Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar të enjten Marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.
Marrëveshja pritet të dërgohet për miratim në Parlamentin e Bosnje e Hercegovinës. Pas hyrjes në fuqi, ajo do të mundësojë lëvizjen pa viza të qytetarëve nga Kosova dhe Bosnja.
Më 2014, Kosova vendosi masën reciproke sa i përket regjimit të vizave për shtetasit e Bosnje e Hercegovinës. Regjimi i vizave ka penguar udhëtimet e qytetarëve që jetojnë në Kosovë, por që kanë prejardhje nga Bosnja. Radio Evropa e Lirë, vitin e kaluar solli rrëfimet e disa qytetarëve, të cilët thanë se po presin që të ndodhë heqja e vizave, pasi kjo do të nënkuptonte për ta “fundin e agonisë”.
Vitin e kaluar, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor arritën edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve. Të dyja këto marrëveshje u ratifikuan gjithashtu më 23 shkurt në Kuvendin e Kosovës. /REL