AKTUALITET

Rritja e lëndëve të para dhe pagat do të shtrenjtojnë çmimet në disa sektorë; Kompanitë, pesimiste për konsumin

11:14 - 05.03.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shtrenjtimet e lëndëve të para për disa sektorë dhe shtimi i kostove nga rritja e pagave të punëtorëve do të sjellin rritje të çmimeve.




Shoqata e Bareve dhe Restoranteve paralajmëron se nga muaji mars do të ketë rritje të fortë të çmimeve nga i gjithë sektori, për shkak të kostove të larta nga shtrenjtimi i çmimeve të importit të kafesë apo çajeve.

“Deri tani, çmimet e kafesë në bare janë rritur tek-tuk 10 deri në 20 lekë. Nga marsi parashikohet të ketë rritje të fortë të çmimeve. Importuesit e kafesë, çajeve apo produkteve të tjera kanë paralajmëruar rritje të çmimeve 7-8% më shumë se vjet. Nga ana tjetër është edhe kostoja e lartë e pagave të punonjësve.

Rritja e pagave për shkak të mungesës së fuqisë punëtore është shumë e fortë. Krahasuar me vjet në sektorin e bareve dhe restoranteve nuk ka më paga të kamerierëve nën 50,000 lekë dhe të pastruesevem nën 40,000 lekë.

E gjitha kjo kosto do të amortizohet të çmimet. Edhe vlera e investimeve për rinovim baresh apo blerje të tyre është rritur 30 deri 40% më shumë, për shkak të shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit”, nënvizuan përfaqësues të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve.

Rritje parashikohet të ketë edhe për mobiliet. Dritan Cacaj nga “Trin Mobilieri” thotë se mungesa e fuqisë punëtore do të rrisë kostot për prodhuesit vendas të mobilieve më shumë se shtrenjtimi i lëndëve të para. Shtimi i kostove nga mungesa e fuqisë punëtore pritet të sjellë rritje të çmimeve deri në 15% më shumë se vitin e kaluar.

Operatorë të tjerë pohojnë se do t’i mbajnë të pandryshuara çmimet për shkak të rënies së kërkesës. Ilir Linza, drejtuesi i fabrikës së përpunimit të drurit “FPM Tutto Mobili”, shton se nga shtrenjtimi i lëndëve të para çmimet e mobilieve u rritën rreth 30% në vitin 2022 më shumë se në vitin 2021. Kompania nuk parashikon më rritje të çmimeve, pasi nuk do të përballoheshin nga blerësit.

 

 

Bizneseve u largohen punëtorët nga Bangladeshi, kërkojnë hartimin e një plani kombëtar

Largimet nga vendi nuk po reduktojnë vetëm konsumin, por edhe numrin e punëtorëve të kualifikuar. Kriza e mungesës së punëtorëve po ndihet në të gjitha sektorët e ekonomisë, duke u kthyer në një nga problematikat më të mprehta të bizneseve.

Që nga prodhuesit e bukës, përpunuesit e mishit, mobilieve, bare-restoranteve dhe deri te mungesa e shoferëve të kamionëve në transport problematika po thellohet, duke u përkthyer në rritje të larta të kostove dhe rënie rendimenti, pasi të larguarit po zëvendësohen me punonjës të pakualifikuar.

Përveç vështirësive për gjetjen e punonjësve, bizneset po përballen edhe me fenomenin e largimit të punonjësve aziatikë, kryesisht atyre nga Bangladeshi që e përdorin Shqipërinë si trampolinë për të emigruar drejt Europës.

“Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, përpara disa muajsh punësuam 6 punonjës nga Bangladeshi me përvojë në përpunimin e drurit, të cilët pas 3 muajsh punë u larguan nga vendi i punës, pa njoftuar.

Kjo është kosto për biznesin, duke përfshirë edhe rritjet e shpeshta të pagave që ju bëjmë punonjësve aktualë”, tha për “Monitor”, drejtuesi i fabrikës së përpunimit të drurit “FPM Tutto Mobili”, z. Ilir Linza.

