ulnin infeksionet, duke blerë kohë për të ndërtuar qendra të reja kujdesi. Megjithatë, në fund, shumë nga ky kapacitet shtesë mbeti i papërdorur. Shtatë spitalet “Nightingale” të Anglisë u mbyllën pasi kishin marrë vetëm disa pacientë, ashtu si shumë nga spitalet fushore të Amerikës.

Një studim nga revista “Health Policy” për Europën, zbuloi vetëm një vend ku kishte më shumë pacientë me Covid-19 sesa shtretër të kujdesit intensiv: në rajonin italian të Lombardisë, më 3 prill 2020. Edhe pse tani ka spitale kineze të mbingarkuara, ndërsa vendi po përballet me një valë të madhe, është shumë herët për të ditur nëse këta janë shembuj të izoluar apo përfaqësojnë një dështim më të gjerë sistematik.

Jashtë Kinës, Covid-19 tani peshon më pak në mendjet e njerëzve. Megjithatë, sistemet e kujdesit shëndetësor, në pjesën më të madhe të vendeve të pasura, janë më pranë kolapsit se sa në çdo moment që kur sëmundja filloi të përhapej. Ndryshe nga papunësia ose PBB-ja, ka pak shifra të krahasueshme dhe të përditësuara për performancën e kujdesit shëndetësor në të gjitha vendet.

The Economist ka gjurmuar statistikat e prodhuara nga vende, rajone dhe madje edhe spitale individuale, për të paraqitur një pamje të asaj që po ndodh. Rezultatet tregojnë se pacientët, mjekët dhe infermierët po përjetojnë pasojat mizore të pandemisë. Fillojmë me Britaninë, e cila prodhon të dhëna me cilësi të lartë. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) është në gjendje të rëndë. Pak para se të godiste pandemia, një person me një problem mjekësor që kërkon vëmendje urgjente, por jo të menjëhershme, një kategori që përfshin ata që vuajnë nga goditjet në zemër, priti mesatarisht 20 minuta për një ambulancë. Tani ata presin më shumë se një orë e gjysmë (shih grafikun). Është rritur numri i “pritjeve” të gjata, nga koha midis një vendimi për të pranuar një pacient dhe mbërritjes në një repart spitalor. Vendet e tjera kanë statistika më pak gjithëpërfshirëse, por popullsi po aq në nevojë. Në shtator, Ipsos publikoi një sondazh global që përfshinte një pyetje mbi cilësinë e kujdesit shëndetësor lokal.

Pothuajse në të gjitha 20 vendet e pasura të anketuara, njerëzit kishin më pak gjasa se në vitin 2021, që të thoshin se shërbimi që u ofrohej ishte “i mirë” ose “shumë i mirë”. Në Britani, kjo pjesë njerëzish ra me pesë pikë përqindje. Në Kanada, ra me dhjetë, në Itali me 12.

Spitalet italiane të mbingarkuara nga pacientë me Covid-19 në fillim të vitit 2020, po hasin sërish vështirësi. The Economist analizoi të dhënat nga spitali Papa John XXIII në Bergamo, vendi ku janë xhiruar disa prej imazheve tronditëse të njerëzve në kujdes intensiv, gati tre vite më parë.

Në vitin kur Covid-19 goditi Italinë, listat e pritjes në spitale u rritën paksa. Më pas ato ranë pak vitin e ardhshëm. Por në vitin 2022, u rritën menjëherë. Një personi që kërkon një ekografi jourgjente të gjirit, mund t’i duhet të presë deri në dy vjet.

Zyrtarët në Emilia-Romagna, një rajon tjetër i goditur rëndë në vitin 2020, kanë nisur një plan për të kthyer listat e pritjes në nivelet para pandemike. Gazetat në të gjithë Anglosferën janë të mbushura me histori tmerresh. Në New South Wales, Australi, një e katërta e pacientëve duhej të prisnin më shumë se gjysmë ore për t’u transferuar nga personeli i ndihmës mjekësore te stafi i dhomës së urgjencës në tremujorin e tretë të vitit 2022, nga një e dhjeta dy vite më parë.

Në Kanada, koha e pritjes ka arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, me një vonesë mesatare prej gjysmë viti midis referimit dhe trajtimit. Edhe sistemet më të pasura dhe më të afta po e ndiejnë tendosjen. Në Zvicër ka më pak shtretër falas të kujdesit intensiv sesa në shumicën e periudhës së pandemisë. Gjermania po përjeton probleme të ngjashme, me rritje të pacientëve që ulin kapacitetin e kujdesit intensiv (shih grafikun). Në Singapor, pacientët prisnin rreth nëntë orë për t’u vizituar në një poliklinikë në fund të vitit 2021. Deri në tetor 2022, ata prisnin 13 orë. Amerika po përparon më mirë se shumica e vendeve, falë shumës së madhe të parave që shpenzon për kujdesin shëndetësor dhe kapacitetit të tepërt që financon. Por gjithsesi, gjendja nuk po shkon mirë. Shkalla mesatare e ngarkesës së spitaleve ka kaluar nivelin 80% për herë të parë.

Edhe në ditët më të errëta të pandemisë, pak shtete raportuan reparte pediatrike të mbingarkuara (që ne e përcaktojmë si 90% ose më shumë shtretër të zënë). Në fillim të nëntorit, 17 shtete ishin në këtë pozicion, rezultat i përhapjes së gripit dhe ftohjes te fëmijët.

Sëmundje dhe fatkeqësi

Rënia e cilësisë së kujdesit shëndetësor po kontribuon në një rritje të habitshme të “vdekjeve të tepërta”, pra mbi nivelin e pritur në një vit normal. Në shumë vende të pasura, viti 2022 qe më vdekjeprurës se 2021, një vit gjatë të cilit pati disa valë të mëdha Covid-19. Vdekjet mujore në të gjithë Europën janë aktualisht rreth 10% më të larta se sa pritej. Gjermania po përjeton një valë të madhe vdekshmërie: vdekjet javore kanë qenë më shumë se 10% mbi nivelin normal që nga shtatori. Në fillim të dhjetorit, ato ishin 23% më të larta.

Çfarë po ndodh? Politikanët, në nivel kombëtar dhe rajonal, po marrin përsipër fajin, dhe herë pas here, e meritojnë atë. Por forcat që krijojnë kaosin janë të zakonshme në të gjitha vendet dhe janë të lidhura me një përvojë të përbashkët të pandemisë. Ato gjithashtu, të paktën në një periudhë afatshkurtër, mund të jenë pothuajse të pamundura për t’u kapërcyer nga qeveritë. Në klubin e OECD-së të përbërë nga vende kryesisht të pasura, shpenzimet shëndetësore tani janë rreth 10% e PBB-së, pasi ishin nën 9% përpara pandemisë (shih grafikun).

Nga 20 vendet për të cilat ka të dhëna për vitin 2021, 18 kanë shpenzuar për person më shumë se kurrë më parë. Pothuajse të gjitha vendet shpenzuan më shumë si përqindje e PBB-së, sesa në vitin 2019.

Edhe rregullimi i shifrave për popullsinë në plakje, nuk i ndryshon në mënyrë domethënëse këto zbulime.

Kështu, problemet e menjëhershme me të cilat përballen sistemet e kujdesit shëndetësor nuk shkaktohen nga mungesa e parave të gatshme. Pjesa më e madhe e shpenzimeve në rritje ka shkuar në programe për të luftuar Covid-19, duke përfshirë testimin dhe gjurmimin, si dhe vaksinat. Por financimi tani po rritet në të gjitha sistemet. Pothuajse në çdo vend të pasur, më shumë njerëz punojnë në kujdesin shëndetësor se kurrë më parë. Punësimi total në spitale në vitin 2021, ishte 9% më i lartë se në vitin para pandemisë në gjashtë vendet e OECD-së që ne anketuam. Të dhënat e fundit tregojnë se në Kanada, 1.6 milionë njerëz tani punojnë në kujdesin shëndetësor, një nivel rekord. Në BE, më shumë se 12 milionë njerëz punojnë në “aktivitete për shëndetin e njeriut”, një shifër rekord. Spitalet amerikane punësojnë 5.3 milionë njerëz, një tjetër rekord.

Ndoshta problemi i vërtetë nuk është numri i stafit, por me sa efikasitet po punojnë. Prodhimi real në sektorin spitalor dhe ambulator të kujdesit shëndetësor të Amerikës, i cili në fakt mat sasinë e kujdesit të ofruar, është vetëm 3.9% mbi nivelin para pandemik, ndërsa prodhimi në të gjithë ekonominë në tërësi, është 6.4% më i lartë. Në Angli, aktiviteti i kujdesit me zgjedhje (d.m.th., operacione të planifikuara paraprakisht), është pak më i ulët se sa ishte përpara se të godiste pandemia.

Në Australinë Perëndimore, pjesa e operacioneve me zgjedhje të vonuara, u rrit nga 11% në 24%, në dy vitet deri në nëntor. E thënë shkurt, spitalet po bëjnë më pak punë, me më shumë burime. Megjithëse rënia e rritjes së produktivitetit është një dukuri mbarë ekonomike, kujdesi shëndetësor aktualisht po vuan nga trysni shtesë. Një punim i fundit nga Diane Coyle nga Universiteti Cambridge, duke studiuar Britaninë, merr në konsideratë efektet e përballjes me Covid-19.