Dritan Cacaj, drejtuesi i mobilierisë “Trin Mobilieri”, thotë se që prej shtatorit të 2022, sektori vuan mungesën e fuqisë punëtore. Për këtë arsye i është drejtuar një agjencie punësimesh për marrjen e 10 punonjësve nga Egjipti, me përvojë të ngjashme në vendin e tyre në përpunimin e drurit.

Përballë rrezikut për largimin e punonjësve, siç po ndodh me disa biznese të tjera, z. Cacaj e konsideron marrjen e punonjësve nga Egjipti një fazë eksperimentale, pasi nuk mbetet rrugëzgjidhje tjetër për gjetjen e burimeve njerëzore.

“Prej kohësh në vend po ndihet mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, të profesionistëve. Shumë prej punonjësve të kualifikuar janë larguar në emigracion, apo kanë ngritur vetë punishte, por edhe ata janë në kërkim të punonjësve.

Janë të rinj të grupmoshave 25 deri 35 vjeç që po largohen nga Shqipëria. Kjo është arsyeja që jemi detyruar të kërkojmë punonjës nga jashtë”.

Për shkak të largimit të fuqisë punëtore të kualifikuar në emigracion, kompanitë prodhuese të mobilieve kanë rritur pagat e punonjësve. Pagesa minimale mujore të punonjësve të kualifikuar në sektorin e përpunimit të mobilieve variojnë nga 70,000 lekë niveli minimal deri në 120,000 lekë rroga maksimale.

Sipas përllogaritjeve të bizneseve, kostoja e punësimit të punëtorëve egjiptianë llogaritet deri në 1,000 USD, 50% e vlerës shkon për siguracionet shtesë së jetës, fjetja dhe ushqimi, ndërsa pjesa e mbetur është paga mujore.

Vështirësi me mungesën e theksuar të fuqisë punëtore po hasin edhe përpunuesit e mishit. Administratori i kompanisë “Tona” z. Nikolla Tona, thotë se 30% e fuqisë punëtore është larguar në Gjermani.

Ai pohon se deri tani ka arritur të zëvendësojë 20% të tyre me vendas të tjerë, por të gjithë janë me kualifikim të dobët, duke ndikuar te rendimenti i prodhimit.

Shoqata e Bareve dhe Restoranteve deklarojnë se ju mungojnë 15,000 punonjës, ku arsyeja kryesore e vendeve të lira mbetet emigracioni i të rinjve. Para krizës së pandemisë në 2019, sipas të dhënave të INSTAT, numri i të punësuarve në këto struktura arrinte 45,000 punonjës. Për zgjidhjen e kësaj problematike, prej 3 muajsh bizneset po kërkojnë punonjës nga Filipinet.

Kryetari i Shoqatës së Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave, Gëzim Peshkopia, pohon se mungesa e theksuar e punonjësve po ndihet në furrat e bukës dhe pastiçerive.

Z. Peshkopia e cilëson mungesën e punëtorisë si “thembrën e Akilit” për sektorin. Për shkak të largimit të punonjësve të vendeve aziatike që po ndodh në sektorë të ekonomisë, z. Peshkopia rekomandon se zgjidhja e kësaj problematike duhet të ofrohet nga institucionet shtetërore nëpërmjet hartimit të një plani kombëtar, ku secili nga sektorët të nxjerrë të dhënat për kërkesën e fuqi së punëtore, ndërsa agjencitë e rekrutimit të kontrollohen nga shteti.

Shoqata e Bareve dhe Restoranteve si zgjidhje rekomandon përfshirjen në këtë mungesë të theksuar të fuqi së punëtore të komunitetit rom të Shqipërisë nëpërmjet zyra shtetërore të punësimit.

Shoqata shpreh gatishmërinë për nisjen e trajnimeve vullnetare për këtë kategori të shoqërisë, me qëllim punësimin e tyre në bare dhe restorante, por kërkon ndërhyrjen e shtetit që kërkesa për punësime të kanalizohet nëpërmjet zyrave të punësimit shtetëror.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.