Protokollet “Donning and offing” për të zëvendësuar pajisjet mbrojtëse dhe kërkesat e pastrimit pas trajtimit të pacientëve me Covid-19, janë ende në fuqi në shumë vende sot, dhe këto ngadalësojnë gjithçka. Ndarja e pacientëve me Covid-19 nga pacientët pa Covid-19, pengon lirimin e shtretërve.

Ndërkohë, stafi ndihet i lodhur pas tre vitesh rraskapitëse. Një raport nga revista “Mayo Clinic Proceedings”, zbuloi se treguesit sasiorë të “rraskapitjes” midis mjekëve amerikanë, janë rritur (shih grafikun). Nëse punonjësit e kujdesit shëndetësor janë të rraskapitur, ata mund të bëjnë më pak punë të tilla si, qëndrimi më vonë për t’u siguruar që regjistri i pacientëve është në rregull, ose ndihma për trajtimin e pacientit të një mjeku tjetër.

Shumë prej jush janë të dobët

Produktiviteti ka rënë – por nuk ka rënë në mënyrën që do të ishte e nevojshme për të shpjeguar kaosin. Kjo tregon se shpjegimi i vërtetë për problemin, qëndron diku tjetër: në shpërthimin e kërkesës. Pasi dolën nga karantinat, njerëzit filluan të kërkojnë ndihmë më shumë se kurrë më parë. Një pjesë e kësaj arsyeje lidhet me imunitetin. Njerëzit kaluan dy vjet pa u ekspozuar ndaj agjentëve të jashtëm viralë. Që atëherë, kanë lulëzuar patogjenë endemikë si virusi i frymëmarrjes. Një numër i jashtëzakonshëm janë të prekur nga gripi. Por, pandemia gjithashtu pengoi trajtimin për sëmundje të tjera, të cilat vetëm tani po diagnostikohen. Në vitet 2020-2021 shumë njerëz vonuan kërkimin e trajtimit, nga frika se mos infektoheshin me Covid-19, ose sepse spitali i tyre lokal ishte mbyllur për pacientët pa Covid-19.

Në Itali, diagnozat e kancerit ranë me rreth 40% në vitin 2020, krahasuar me periudhën 2018-‘19. Një studim i pacientëve amerikanë vuri në dukje se ndodhi një ulje e jashtëzakonshme e diagnozave të sëmundjeve të kancerit që zbuloheshin rregullisht gjatë një shqyrtimi, ose ekzaminimi rutinë.

Në Angli, lista e pritjes në NHS, është rritur me më shumë se 60% që nga fillimi i pandemisë. Shumë nga personat në listë, ka të ngjarë që tashmë të jenë më të sëmurë dhe kështu do të harxhojnë më tepër burime sesa nëse do të kishin marrë kujdes në vitin 2020.

Një studim i fundit i botuar nga revista “Lancet Public Health” vlerëson se gjatë dy dekadave të ardhshme, vdekjet nga kanceri kolorektal, mund të jenë gati 10% më të larta në Australi, se sa tregonin tendencat para pandemisë, pjesërisht për shkak të vonesave në trajtim. Edhe Covid-19 vazhdon të rrisë kërkesën. Instituti për Studime Fiskale, një think-tank, vlerëson se sëmundja po zvogëlon numrin e shtretërve të disponueshëm në NHS me 2-7%. Ndërsa pacientët me COVID-19 harxhojnë burime, të tjerët marrin kujdes shëndetësor më të dobët. Studimi nga Thiemo Fetzer në Universitetin Warwick dhe Christopher Rauh në Universitetin Cambridge, tregon se për çdo 30 apo më shumë vdekje shtesë nga Covid-19, vdes një pacient pa Covid-19, për shkak të uljes së cilësisë së kujdesit.

Efektet e keqfunksionimit të sistemeve të kujdesit shëndetësor shkojnë përtej vdekjeve të panevojshme. Njerëzit fillojnë të ndiejnë se vendi i tyre po shpërbëhet. Nëse jetoni në një vend të pasur dhe sëmureni, natyrisht që prisni që dikush t’ju ndihmojë. Dhe dikush duhet patjetër të ndihmojë në një kohë kur barra tatimore është afër nivelit më të lartë të të gjitha kohërave, siç është rasti në shumë vende. Me kalimin e kohës, sasia e mbetur e krijuar nga pandemia do të zhduket.

Rritja e viruseve të frymëmarrjes tek të rriturit dhe fëmijët, ndoshta ka arritur tashmë kulmin. Administratorët kanë bërë përparim në trajtimin e listave të gjata të pritjes. Por me një popullsi në plakje dhe me Covid-19 që tani është një kërcënim gjithnjë i pranishëm, kujdesi shëndetësor para pandemisë mund të duket si një epokë e artë e humbur./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.